Aktivitetet

Е premte, 2 gusht 2019, Pelincë

FJALIMI I KRYETARIT XHAFERI ME RASTIN E SHËNIMIT TË 2 GUSHTIT - DITËS SË REPUBLIKËS

Të nderuar ministra në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar kolegë të përbërjes aktuale dhe përbërjeve paraprake të Kuvendit,
Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të përgjithshëm të Armatës së RMV,
Përfaqësues të Kabinetit Presidentit të Republikës,
Të nderuar përfaqësues të Këshillit Kryesor të Lidhjes së Luftëtarëve të LAÇKM 1941-1945 dhe qytetarët vazhdues,
I nderuar vice-guvernator i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
I nderuar Avokat shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut - ASHAM,
Përfaqësues të pushtetit lokal,
Përfaqësues të partive politike në dhe jashtë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Shkëlqesi, përfaqësues të korit diplomatik në Republikën e Maqedonisë së Veriut,  dhe Përfaqësues të mediumeve,
Të nderuar qytetarë,
Zonja dhe zotëri,

Jam i nderuar që sot gjendem këtu para jush, si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe e kam këtë privilegj t'ju përshëndes dhe uroj mirëseardhje në emër të Kuvendit dhe deputetëve në dhomën legjislative, këtu para Qendrës Memoriale KAÇKM në Pelincë. Sot i shënojmë dy Ilindenët, 1903-ta - 116 vjetori i Republikës së Krushevës dhe 1944-ta, 75 - vjetori i Mbledhjes së KAÇKM, dy shtyllat mbi të cilat themelohet edhe shtetformimi i shtetit dhe mendoj se slogani që u përcaktua në mbledhjen e Këshillit Organizativ në Qeveri në koordinim me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut  dhe me Presidentin e Republikës, nuk mundej të jetë më i përshtatshëm dhe më i qëlluar, gjegjësisht, "Të gjithë jemi fëmijët e Ilindenit", është koncept i vërtetë i cili i përshkruan vlerat e përbashkëta që i kremtojmë të gjithë, i festojmë, janë vlera që na bashkojnë dhe ndërlidhin, na bëjnë qytetarë krenarë dhe të bashkuar të shtetit tonë të përbashkët. Shteti ynë është bashkim i dallimeve, mozaik unik në të cilin çdo pjesë unike është rritur dhe zhvilluar mbi rrënjët e veta që kanë qenë dhe janë vërtetim i jetëgjatësisë dhe qëndrueshmërisë së popujve që kanë jetuar dhe kanë qenë pjesë e këtij territori. Gjithsesi se nëpër vite nuk ka qenë, nuk është, as që do të jetë lehtë. Kuptohet se kjo copë tokë nuk ka qenë jashtë ngjarjeve globale dhe si konsekuencë ato ngjarje janë zgjeruar dhe kanë pasur ndikim mbi rrugën zhvillimore të shtetit.

Mirëpo, ylli udhërrëfyes ka qenë dëshira për një shtet të përbashkët, të lirë, të pavarur, shtet në të cilin respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut do të jetë e njëjtë për të gjithë qytetarët pa dallim në përkatësinë e tyre etnike, fetare apo cila do përkatësi tjetër. Nëse e shohim Manifestin e famshëm të Krushevës, dokument i shkruar para njëqind e gjashtëmbëdhjetë viteve a përsëri aktual edhe sot, citoj, „ .... ejani pranë nesh vëllezër, t'i bashkojmë shpirtrat dhe zemrat dhe të shpëtojmë, që ne dhe bijtë dhe pasardhësit tanë të jetojnë të qetë, të punojnë mirë dhe të përparojnë…“ (fundi i citatit), nëse i shohim dokumentet e KAÇKM prej vitit 1944, dokumente ku janë definuar qartë pikërisht ato të drejta dhe liri të përgjithshme dhe të veçanta të njeriut, ku janë definuar qartë karakteri multietnik, multi kulturor dhe multikonfesional i shtetit tonë, do të vërejmë se historia, ngjarjet në të, vetë e kanë determinuar rrugën nëpër të cilën do të duhet të ecim, arsyeja e imponuar nevojën për bashkimin rreth qëllimit përfundimtar të vetëm, natyror dhe të realizueshëm, e ky është shtëpi e përbashkët për të gjithë që kanë pasur vizion, mençuri dhe arsye të qartë, kanë pasur ëndërr për të cilën e kanë flijuar më të çmuarën, jetën. Shumë, heronj të njohur dhe të panjohur, shumë jetë të reja, lot nëne dhe mallëngjim dhe vajtim në zemër. Për këtë është provë historia faktografike mirëpo edhe këngët dhe gojëdhënat e shumta të mallëngjyeshme që barten prej brezi në brez, prej gjenerate në gjeneratë, q[ë ëndrra dhe vizioni të vazhdojnë të jetojnë dhe synimi ti përjetojë të gjitha vështirësitë.

