Aktivitetet

E mërkurë, 30 maj 2018

Fjalimi i kryetarit Xhaferi me rastin e Shënimit solemn të 20 vite Avokati i Popullit në Republikën e Maqedonisë 

I nderuar kryeministër i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, z. Zoran Zaev,
I nderuar Avokat i Popullit Memeti, 
Shkëlqesi, 
Zonja dhe zotëri,

Të drejtat dhe liritë e njeriut janë parime dhe standarde mbi të cilat ndërtohet e tashmja, ndërsa unë mendoj edhe ardhmëria e civilizimit njerëzor. Pikërisht për këtë, në çdo shoqëri demokratike, në çdo shtet demokratik në të cilin kemi sundim të të drejtës, këto të drejta mbrohen dhe mbindërtohen. 

Në suazat e asaj mbrojtjeje të të drejtave dhe lirive të njeriut, në vitin e largët 1809, fjala Ombudsman që në fakt është fjalë suedeze dhe në përkthim të lirë do të thotë "personi për ankesa", për herë të parë përdoret në domethënie bashkëkohore të fjalës kur Parlamenti suedez e themelon zyrën Justitieombudsman  me qëllim që si institucion ti mbrojë qytetarët dhe të drejtat e tyre të cilat më së shpeshti cenohen pikërisht prej shtetit dhe institucioneve shtetërore.

Në Evropë, institucioni i ombudsmanit fillon të vendoset pas luftës së dytë botërore. Pas rënies së Murit të Berlinit, institucioni i ombudsmanit bëhet pjesë e sistemit juridik kushtetues në shtetet e Evropës së Mesme dhe Lindore, ndërsa te ne, ombudsmani, respektivisht avokati i popullit është themeluar para saktë njëzet viteve.

Në këto 20 vite, nëse e shohim pak statistikën, te Avokati i Popullit janë drejtuar mbi 123 mijë qytetarë. Kjo flet për atë se institucioni i Avokatit të Popullit te ne është bërë i njohur për qytetarët, ndërsa për punën e vet ka fituar edhe besim në opinionin më të gjerë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve, kur ato janë cenuar nga organet e administrimit shtetëror dhe organet dhe organizatat tjera që kanë autorizime publike.

Fakti që Avokati i Popullit, sipas Kushtetutës dhe ligjit nuk është pjesë as e pushtetit ekzekutiv, as e pushtetit ligjvënës apo atij gjyqësor, i siguron pavarësi të tërësishme vi-za-vi cilitdo institucioni shtetëror. Gjithashtu, është fakt se në këto njëzet vite të ekzistimit dhe punës, Avokati i Popullit u vërtetua si institucion profesional i pavarur dhe lartë profesional, i cili në punën e vet niset nga parimet e barazisë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, pa dallim në gjini, ngjyrë, racë, fe, përkatësi politike dhe ngjashëm.

Zonja dhe zotëri,

Të drejtat dhe liritë e njeriut janë kategori dinamike, por në të njëjtën kohë, edhe kategori shumë e cenueshme. Prandaj, do të ishte farsë në rast se mbrojtja e të drejtave njerëzore mbet vetëm në institucionin e Avokatit të popullit. Nuk dëshiroj të flas për institucionet tjera shtetërore por, si kryetar i Kuvendit kisha dashur që të ndaj ca mendime rreth vendit dhe rolit të parlamentit në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Gjithsesi se këtu është dimensioni legjislativ i parlamentit, gjegjësisht nxjerrja e ligjeve cilësore, veçanërisht kur ato prekin në sferën e të drejtave dhe lirive të njeriut. Më tutje, funksioni mbikëqyrës i Kuvendit duhet po ashtu të shfrytëzohet në funksion të mbrojtjes më të madhe të të drejtave të njeriut. Vetëm t'ju rikujtoj se, Kuvendi i cili e zgjedh avokatin e popullit dhe që çdo vit e shqyrton dhe e miraton raportin për punën e Avokatit të Popullit, pikërisht nëpërmjet atyre raporteve mund ta orientojë rolin e vet mbikëqyrës në mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave njerëzore. Dhe, kur veç më i përmenda raportet vjetore të Avokatit të popullit, mendoj se do të ishte mirë nëse ato raporte, pas miratimit në Kuvend, të bëhen njëfarë lloj doracaku në punën e çdo institucioni shtetëror, pa dallim nëse bëhet fjalë për pushtetin ekzekutiv ose gjyqësor. Më tutje, këto raporte sipas meje do të duhet të jenë edhe pjesë e literaturës profesionale në fakultetet e shkencave juridike dhe politike.

Përgjegjësi dhe rol të veçantë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka sektori joqeveritar, mandej mediumet dhe subjektet tjera shoqërore. Respektivisht, nevojitet që gjithë së bashku të punojmë në ngritjen e vetëdijes dhe përgjegjësisë të çdo individi dhe çdo institucioni se, të drejtat dhe liritë e njeriut duhet të respektohen, të mbrohen dhe zhvillohen, për arsye se ato janë themeli i demokracisë. Prandaj, edhe shënimi i sotëm solemn i njëzetvjetorit të themelimit të institucionit Avokati i Popullit, duhet të jetë para së gjithash nxitje për respektim shumë më të madh dhe më efikas të të drejtave dhe lirive të njeriut nga ana e institucioneve shtetërore. A me këtë, edhe kthim të besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit, pa dallim nëse bëhet fjalë për pushtetin ekzekutiv, legjislativ ose gjyqësor.

Në fund, dëshiroj që edhe njëherë t'ia uroj Avokatit të Popullit këtë jubile dhe të jap porosi në emër të Kuvendit si institucion dhe në emër të të gjithë 120 deputetëve se, ne do të jemi gjithmonë të hapur për çfarëdo nisme e cila do të vijë nga ana juaj a është në funksion të përforcimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click