Aktivitetet

E diel, 16 Stator 2018

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonise në Marshin për Maqedoninë Evropiane

I nderuar kryeministër Zaev,
Të nderuar qytetarë,

Sot jemi këtu bashkë që të dërgojmë një mesazh të fuqishëm mbi domosdoshmërinë e këtij procesi, që pritet të kurorëzohet me referendumin e 30 shtatorit, ku vetëdija jonë si qytetarë, por edhe si prind e fqinjë do të ketë kuptim më të plotë, për arsye se atdheu ynë i përbashkët – Maqedonia, përfundimisht po rreshtohet në familjen e popujve të qytetëruar, si në aspektin politik e ekonomik, gjithashtu edhe në atë të sigurisë.

Bashkë me kryeministrin Zaev, ne sot po shprehim publikisht bindjen tonë se 30 shtatori është një gur kilometrik që rrugëtimit tonë si shtet i jep dinamikë më të madhe. Por kjo nuk do të mund të realizohej pa një afirmim ndërkombëtar të përpjekjeve tona të sinqerta për tu bërë edhe ne pjesë e proceseve globale të sigurisë dhe mirëqenies ekonomike e sociale.

Qytetarët e Maqedonisë duhet ta shënojnë 30 shtatorin si ditë feste në kalendarin e tyre, për arsye se ne si shoqëri dhe si shtet, po hyjmë në një epokë të re, në një epokë ku vlerat humane janë pikë referimi i të gjitha zhvillimeve, si në planin lokal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Këtyre ditëve patëm shumë mysafirë nga qendra të ndryshme të vendosjes dhe presim  që edhe në ditët në vijim të jemi në fokusin e miqve tanë ndërkombëtarë. A mund ti mbyllim sytë para këtij interesimi kaq intensiv të diplomacisë botërore dhe, cili nga ne mund ta mohojë kontributin e klasës aktuale politike në ngritjen e çështjeve tona që lidhen drejtpërdrejtë me të ardhmen e vendit tonë.

Tejkalimi i kontestit me Greqinë dhe përmirësimi i klimës së bashkëpunimit me të gjithë fqinjët, ishte dhe do të mbetet prioritet i politikave tona afatgjata, kurse referendumi që pritet të mbahet më 30 shtator i konfirmon përpjekjet tona për një filozofi të re politike që keqkuptimet e së kaluarës, ti kthejmë në ura bashkëpunimi e mirëkuptimi me fqinjët.

Republika e Maqedonisë është produkt i bashkëjetesës së rrethanave historike në mes popujve që kishin vendosur të jetojnë pikërisht këtu, dhe gjeneratat tona, ku bëjmë pjesë unë dhe kryeministri Zaev, jemi të vetëdijshëm për përpjekjet e përbashkëta që shteti ynë ti tejkalojë të gjitha sfidat e brendshme, por edhe ti refuzojmë të gjitha shantazhet nga jashtë, në mënyrë që një ditë, të dalim para botës së qytetëruar sa më dinjitoz. Dhe kjo ditë po vjen. Me referendumin kemi një shans të madhe që ta konfirmojmë zgjuarsinë tonë për një të ardhme më të ndritur, kurse të gjithë atyre që ende hezitojnë, ju themi bashkëngjituni karvanit të madh të fitimtarëve të kauzës evropiane, sepse kjo është kauza e vetme që sjell më shumë bursa për fëmijët tanë, më shumë pensione për pleqtë tanë, më shumë të ardhura për punëtorët tanë dhe përfundimisht, më shumë perspektivë dhe zhvillim.    

Nëse në këtë vend, shtetin tonë të përbashkët, që nga pavarësia, në periudha të ndryshme ka pasur çështje që na kanë ndarë apo kemi pasur pikëpamje të ndryshme, anëtarësimi në NATO dhe BE, do të jetë kohezioni jo vetëm ndëretnik por edhe ndërpartiak, ndërshoqëror dhe ndërfetar për një perspektive të përbashkët.

Prandaj anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO dhe BE kanë qenë, janë dhe do të mbesin përcaktimi ynë strategjik, përcaktim për të cilin gjithmonë, të gjithë qytetarët, të gjithë faktorët politikë të cilët e kanë gëzuar besimin e qytetarëve, pa marrë parasysh dallimet, gjithmonë kanë qenë të bashkuar dhe unanim. Në periudhën e kaluar, arritja e qëllimit të dëshiruar duket sikur vazhdimisht na shpëtonte dore, dukej afër që mandej përsëri të zhdukej në horizont. Mirëpo, tani ka ardhur koha e vërtetë të gjithë bashkë, masovikisht, guximshëm, të nisim në këtë rrugëtim të përbashkët që do na sjellë deri te qëllimi i dëshiruar, për arsye se ai bashkim na bën ta ndjejmë fuqinë e integrimeve globale, ku ne si shtet, si qytetarë, me të gjitha vlerat, veçoritë dhe synimet tona, duhet gjithsesi të jemi të pranishëm. 