Dhe ajo ëndërr shekullore, ajo dëshirë shekullore për shtet të lirë, të pavarur, sovran u realizua më 8 shtator të vitit 1991, kur në referendum qytetarët u përcaktuan për shtet autonom, sovran ndërsa postulatet themelore mbi të cilat udhëheqësit e Ilindenit të parë dhe të dytë kanë paramenduar të ndërtohet shteti dhe të zhvillohet shoqëria qytetare janë inkorporuar në aktin më të lartë ligjvënës - në Kushtetutën e shtetit. Përveç kësaj, janë determinuar qëllimet strategjike me rëndësi thelbësore për përparimin e shtetit, për të cilat kishim dhe akoma ndajmë përcaktim të përbashkët shumica e qytetarëve që nga vetë fillimi i pavarësisë sonë, që është anëtarësimi dhe integrimi i plotfuqishëm në Bashkimin Evriopian dhe NATO.

Të nderuar të pranishëm,

28 vite të plota shtet i pavarur, sovran, i lirë. Çdo vit me sfida të reja, me shumë vështirësi dhe kriza të reja. Nuk ishte lehtë, por përsëri, të gjithë bashkë arritëm ti tejkalojmë dhe të ecim përpara kah realizimi i qëllimeve tona strategjike. Rrugëtimi jonë nuk shkonte gjithmonë paralelisht me ambiciet dhe dëshirat tona. Gjithsesi se rolin kryesor e kishin dhe çdoherë e kanë atë në duart e të cilëve është besuar shteti, përparimi dhe zhvillimi i saj, mbrojtja dhe siguria e saj. Me këtë rast mendoj për të gjithë, edhe pushtetin edhe opozitën, për arsye se të gjithë kanë fituar një pjesë të legjitimitetit dhe kuptohet të përgjegjësisë që e jep sovrani më i lartë - populli.

Prej nesh, prej vizionit dhe mençurisë sonë varet se sa do e arsyetojmë këtë besim të çmuar, sa do i përmbushim premtimet dhe zotimet e dhëna para tyre. Të gjithë ne jemi njëlloj përgjegjës edhe për ngritjen edhe për ngecjen në atë rrugë. Edhe pse filluam me shumë ambicie, me sytë e bashkësisë ndërkombëtare drejtuar kah ne si kah vendi i cili ndër të parët në rajon fitoi statusin e kandidatit, procesi akoma nuk është rrumbullakuar dhe për një dekadë të tërë vendnumëronim. E njëjta vlen edhe për integrimin në Aleancën e NATO-s. Edhe pse qysh me Rezolutën e vitit 1993 u përcaktuam për anëtarësim në këtë Aleancë, ndërsa në vitin 1999 fituam statusin e kandidatit, edhe ky proces akoma nuk është rrumbullakuar. Mund të filloj ti numëroj arsyet dhe përgjigjet pse është kjo kështu, ta drejtoj gishtin dhe të akuzoj për atë që dikush e ka bërë ose po mundet nuk ka bërë gjithçka që është dashur në çastin e duhur mirëpo, kjo nuk do jetë ndonjë dobi dhe nuk do e kthejë kohën e humbur pakthyeshëm në historinë tonë më të re. Sërish, me rëndësi është se u kthyem përsëri në rrugën për të cilën u përcaktuam që në vetë fillimin, integrimi në NATO dhe BE.

