Aktivitetet

E premte, 4 maj 2018

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi në hapjen e edicionit të katërt të Javës evropiane "Dita e Evropës", e organizuar nga Instituti për Studime Ndërkombëtare dhe Politike, në komunën e Çairit 

I nderuar nënkryetar i Qeverisë,  z. Osmani, 
I nderuar kryetar komune, z. Ganiu,
Studentë të dashur,
Zonja dhe zotëri,

Më vjen mirë që sot gjendem këtu mes jush, në hapjen e edicionit të katërt të "Ditës së Evropës", eveniment i cili mbahet çdo vit në muajin maj dhe ku kremtohet paqja dhe uniteti në Evropë. Është datë e cila e shënon përvjetorin e "Deklaratës historike të Shumanit", ndërsa Shumani, e dimë të gjithë, është njëri nga baballarët e Bashkimit Evropian të sotëm. Ai ka pasur vizion për një formë të re të bashkëpunimit politik në Evropë, formë me të cilën do të parandaloheshin konfliktet e mëtutjeshme ndërmjet popujve në Evropë. Propozimi i tij për një institucion të atillë evropian konsiderohet si fillimi i asaj që sot është Bashkimi Evropian. Ai është shembull pozitiv i cili mbijeton me vite dhe është frymëzim për të gjitha vendet që dëshirojnë të zhvillohen në frymën demokratike, me respektimin e të drejtave individuale dhe kolektive të qytetarëve.  
Republika e Maqedonisë, qysh në vetë fillimin e pavarësimit të vet, qartë dhe pa mëdyshje e nënvizoi rrugën e vetë dhe i përcaktoi prioritetet e veta strategjike. Një prej tyre është anëtarësimi i plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe për këtë, kemi mbështetje të padyshimtë nga të gjithë qytetarët. Mbështetja do të thotë inkurajim për këmbëngulje, do të thotë besim se jemi në rrugën e vërtetë dhe mbi të gjithat, do të thotë përgjegjësi për të gjithë ato që në cilëndo mënyrë munden dhe janë të thirrur të punojnë në drejtim të përmbushjes së atij qëllimi, me një qëllim të vetëm, të kemi vend ekonomikisht stabil, të sigurt në aspektin e sigurisë por edhe atraktiv në kontekstin rajonal dhe më gjerë për një jetë dhe punë dinjitoze të qytetarëve tanë, një fqinj i mirëseardhur me politikë rajonale qëllimmirë, dhe partner i preferuar në nismat rajonale dhe globale. Edhe pse në rrugëtimin tonë hasim në vështirësi të ndryshme të cilat e vështirësojnë arritjen e këtij qëllimi, për arsye se reformat kurrë nuk janë punë e lehtë dhe asnjëherë nuk rrjedh gjithçka aq lehtë siç shkruhet përsëri, jemi të bindur në një gjë dhe kjo është se, ardhmëria e vendit tonë është në familjen evropiane, me vlera të ndërtuara evropiane, atje ku edhe takojmë sipas civilizimit. 

Zonja dhe zotëri, 

Marrja e Raportit më të ri pozitiv dhe të pakushtëzuar për përparimin e Republikës së Maqedonisë nga Komisioni Evropian, jo vetëm që është vërtetim dhe njohje e përpjekjeve tona të deritanishme por është obligim edhe më i madh për dyfishimin e angazhimeve tona, për arsye se vetëm atëherë, rezultatet nuk do të mungojnë. Plani 3-6-9 i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë është plan për të gjithë ne, plan për të cilin punojmë, bashkëpunojmë dhe kontribuojmë të gjithë së bashku, edhe Kuvendi, edhe Qeveria, edhe sektori joqeveritar, ndërsa me miratimin e ligjeve të fundit reformuese, mund të them pa hezitim se edhe opozita e jep kontributin e vet për këtë agjendë reformuese. Me këtë rast, doemos duhet ta përmend ndihmën e madhe dhe altruiste të miqve tanë ndërkombëtarë, të cilët janë gjithmonë aty të na këshillojnë, të na sugjerojnë, por kuptohet edhe të na kritikojnë me qëllim të mirë atëherë kur nuk jemi në vijë të njëjtë me prioritetet tona. Së këndejmi, dua që publikisht të shpreh falënderim ndaj tyre.

Në fund, dua ti përuroj të gjithë studentët të cilët morën pjesë dhe gjithsesi atyre që fituan në garën për shkrimin e esesë për Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht, tu uroj edhe atyre por edhe të gjithë të rinjve dhe të gjithë qytetarëve të vendit tonë, ëndrra për Evropën të shndërrohet në realitet për të gjithë ne!

Ju faleminderit për vëmendjen.

Click