Aktivitetet

E premte, 6 korrik 2018, Strugë 

Fjalimi i kryetarit Xhaferi me rastin e hapjes së Festivalit të 27-të të këngëve të përpunuara dhe stilizuara "Këngë jeho"

I nderuar ministër i Kulturës, z. Ademi,Shkëlqesi,
I nderuar kryetar i Komunës së Strugës,
Të nderuar organizatorë,
Pjesëmarrës në Festival,
Miq të dashur, dashamirë të këngës dhe valles popullore,
Të nderuar struganë dhe mediume,

Kam kënaqësinë që në këtë mbrëmje të bukur gjendem këtu, në Strugën buzë Drinit të Zi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, i rrethuar me ju, adhuruesit e këngës dhe valles së bukur popullore.

Festivali tradicional i këngëve të përpunuara dhe të stilizuara "Këngë jeho" edhe këtë vit, për të 27-tën herë i tubon artistët e shquar anembanë trevave shqiptare të cilët në skenën e hapur do i shpalosin vlerat artistike, koreografike, kostumografe si edhe etnokulturore kombëtare shqiptare.

Këtë vit, jam krenar edhe për faktin se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, është mbështetës i këtij evenimenti kulturor i cili është vlerë e shtuar në ofertën kulturore verore të këtij qyteti i cili frymon dhe jeton me këngët, folklorin dhe vallet që janë kategori civilizuese universale, respektivisht janë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ato përfaqësojnë edhe elemente të rëndësishme që e definojnë, ruajnë dhe zhvillojnë identitetin kombëtar.

Dhe këtu, sonte, do të mund ti ndjekim me kënaqësi të madhe vlerat të cilat paraardhësit tanë kanë arritur ti ruajnë ndër shekuj, i kanë zhvilluar dhe kanë arritur ti transferojnë te gjeneratat e reja si pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe kulturor por, tani të përpunuara dhe të stilizuara. 

Dhe tani, pa humbur shumë kohë, u uroj të gjithë pjesëmarrësve qëndrim mbresëlënës në Strugën mahnitëse, ndërthurur me këngë dhe valle të bukura, me besim dhe shpresë se në zemër do e ruajnë kujtimin për bukurinë e pafund të Strugës dhe Drinit të Zi, ndërsa mysafirëve dhe qytetarëve të Strugës u dëshiroj dëgjim dhe ndjekje të këndshme të të tre netëve të festivalit dhe me këtë rast -  e shpall të hapur Festivalin tradicional të 27-të të këngëve të përpunuara dhe stilizuara me dëshirë që të jetojë dhe përjetojë edhe shumë kremtime!

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click