Nuk ishte lehtë, nuk ishte as thjeshtë! Dy vitet e gjysmë janë mundet vitet më të nxehta në historinë e vendit, me ç'rast sigurisht nuk mendoj për kushtet klimatike. Kjo ishte periudhë e marrjes së vendimeve të rënda mirëpo vendimeve shtetërore të cilat e debllokuan rrugën tonë kah integrimi euroatlantik dhe në të cilën politikisht maturuan edhe qytetarët edhe shteti; u kthyem në binarin e shpejtë të integrimit euroatlantik dhe iu përkushtuam vendosjes dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mia fqinjësore; kishim diplomaci intensive dhe participim aktiv të institucioneve të shtetit në evenimentet ndërkombëtare rajonale dhe botërore; merrnim pjesë aktive dhe vazhdojmë të marrim pjesë në misionet paqësore të Aleancës së NATO-s me ç'rast përfaqësuesit tonë janë krah për krah me përfaqësuesit e vendeve anëtare të plotfuqishme dhe ndër tjerat kontribuojmë edhe në rrënimin e paragjykimeve dhe stereotipave të tipit Ballkani "fuçi baruti".

Kjo është koha e liderëve të guximshëm me vizion dhe arsye  të cilët e shohin Evropën të bashkuar dhe të tërë me të gjitha vendet të cilat gjeografikisht dhe në mënyrë civilizuese janë pjesë e natyrshme e saj. Republika e Maqedonisë së Veriut tregohet si shembull shkollor për zgjidhjen e kontesteve ndërshtetërore. Të gjitha institucionet, sektori joqeveritar, të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë njëzëri dhe pa hezitim të përkushtuar në përmbushjen e kushteve të nevojshme për anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe BE dhe me plot të drejtë të gjithë presim të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së.

Dhe sot këtu në Pelincë, dhe në çdo kënd të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gjithandej nëpër botë ku jetojnë dhe ndershëm e fitojnë kafshatën vet të bukës qytetarët tanë, në ditën kur kremtohet 2 gushti, Dita e Republikës, me kënaqësi mund të konstatoj se gjithë mundi i investuar deri tani dhe përkushtimi maksimal i të gjithë faktorëve politikë në shtet, tani më i dhanë rezultatet e veta pozitive konkrete. 

Miq të dashur,

Fjalimin tim në këtë pjesë do e emëroj si pjesa Prej Ilindenit në NATO për arsye se konsideroj se suksesin që e arritëm në këtë fushë është një Ilinden i tretë, gjegjësisht i çimentuam themelet e saj edhe me një shtresë plotësuese.

Respektivisht, në raport me NATO-n, jam personalisht dhe pafundësisht krenar, duke e marrë parasysh faktin se gjatë angazhimit tim profesional kam qenë përveç deputetit, edhe zëvendës ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Mbrojtjes, ndërsa tani në cilësinë e Kryetarit të dhomës ligjvënëse në të cilën nxirren ligjet e duhura reformuese, kam pasur edhe pjesën time personale në arritjen e një rekordi të mundshëm fantastik. Gjegjësisht, pas ratifikimit të Protokollit për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO në Parlamentin Nacional të Republikës së Greqisë më 6 shkurt të këtij viti, dinamika e ratifikimit të Protokollit zhvillohet me një shpejtësi të paparë deri tani. Prej 29 vendeve anëtare të NATO-s, 21 veç më e kanë ratifikuar Protokollin a në katër është në procedurë, që na jep të drejtë të besojmë se procesi do të rrumbullakohet deri në Samitin e NATO-s në Londër në dhjetor të këtij viti, kur ne edhe përfundimisht do të bëhemi vendi i 30-të anëtar i plotfuqishëm i kësaj aleance të fuqishme ushtarake. Jam krenar dhe i kënaqur, për arsye se më në fund do të përmbushet i pari prej dy qëllimeve strategjike të përcaktuar prej pavarësisë së vendit dhe që më në fund do të mund të dalim me rezultat konkret para qytetarëve tanë të nderuar dhe të themi:

Po- misioni u përmbush!

