Aktivitetet

E mërkurë, 28 nëntor 2018 

ENERGJIA ËSHTË AJO QË DO T'I LIDHË TË GJITHA VENDET PËR SHKAK TË BASHKIMIT 

Plenumi parlamentar i Komunitetit Energjetik në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë mbajti mbledhje të përbashkët me anëtarët e Asamblesë parlamentare të Mediteranit, në prag të Këshillit të nesërm të 16-të ministror të Komunitetit Energjetik, ku Maqedonia është kryesuese aktuale. 

Kryesuesi Hari Llokvenec në fjalimin e vet hyrës theksoi se ka kënaqësi të veçantë për faktin që kjo mbledhje i është kushtuar energjisë së rinovueshme në vendet anëtare të Komunitetit Energjetik, një temë që mendon se në të ardhmen do t'i kushtohet vëmendje gjithnjë e më shumë. 

Ai e theksoi rëndësinë e Plenumit parlamentar të Komunitetit Energjetik në promovimin e nevojës për shfrytëzim më të madh të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe të deputetëve të cilët masat pozitive mund t'i inkorporojnë në zgjidhje ligjore dhe në kontaktet me biznesmenët dhe qytetarët për ta nxitur vetëdijen e tyre, ndërsa mbledhjet janë mundësi e jashtëzakonshme për këmbim të mendimeve dhe ideve për sfera të ndryshme në sektorin energjetik.  

Koço Angjushev, zëvendëskryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë i ngarkuar për çështje ekonomike dhe për koordinim me resorët ekonomikë, u përqendrua në aspektet ligjore dhe implementimin e Ligjit të ri për energjetikë. 

Qeveria është mbështetëse e madhe e burimeve të rinovueshme të energjisë, me masa stimuluese për nxitjen e aplikimit të tyre më të madh, përmes formave të granteve dhe mjeteve nga fonde të ndryshme, si dhe përmes ngritjes së vetëdijes te sektori i biznesit dhe qytetarët për efektet pozitive. Mbështetja e Qeverisë është në formë të premisë nga buxheti shtetëror. 

Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë, e ceku udhëzuesin e përpiluar për politikë të përgjithshme për qëllimet deri në vitin 2030 për efikasitetin energjetik, burimet e rinovueshme të energjisë dhe zvogëlimin e ndotjes, që do të miratohet nesër në Këshillin e 16-të ministror.  

Kryesuesi Llokvenec bëri një prezantim të shkurtër të Raportit të përbashkët për forcimin dhe avancimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, të përgatitur nga Komuniteti Energjetik, pas të cilit vijoi debat në të cilin morën pjesë përfaqësues nga Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria, ndërsa votimi do të bëhet në mbledhjen e ardhshme të 19-të në Bruksel. 

Në Raportin është shënuar: 

  • Progres nga palët kontraktuese të Komunitetit Energjetik në arritjen e qëllimeve të vendosura për pjesëmarrjen e burimeve të ronovueshme në prodhimin e përgjithshëm të energjisë, por nevojitet promovim i mëtejmë; 
  • Qëllimi është që të kontribuohet për uljen e varësisë importuese të energjisë të vendeve, uljen e varfërisë energjetike, rritjen e sigurisë në furnizimin e konsumatorëve me energji, arritjen e rritjes ekonomike; 
  • Potenciali shumë i madh i burimeve të rinovueshme të energjisë nuk është shfrytëzuar mjaftueshëm në pjesën e krijimit të vendeve të reja të punës, për uljen e shkallës së papunësisë, problem me të cilin ballafaqohen palët kontraktuese të Komunitetit Energjetik; 
  • Deputetët dhe parlamentet të kontribuojnë, përmes implementimit të legjislacionit evropian për burime të rinovueshme në legjislacionet nacionale, për mënjanimin e barrierave administrative dhe për zgjidhje dhe procedura të qarta ligjore;  
  • Është rekomandim që palët kontraktuese të Komunitetit Energjetik t'i kushtojnë vëmendje implementimit të plotë të Direktivave 2009/28 të Komisionit Energjetik, sepse vendet këtu shënojnë rezultate më të dobëta. 

Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit Energjetik, Janez Kopaç, njoftoi se Rregullorja e Plenumit do të miratohet nesër në Këshillin ministror, nga ministrat, e jo ngaeurodeputetët. 

Në sesionin e përbashkët me anëtarët e Asamblesë parlamentare të Mediteranit, fokus kryesor ishte legjislacioni për burimet e rinovueshme të energjisë. 

Lidhur me këtë temë fjalim mbajti zëvendëskryetari i Komisionit për Çështje Ekonomike të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Agim Shaqiri, i cili informoi për Ligjin e ri për energjetikë, me të cilin do të mundësohet stimulim i përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë. 

Shefi i Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Mediteranit, Antonios Belomenakis, e potencoi rëndësinë fundamentale të bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare.  Gjithashtu, ai u bëri thirrje pjesëmarrësve të Plenumit që të shqyrtohet mundësia për memorandum mirëkuptimi, me ç'rast do të vendoset një bashkëveprim i përhershëm, në interes të të dyja palëve. 

Në debatin, përvojat e tyre i ndanë deputetët nga Tunizi, Turqia dhe Italia, ndërsa deputetja Liljana Popovska nga partia e gjelbër DOM tregoi interes për trendët më të reja në lidhje me burimet e ronovueshme të energjisë. 

U potencua se megjithëse vijmë nga vende dhe kultura të ndryshme, ardhmëria dhe nevoja jonë për energji elektrike është e njëjtë gjithandej dhe prandaj nevojitet bashkim ndërkufitar dhe ndërinstitucional. Duke e pasur parasysh rëndësinë e kornizës ligjore dhe ligjeve transparente, ato doemos duhet të harmonizohen në nivel rajonal, ndërkombëtar dhe kontinental. 

Informata, se 18% e popullatës në botë është pa rrymë, është alarmuese, prandaj nevojitet një rrjet në të cilin të gjithë që kanë tepricë të energjisë elektrike do të mund ta përcjellin te të tjerët. Si sfida globale, rryma dhe ndryshimet klimatike, doemos duhet të zgjidhen në nivel global. 

Burimet e rinovueshme të energjisë nuk janë më fantashkencë, por realitet. Bëhen të lira, bëhen biznes dhe për dy deri në pesë vjet do të shpijnë në kursim ende më të madh. Kalimi nga subvencione për lëndë djegëse fosile në subvencione për lloje të ndryshme të burimeve të rinovueshme të energjisë paraqet mirëqenie për Rajonin, theksoi në vërejtjet përfundimtare drejtori Kopaç. 

Përfundimisht - energjia është ajo gjë e cila do t'i lidhë të gjitha vendet, jo vetëm në Evropë, por edhe në botë, për shkak të bashkimit. 

Click