Aktivitetet

E enjte, 20 shtator 2018 

Fjala përshëndetëse e kryetarit Xhaferi në Konferencën e liderëve të ri në temën "Tejkalimi i zbrazëtirës ndërmjet të rinjve dhe politikës"

I nderuar nënkryetar i Parlamentit Evropian, z. Fabio Masimo Kastalldo,
Të nderuar kolegë deputetë të Parlamentit Evropian, deputetë të parlamenteve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë,
Të nderuar përfaqësues të forumeve, këshillave rinorë,
Shkëlqesi, 
Zonja dhe zotëri,

Më lejoni që në fillim, të gjithë mysafirëve tanë, tu uroj qëndrim të këndshëm në Shkup, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe gjithsesi tu uroj punë të suksesshme në konferencën që fillon sot dhe në të cilën, sipas titullit të punës, "Tejkalimi i zbrazëtirës", do të debatohet për Dialogun në nivel të lartë për pjesëmarrjen politike të të rinjve dhe politikave rinore me deputetët e Ballkanit Perëndimor. Respektivisht, si të inkuadrohen të rinjtë në punën e parlamenteve tona, si ti artikulojnë më lehtë interesat e veta dhe si bashkërisht të krijojmë dhe realizojmë politika rinore më cilësore. Në esencë, kjo konferencë do të duhet të jetë një lloj i vazhdimësisë ose nëse preferoni, mbindërtimit të konferencës që u mbajt në korrik të vitit të kaluar në Trieste. 

Të gjithë e kemi të njohur thënien se, bota u mbetet të rinjve. Mirëpo, parashtrohet pyetja, sa jemi ne më të moshuarit të gatshëm të kemi dialog të vërtetë me të rinjtë, sa i kuptojmë ne interesat dhe nevojat e tyre. Në sociologji, kjo definohet si zbrazëtirë gjeneratash ose popullore "gep" e cila ka ekzistuar gjithmonë dhe është e pranishme në pothuajse gjithë shoqëritë. Për atë se sa e thellë është zbrazëtira ndërmjet gjeneratave në një shtet, gjegjësisht shoqëri dhe si kjo të tejkalohet, varet prej zhvillimit demokratik në shtet, prej gatishmërisë së elitave politike për dialog, nëse preferoni edhe nga respektimi i vërtetë i të drejtave dhe lirive njerëzore. Një nga pyetjet themelore që parashtrohet kur bëhet fjalë për të rinjtë te ne, a ngjashëm është edhe në rajon, është punësimi. Kjo është pyetje e cila ka implikime shumëdimensionale edhe atë, ekonomike, sociale, po edhe demografike. Më tutje, arsimi është gjithashtu një nga çështjet kryesore kur bëhet fjalë për të rinjtë. Për rajonin tonë është shumë i rëndësishëm edhe mobiliteti, respektivisht bashkëpunimi më i madh i të rinjve në të gjitha fushat, me ç'rast në një mënyrë tejkalohen disa paragjykime dhe stereotipa historikë të cilët mundet më shumë janë ngurosur te gjeneratat më të moshuara. Besoj se për gjithë këto pyetje,  dilema dhe sfida do të dëgjojmë gjatë konferencës ide, zgjidhje, por edhe metodologji të reja dhe para së gjithash konstruktive, për atë se si të vendosim dialog të vërtetë dhe si të arrijmë përfshirje më të madhe të të rinjve në krijimin e politikave përkatëse, të cilat mandej do të zbatohen nëpërmjet procesit ligjvënës. 

Të nderuar miq,

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë para një viti, duke e ndjekur përvojën e Parlamentit Evropian, por edhe të disa parlamenteve tjera në Evropën Perëndimore, u formua Klubi për Çështje dhe Politika Rinore. Klubi është trup joformal, ku bëjnë pjesë deputetë të gjeneratave më të reja, të gjitha partive parlamentare. Edhe pse bëhet fjalë për trup joformal, klubi veç më shfaqet si lobi grup i fuqishëm nëpërmjet të të cilit të rinjtë dhe organizatat rinore mund ti artikulojnë interesat e veta. Dhe, veç më kemi edhe rezultate konkrete nga ky trup joformal por siç thashë lobi i fuqishëm rinor. Gjegjësisht, është formuar grup pune i cili punon në mënyrë intensive në përgatitjen e Ligjit për të rinjtë. Është grup pune i cili në fakt punon në katër nëngrupe të përbëra prej deputetëve nga Klubi i Çështjeve dhe Politikave Rinore, mandej përfaqësues nga organizatat civile rinore, përfaqësues nga Qeveria dhe Agjencia për të Ri dhe Sport, si edhe përfaqësues të të rinjve të partive politike. Sa jam informuar, pritet që deri në fund të vitit ky ligj, si propozim i të gjithë deputetëve të hyjë në procedurë kuvendare.

Të nderuar,

Me këtë rast, dëshiroj të theksoj edhe një dimension shumë të rëndësishëm. Respektivisht, pikërisht gjeneratat e reja, së paku sipas hulumtimeve, janë edhe mbështetësit më të mëdhenj të realizimit të qëllimeve tona strategjike, dhe ato janë anëtarësimi  në NATO dhe BE.

Këtë  e përmend për arsye se si shtet dhe si shoqëri, jemi të drejtuar para një vendimi me të vërtetë historik. Gjegjësisht, e dini se më 30 shtator kemi referendum në të cilin qytetarët do të duhet të prononcohen nëse janë për Maqedoninë Evropiane. Jam i bindur se të rinjtë, natyrisht ato me të drejtë vote, pa dallim në përkatësinë etnike, fetare apo politike, masovikisht do të deklarohen PËR në referendum dhe me këtë edhe për përcaktimin tonë strategjik për integrim të tërësishëm në NATO dhe BE. Gjegjësisht, do të përcaktohen për ardhmëri më të mirë për to këtu në vend, por në të njëjtën kohë edhe për dyer gjerë të hapura për Bashkimin Evropian, me mundësi për përfitimin e njohurive dhe përvojave të reja dhe cilësore. Të ngjashëm janë edhe interesat e të rinjve në rajonin tonë, prandaj do të jetë interesant të dëgjohet përvojat e shteteve tjera në rajon. Gjithsesi, si edhe për shumë çështje tjera, presim nga kolegët eurodeputetë, si edhe nga nënkryetari i Parlamentit Evropian, z. Fabio Masimo Kastalldo i cili është edhe shef i programit për liderë të ri politikë, të na prezantojnë ato politika dhe përvoja pozitive të cilat do të mundemi relativisht shpejtë ti zbatojmë te ne, por edhe në rajon më gjerë.

Më lejoni në fund edhe njëherë, të gjithë pjesëmarrësve tu uroj punë të suksesshme dhe gjithsesi qëndrim të këndshëm në Republikën e Maqedonisë.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click