Po- premtimi u përmbush!

Përsëri, akoma nuk është përfunduar gjithçka. Përmbushja e qëllimit të dytë strategjik akoma vetëm paralajmërohet, akoma nuk e kemi datën konkrete të shumëpritur për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. A mundeshim të jemi më përmbushës? Gjithsesi se mundeshim dhe mundemi, realisht, shumë edhe kemi arritur por, tani nevojitet vullnet konkret, jo vetëm deklarativ për reforma dhe demonstrim konkret në vepër i këtij vullneti, me ç'rast i kam ndërmend të gjithë faktorët aktivë të politikës në vend, pa dallim nëse bëhet fjalë për pushtetin apo opozitën. Siç thashë në vetë fillimin, të gjithë ne jemi bartës të legjitimitetit të besuar prej qytetarëve dhe është koha e fundit të japim rezultate konkrete për këtë besim të dhënë që në tetor këtë vit ta marrim edhe datën konkrete për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në Union. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO nënkupton sundim të drejtës dhe rendit juridik në shtet pa diskriminim, respektim të të drejtave dhe lirive të gjithë qytetarëve njëlloj, pa dallim në përkatësinë e tyre etnike, fetare, politike dhe gjinisë. Anëtarësimi do të thotë standarde evropiane për jetë dinjitoze, kushte konkurrente për punë dhe biznes, mundësi për arsim cilësor dhe kërkime shkencore për entuziastët tanë të ri dhe profesionistët në moshë të cilët do të kenë mundësi ti hapin krahët dhe horizontet e veta që mandej me krenari të kthehen dhe ta aplikojnë atë që e kanë mësuar në vendlindjes sepse - ne, mendoj personalisht në bashkësinë shqiptare, kemi një fjalë të urtë që thotë - "guri peshon në vendin e vet", që do të thotë gëzimi dhe krenaria për suksesin e arritur në shtëpi ka bukuri dhe peshë të veçantë.

Qytetarë të nderuar,

Dua që nga ky vend t'ju falënderoj dhe të shpreh respektin tim ndaj jush që, pa dallim në gjithë sukseset dhe dështimet, pa dallim në vështirësitë dhe krizat nëpër të cilat kemi kaluar, ju, qytetarët, pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, politike apo cilado përkatësi tjetër, nuk lejuat të çrregullohet fryma e bashkësisë, bashkëjetesës dhe tolerancës. Ato janë vlerat që i keni vërtetuar nëpër gjithë historinë tinë të përbashkët, vlera që i vërtetoni edhe në përditshmërinë, për arsye se çdoherë keni ditur dhe dini që bashkë ti ndani edhe momentet e bukura edhe ato jo aq të bukura që i sjell jeta. Dhe sot, kur i shënojmë dy Ilindenët dhe kur shprehim и respekt dhe mirënjohje pamasë ndaj të gjithë Ilindenasve, dua që nga ky vend të falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut për qëndrueshmërinë e tyre, për besnikërinë dhe për bartjen e përgjegjshme të amanetit të ilindenasve, në fakt, ju vetëm e konfirmoni atë që e thotë edhe slogani i këtij 2 Gushti - "Të gjithë jemi fëmijë të Ilindenit".

Kemi një shtet të përbashkët dhe të gjithë jemi përgjegjës ta ruajmë, ta zhvillojmë, për ne dhe për brezat e ardhshëm. Është borxhi ynë ndaj gjithë atyre që luftuan për një shtet të atillë qytetar, shoqëri e të gjithë qytetarëve ku do të rriten fëmijët, nipërit tanë dhe gjeneratat e ardhshme që meritojnë të jetojnë, rriten, arsimohen dhe krijojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut evropiane, bashkëkohore dhe prosperuese, shtet i qytetarëve evropianë. 

Ju faleminderit për vëmendjen dhe uroj ditë të bukur festive!

Click