Them që tani ka ardhur koha e realizimit të kësaj përpjekjeje gati 30 vjeçare për anëtarësim në NATO dhe BE. Qeveria aktuale, me një kurs të qartë reformator dhe gjithë institucionet shtetërore po punojnë në frymën e rekomandimeve dhe sugjerimeve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që në fund të qershorit të vitit të ardhshëm të jemi të gatshëm me përmbylljen e të gjitha kapitujve për anëtarësim në BE.

Ndër vendet që shpresojnë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Maqedonia është me mundësi të mëdha. Siç e dini, Maqedonia brenda një viti pritet të përfundojë procesin për vlerësimin e përmbushjes së reformave, apo siç quhet dhe ndryshe procesi i skriningut, përkatësisht ky proces duhet të përfundojë para fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE, në qershor të vitit të ardhshëm. Dhe, jam shumë i vetëdijshëm se kësaj do t’ia dalim bashkërisht, jo vetëm duke dalë masovikisht për të votuar PËR, por edhe duke marrë përsipër përgjegjësi në mënyrë që përmes procesit të skriningut, të kontrollohet edhe niveli i gatishmërisë së vendit tonë që të zhvillojë negociata.

Kompromisi me Greqinë dhe anëtarësimi në BE dhe në NATO, e determinon shtetësinë e Maqedonisë, por edhe identitetin e maqedonasve që disa nga fqinjët jo rrallë herë janë munduar ta vënë në dyshim dhe i dekurajon të gjitha ato forca dhe individë që kishin synim ta mbanin Maqedoninë të mbërthyer në mitet e së kaluarës. Guximi për të ardhur te kompromisi është edhe kufiri që i dallon politikanët në ata që ushqehen me mite e legjenda dhe në ata që luftojnë për  kauzën evropiane. Dhe ne si formacion politik, natyrshëm u rreshtuam pas kauzës evropiane, duke qenë thellësisht të bindur se vetëm një Maqedoni evropiane i bën të lumtur të gjithë. 

Jam shumë i bindur se ne do të jemi edhe më të lumtur pas 30 shtatorit, kurse ora e historisë do të trokasë edhe në ndërgjegjen e atyre që pa ndonjë arsye racionale hezitojnë ti thonë Po proceseve eurointegruese të vendit. Ne mund të kuptojmë ndonjë politikan të pushtetit të kaluar, që për arsye personale është kundër këtyre proceseve pozitive por, do të ishte e pafalshme që peng i këtyre personave të jenë edhe më shumë njerëz. Prandaj, jemi këtu që t’i inkurajojmë ata që të vijnë me ne, sepse do ta bëjnë zgjedhjen e duhur. Ata do të zgjedhin perspektivë në vend të izolimit, do të zgjedhin zhvillim në vend të stagnimit dhe përfundimisht, do të zgjedhin të jetojnë në një shtet i cili shumë shpejt do të jetë nën ombrellën e vlerave kolektive të sigurisë dhe prosperitetit ekonomik e social. 

Vendimi për ti thënë PO ardhmërisë, është në duart tona. Gjatë historisë popujt, përfshirë edhe Maqedoninë dhe popujt e saj, nuk kanë mundur të vendosin lirshëm për fatin e tyre. Tani e kemi një shans. Tani e kemi Referendumin dhe vendimi për ti thënë po integrimeve euro-atlantike, duke tejkaluar kontestin disa dekadash me Greqinë, është vendim që merret rrallë, por që është gurëthemeli që stabilizon të ardhmen tone të përbashkët.

Vendi ynë meriton ti përjetojë efektet që i sjell procesi euro-integrues, kurse të gjithë ne së bashku, meritojmë të jemi bashkudhëtarë të këtij procesi. Janë të shumta arsyet që më shtyjnë të mendoj kështu, por po i përmendi vetëm tri:

  • E para – vetëm në një shtet që është anëtar i BE-së dhe NATO-s, kultivohen vlerat civilizuese të bashkëjetesës kulturore, etnike e fetare.
  • E dyta – vetëm në një shtet që është anëtar i  BE-së dhe NATO-s, askush nuk guxon ta mohojë identitetin etnik, gjuhësor e fetar.
  • E treta – vetëm në një shtet që është anëtar i BE-së dhe NATO-s, të gjitha vështirësitë tejkalohen përmes solidaritetit kolektiv.

Ju ftoj të festojmë në mbrëmjen e 30 shtatorit dhe t’iu dhurojmë gjeneratave pas nesh një Atdhe të dinjitetshëm, një Atdhe që nuk ka problem as me historinë, as me gjeografinë, dhe një Atdhe që është i përbashkët dhe i barabartë për të gjithë. 

Zgjedhja ime është, votoj PËR Maqedoninë evropiane!   

Ju falënderoj të gjithëve!


Click