Aktivitetet

E enjte, 10 maj 2018

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi në Panel - diskutimin me temën: Roli i etikut parlamentar në zbatimin dhe respektimin e Kodit etik në Parlamentet e Asamblesë Nacionale të Republikës së Francës 

Të nderuar kolegë deputetë,
Shkëlqesi, 
Të nderua përfaqësues të mediumeve, 
Zonja dhe zotëri, 

Më lejoni që në fillim të shpreh kënaqësi dhe mirënjohje ndaj ambasadorit të Republikës së Francës në Maqedoni, z. Kristijan Timonie për bashkëpunimin e deritanishëm dhe para së gjithash, për ndihmën profesionale të cilën e pranojmë si Kuvend nga kolegët tanë francezë dhe në përgjithësi nga shteti francez. Në kuadër të atij bashkëpunimi të gjerë është edhe Panel diskutimi i sotëm në të cilin i respektuari z. Ferdinand Melen - Sukramanien, profesor i të drejtës dhe etik i mëparshëm në Asamblenë Nacionale të Republikës së Francës, do na e prezantojë rolin dhe punën e etikut në Asamblenë Nacionale të Republikës së Francës, respektivisht Kodin etik sipas të cilit edhe sillen kolegët tanë francezë gjatë mandatit të tyre. Duke e marrë parasysh se demokracia parlamentare te ne është relativisht e re, sidomos nëse krahasohemi me shumë shtete në Evropë dhe më gjerë, nuk ka dyshim se roli i etikut parlamentar për shumicën prej nesh është relativisht e panjohur. Sërish, jemi të hapur për bashkëpunim dhe për mësim nga përvoja e atyre që moti e kanë kaluar rrugën e ndërtimit të demokracisë së vërtetë parlamentare. Në ato suaza të proceseve dhe standardeve demokratike është edhe ideja për nxjerrjen e Kodit për sjelljen etike të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Ky Kod i cili për momentin është në fazën e projekt dokumentit, ka për qëllim ta rrisë besimin e qytetarëve dhe opinionit në vlerat themelore dhe integritetin e funksionit deputet si individ. Me këtë, do të rritet edhe besimi në Kuvendin si organ përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe bartës i pushtetit legjislativ. 

Kolegë të nderuar, 

Që të jetë shtëpia ligjvënëse funksionale dhe para së gjithash, në dobi të qytetarit si individ dhe shoqërisë në tërësi, nevojitet vendosje e normave etike, standardeve dhe rregullave  të cilat do të shndërrohen në përditshmërinë tonë, pa dallim nëse jemi në pushtet apo opozitë. Ato do të jenë vlera me të cilat do e arsyetojmë besimin të cilin e kemi fituar prej qytetarëve. Pikërisht për këtë, vendimi i ynë i përbashkët është të nxirret Kodi etik dhe besoj se panel diskutimi i sotëm do të jetë ndihmë e vërtetë në drejtim të asaj se si të jetë kodi ynë në nivel të kodeve që sot i kanë parlamentet e Francës dhe Gjermanisë, respektivisht shumica e shteteve evropiane me traditë shumëvjeçare të demokracisë parlamentare. 

Zonja dhe zotëri, 

Demokracia parlamentare dhe në përgjithësi parlamentarizmi bie mbi shumicën parlamentare dhe opozitën. Në esencë, ato janë edhe oponentë politikë të cilët në parlament, nëpërmjet programeve të veta luftojnë për fitimin e besimit të qytetarëve. Ndonjëherë ai besim është më i lartë, ndonjëherë më i ulët, në varësi nga ajo edhe formohet përbërja e re parlamentare dhe qeveritare. Megjithatë, pa dallim në funksionin, normat etike dhe integriteti i deputetit, i ministrit, ose po personit të zgjedhur ose emëruar janë para së gjithash, dhe mbi të gjitha, prioritet dhe udhërrëfyes për kryerje profesionale, përgjegjëse dhe të ndërgjegjshme të detyrës së besuar. Të gjithë ne duhet doemos të jemi t[ë vetëdijshëm se këtu jemi për qytetarët, këtu jemi për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, për vendosjen e besimit të ndërsjellë në ne dhe në institucionet që i përfaqësojmë, dhe këtë duhet ta bëjmë me dinjitetin më të madh.  

Ndërtimi i demokracisë parlamentare nuk është detyrë e lehtë asnjëherë. Ndonjëherë ndodhin edhe ngjarje për të cilat dëshirojmë kurrë të mos kishin ndodhur ose po ngjarje për të cilat publiku vendor dhe bashkësia ndërkombëtare do e drejtojnë gishtin kah ne. Unë, në cilësinë e kryetarit ë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, që në fillimin e mandatit tim deklarova se nuk do të lejoj të përsëriten ngjarjet negative nga periudha e kaluar, ngjarje të cilat lanë njollë të errët në historinë e ndërtimit të demokracisë sonë parlamentare të re. Për këtë nevojitej përpjekje mbinjerëzore dhe punë jashtëzakonisht e madhe mirëpo, me angazhimin e pashtershëm të të gjithë aktorëve politikë, sot mund të them se arritëm të kthehemi kah vlerat dhe standardet e vërteta demokratike të cilat nevojiten që të vendoset dialog i vërtetë politik dhe harmonizim i qëndrimeve për bërjen e reformave të duhura për të arritur atje ku e kemi përcaktimin tonë strategjik që nga pavarësimi, dhe kjo është anëtarësimi i plotfuqishëm në BE dhe në NATO. Këtë ua kemi borxh të gjithë atyre që besojnë në ne, qytetarëve tanë, fëmijëve tanë, gjeneratave të ardhshme dhe Republikës së Maqedonisë. 

Besoj se nëpërmjet panel diskutimit të sotëm, sidomos përmes prezantimit të profesorit të respektuar Sukramanien, do të mund të dëgjojmë gjëra me të vërtetë interesante në kontekst të asaj se cili është roli i etikut parlamentar në zbatimin dhe respektimin e Kodit etik në Parlamentet në përgjithësi dhe si zbatohet ai në Asamblenë Nacionale të Republikës së Francës, dhe e gjithë kjo do të jetë në dobi të asaj se çfarë Kodi etik, dëshirojmë edhe ne. 

Ju faleminderit për vëmendjen! 

Click