Aktivitetet

E hëne, 26 shkurt 2018 

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, në Konferencën ndërparlamentare me temën: Fuqia e qeses

Zonja dhe zotëri,
Të nderuar kolegë deputetë,
Shkëlqesi, 

Më paraqet kënaqësi të veçantë që sot, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë kam mundësi ta përshëndes këtë plenum të respektuar dhe t’ju uroj mirëseardhje në shtëpinë tonë ligjvënëse. Është nder të jemi mikpritës të kësaj Konference ndërparlamentare në të cilën marrin pjesë deputetë të vendeve kandidate për anëtarësim në BE dhe numër i konsiderueshëm i eurodeputetëve. Konferenca ka titull me të vërtetë sfidues: “Fuqia e qeses: Autorizimet buxhetore dhe procedurat e Parlamentit evropian”, dhe në të njëjtën, kolegët tanë deputetë nga Parlamenti evropian do na i prezantojnë procedurat dhe autorizimet gjatë kontrollit të buxhetit të Bashkimit Evropian. Gjatë Konferencës së punës prej para do kohe në Villton Park në të cilën debatohej për “Ndërtimin e parlamentit efikas dhe të pavarur të Republikës së Maqedonisë”, vëmendje e veçantë iu kushtua pavarësisë buxhetore të Kuvendit, si edhe kontrollit, respektivisht rolit mbikëqyrës të Kuvendit mbi harxhimin e parave popullore, gjegjësisht Buxhetit. Mendoj se të gjithë do të pajtohemi se pa kontroll efikas të parlamentit mbi buxhetin ose, nëse dëshironi qeses shtetërore, nuk mund të flasim për demokraci të vërtetë parlamentare, respektivisht, për kontroll mbi pushtetin ekzekutiv. Në fakt, pa kontroll efikas mbi buxhetin, pushteti ekzekutiv bëhet i fuqishëm, ngritet mbi dy degët tjera të pushtetit dhe tjetërsohet prej shoqërisë dhe qytetarëve. Kjo krijon kushte shumë të volitshme për përhapjen e korrupsionit. A, prej korrupsionit kanë dobi vetëm një rreth shumë i ngushtë i elitave politike dhe të biznesit, ndërsa pasojat negative i ndjejnë qytetarët, edhe atë në të gjitha sferat e jetës shoqërore. 

Zonja dhe zotëri, 

Në Republikën e Maqedonisë, nëse e shohim aspektin normativ, dhe këtu i kam ndërmend ligjet përkatëse të kësaj problematike, si edhe Rregulloren e Kuvendit dhe mundësitë që i jep për kontrollin parlamentar mbi buxhetin, mundet edhe nuk jemi aq keq. Respektivisht, ekzistojnë më shumë mekanizma dhe forma për këtë. Ta përmend vetëm rolin e Komisionit për Financa dhe Buxhet gjatë miratimit të Buxhetit, si edhe gjatë miratimit të rebalancëve të buxhetit. Por, roli i Komisionit për Financa dhe Buxhet nuk përfundon me kaq. Sipas Rregullores, Komisioni mundet edhe nëpërmjet formave tjera të bëjë kontroll mbi buxhetin edhe atë si mbi hyrjet në arkën shtetërore, ashtu edhe mbi mënyrën se si harxhohen, shikuar sipas veprimtarive të caktuara. 

Më tutje, Kuvendi bën kontroll mbi buxhetin gjatë shqyrtimit dhe miratimit të llogarisë përfundimtare të Buxhetit që Qeveria është e obliguar ta parashtrojë deri më 30 qershor çdo vit. Ky kontroll është i mundshëm edhe përmes institutit Pyetje deputetësh, mandej nëpërmjet shqyrtimit të raportit vjetor të Entit Shtetëror të Revizionit, deri në mundësinë për debate mbikëqyrëse. Por, mbet e hapur çështja, sa si Kuvend i shfrytëzojmë në mënyrë efikase këto mundësi të rregullores dhe mundësi ligjore për kontroll, si gjatë grumbullimit, ashtu edhe gjatë harxhimit të parave të qytetarëve. 

Dhe, nëse jemi sadopak autokritik, do të pranojmë se kur bëhet fjalë për rolin mbikëqyrës në përgjithësi të Kuvendit mbi pushtetin ekzekutiv, a sidomos kur bëhet fjalë për kontrollin mbi harxhimin  nga qesja shtetërore, ne ngecim në krahasim me atë që është praktikë e zakonshme në shtetet demokratike lartë të zhvilluara. Mos harrojmë se, qytetari është ai që e mbush buxhetin si obligues tatimor, si konsumator dhe si sipërmarrës. Gjithashtu, mos harrojmë se pikërisht me legjitimitetin që na jep vota e tij, ne rrimë ulur në këto banka kuvendare dhe jemi të obliguar që në emër të tij të bëjmë mbikëqyrje të asaj se si harxhohen paratë e tij dhe për këtë ta informojmë edhe publikun në mënyrë transparente. Prandaj, rolin mbikëqyrës të Kuvendit mbi harxhimin e buxhetit dhe në përgjithësi mbi pushtetin ekzekutiv, nuk duhet ta shohim si edhe një udhërrëfyes ose bençmark nga Brukseli por, si një nga parimet themelore të demokracisë të shtetit juridik, bile nëse dëshironi edhe si vlerë demokratike. Jam i bindur se pas përfundimit të kësaj konference, jo vetëm që do të dëgjojmë dhe mësojmë diçka, hajde të themi diçka të re, siç janë për shembull “Zyrat e specializuara buxhetore” por, do të dimë se si në mënyrë konsekuente këtë edhe ta zbatojmë në përforcimin e mëtutjeshëm të kapacitetit demokratik dhe parlamentar të Kuvendit, a me këtë në mënyrë direke edhe mbi proceset demokratike në shoqëri dhe në shtet. 

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click