Aktivitetet

E martë, 10 korrik 2018

DHUNA GJINORE ËSHTË NJË PREJ CENIMEVE MË EKLATANTE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT 

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së (AP e OSBE-së) në përbërje: shefi i Delegacionit Vlladimir Gjorçev dhe anëtarët Jagoda Shahpaska dhe Rexhail Ismaili merr pjesë në Sesionin e 27-të vjetor të AP së OSBE-së, që mbahet nga 7 deri 11 korrik 2018 në Berlin, Republika Federative e Gjermanisë. 

Komisioni për Sistem Politik dhe Siguri, Komisioni për Çështje Ekonomike, Shkencë, Teknologji dhe Mjedis Jetësor dhe Komisioni për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Çështje Humanitare, i shqyrtoi raportet dhe i miratuan Rezolutat me temë:  "Implementimi i angazhimeve të OSBE-së:  roli i parlamenteve". 

Tre komisionet vazhdojnë me punë për pikat plotësuese, të cilat kanë të bëjnë me çështje të shumta të kompetencave të OSBE-së, ndër të cilat: lufta kundër trafikimit me njerëz, parandalimi i dhunës gjinore, ndërtimi i kornizës efikase për mbrojtjen e fëmijëve emigrantë, reforma dhe menaxhimi me sektorin e sigurisë, përforcimi i dukshmërisë së Asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe ngjashëm. 

Në diskutimin me temë: "Parandalimi dhe lufta kundër dhunës gjinore" mori pjesë deputetja Jagoda Shahpaska. Ajo vlerësoi se dhuna gjinore, në të gjitha format e saj, është një prej cenimeve më eklatante të të drejtave të njeriut në rajonin e OSBE-së dhe theksoi se angazhimet e OSBE-së për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe mundësive të barabarta janë me rëndësi esenciale për paqen, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik, e me atë edhe për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. 

Deputetja Shahpaska u përqendrua në legjislacionin e Republikës së Maqedonisë për parandalimin dhe luftën kundër dhunës familjare dhe gjinore dhe informoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në dhjetor vitin e kaluar e ratifikoi Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj femrave dhe dhunës shtëpiake, të ashtuquajtur "Konventa e Stambollit".  

Ajo theksoi se implementimi i kësaj Konvente është një sfidë e madhe dhe se është e nevojshme një qasje e koordinuar dhe e sinqertë e të gjithë institucioneve në ballafaqimin me dhunën gjinore dhe në miratimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore në pajtim me obligimet nga Konventa. Informoi se tanimë është formuar edhe Trupi koordinues nacional kundër dhunës familjare, me përfaqësues nga të gjitha institucionet relevante, përfshirë edhe Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, i cili duhet të transformohet në Trup koordinues nacional kundër dhunës gjinore. Theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme realizon trajnime për dhunën gjinore për të punësuarit e saj, e në procedurë e sipër është formimi i ekipeve mobile për identifikimin e kategorive vulnerabile, përfshirë edhe viktima të trafikimit me njerëz. 

Në fund të fjalimit të saj, Shahpaska i ftoi kolegët e saj deputetë, si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve të vendeve pjesëmarrëse në OSBE, të tregojnë bashkërisht se në rajonin e OSBE-së nuk ekziston tolerancë për dhunën gjinore, në të gjitha format e saj. 

Sesioni vjetor është mbledhja më e madhe e Asamblesë parlamentare të OSBE-së, e cila përbëhet prej 323 parlamentarë nga 57 vende të Evropës, Azisë Qendrore dhe Amerikës Veriore.  Asambleja siguron forum për diplomaci parlamentare, mbikëqyrje të zgjedhjeve dhe përforcim të bashkëpunimit ndërkombëtar për përmbushje të angazhimeve të OSBE-së në lidhje me çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, çështjet për të drejtat e njeriut dhe mjedisin jetësor. 

Click