Aktivitetet

E premte, 27 korrik 2018  

Fjala e kryetarit Xhaferi në Seancën Komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar shqiptar, z. Adem Demaçi 

I nderuar President i Republikës së Kosovës,
I nderuar Kryetar i Parlamentit të Kosovës,
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar deputetë,
Shkëlqesi,
Të nderuar familjarë Demaçi,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Mediume,
Zonja dhe zotëri,

Sot, jemi tubuar këtu me një shkas që na pikëlloi të gjithë ne që e kemi pasur fatin të jetojmë në të njëjtën kohë kur ka frymuar dhe vepruar Heroi i kombit, simboli i rezistencës kombëtare, udhërrëfyesi dhe zëri i ndërgjegjes popullore, mbrojtësi i të drejtave dhe lirive të pakicave jo-shqiptare, liridashësi dhe atdhetari, vizionari dhe shkrimtari i dalluar, Adem Demaçi.

Nuk është lehtë që me pak fjalë të përshkruhet vepra madhështore, flijimi altruist dhe puna e palodhshme e të çmuarit Adem Demaçi i cili nuk u përkul, nuk u thye dhe nuk u dorëzua para asnjë sfide, para asnjë vështirësie dhe dhimbjeje edhe pse, në jetëshkrimin e tij shënohen plot 28 vite të kaluara në burg dhe nën presion politik. Por, ai e kishte gjithmonë shikimin larg, gjithmonë kah ardhmëria më e ndritur, për kombin, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme. Nuk u ndal kurrë së menduari për atë se si të ndërtohet një shtet i pavarur, demokratik, i barabartë me shtetet përreth dhe me gjerë, shtet juridik në të cilin do të sundojë e drejta për të gjithë njësoj, pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, gjuhësore, gjinore apo klasore. Shtet në të cilin nuk do të ekzistojë hakmarrja e gjakut, vëllavrasja dhe urrejtja ndaj të ndryshmit.

Vepra e të respektuarit Adem Demaçi, përveç nga institucionet vendore,  ku është shpallur "Hero i Kombit", është vlerësuar lartë edhe nga institucionet botërore. Parlamenti Evropian ia ka ndarë "Çmimin Sakharov për lirinë e të folurit" me të cilin nderohen individë dhe grupe njerëzish të cilët ia kanë përkushtuar jetën mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe Lirisë të të menduarit.

Ndarja e të çmuarit Adem Demaçi nga jeta është humbje e madhe për të gjithë shqiptarët, për të gjithë njerëzit liridashës dhe atdhetarë, por edhe për gjithë njerëzimin që e vlerëson lartë lirinë dhe barazinë mes njerëzve anembanë botës. Largimi i tij nga kjo botë është i hidhur për familjarët e tij të afërm, për bashkëpunëtorët e tij të afërm, për bashkëqytetarët por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që të jenë.

Qëndroni të fortë familje e nderuar, qëndroni krenar për çastet e përbashkëta që i keni pasur sepse, ndarja është vetëm ndarje fizike. Personaliteti i tij unik është i paharrueshëm dhe i pazëvendësueshëm dhe vepra e tij madhështore nuk do të harrohet kurrë. Do të jetë trashëgimi dhe porosi që do e ruajmë, vlerësojmë, çmojmë dhe nderojmë, por edhe do e vazhdojmë të gjithë ne që në mënyra të ndryshme, nga pozitat që i kemi në periudha të caktuara, kemi ndikim mbi zhvillimet dhe rrjedhat shoqërore në vendet tona.

Prehu në paqe i nderuar!
Lavdi përgjithmonë!

Faleminderit për vëmendjen!

Click