Aktivitetet

E martë, 20 nëntor 2018 

DELEGACIONI I KUVENDIT NË SESIONIN  E 64-TË TË AP TË NATO NË HALIFAKS, KANADA 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë z. Talat Xhaferi dhe Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në AP të NATO-s z. Ilija Dimovski, znj. Katerina Kuzmanovska dhe z. Vesel Memedi, morën pjesë në sesionin e 64-të të Asamblesë parlamentare të NATO-s, që u mbajt nga 16-19 nëntor 2018 në Halifaks, Kanada. 

Me ftesë të AP të NATO-s, në seancën plenare mbajti fjalim Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi. Pas fjalimit të kryetarit të Kuvendit, z. Talat Xhaferi, vijoi periudhë për parashtrim të pyetjeve, me ç'rast kryetari u përgjigj në pyetjet e parashtruara nga ana e përfaqësuesve të delegacioneve të vendeve pjesëmarrëse. 

Në sesionin plenar fjalime mbajtën edhe znj. Rouz Gotemeler, zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s, z. Harijet Sajan, ministër i Mbrojtjes i Kanadasë si dhe znj. Raza Jukneviçiene, kryetare e AP të NATO-s. Gjatë sesionit, folësit e lartpërmendur si dhe përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse shprehën mbështetje të qartë për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO aleancën. 

Në sesionin vjetor të AP të NATO-s delegacioni ynë mori pjesë edhe në punën e komiteteve, ku mes tjerash, u diskutua për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, me ç'rast u përmend se Republika e Maqedonisë tashmë ka marrë ftesë formale për Samitin e NATO-s, por vendi do të bëhet anëtar i plotfuqishëm pas zgjidhjes së tërësishme të kontestit të emrit. 

Para Komitetit Politik mbajti fjalim anëtari i delegacionit, z. Vesel Memedi, nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, i cili në fjalimin e tij shprehu lëvdata dhe falënderim ndaj raportuesit për siguri në Ballkanin Perëndimor, senatorja kanadeze znj. Rajnell Andrejçuk, për kontributin e saj në përpilimin e raportit për vendet të cilat janë pjesë e Ballkanit Perëndimor. Ai në fjalimin e tij u fokusua në realizimin e reformave dhe procesit të eurointegrimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor, për vazhdimin e të cilit me rëndësi të madhe është mbështetja e mëtejme ndërkombëtare dhe ndihma financiare. 

Në Komitetin për dimension civil të sigurisë mbajti fjalim anëtarja e Delegacionit, znj. Katerina Kuzmanovska, e cila në lidhje me Draft-rezolutën për mbrojtje të proceseve zgjedhore në aleancën, u fokusua në disa domene, siç janë: demokratizimi i mediave, transparenca aktive, qasja e zmadhuar në informata nga ana e publikut, inkurajimi dhe mbështetja e institucioneve dhe organizatave joqeveritare, ballafaqimi me lajme të rrejshme dhe lufta kundër propagandës digjitale. 

Në Sesionin vjetor të AP të NATO-s morën pjesë vendet anëtare të NATO-s dhe vendet që pretendojnë të jenë pjesë e Aleancës në të ardhmen. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka status të anëtarit asociativ në Asamblenë parlamentare të NATO-s nga viti 1994 dhe kjo është hera e parë që kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë të ftohet të mbajë fjalim para parlamentarëve të kësaj organizatë ndërkombëtare e cila bashkon mbi 260 parlamentarë nga vendet anëtare të NATO-s, vende asociative, vende mbikëqyrëse, parlamente partnere dhe përfaqësues nga organizata tjera ndërkombëtare. 

Click