Aktivitetet

E enjte, 22 nëntor 2018 

Fjalimi i kryetarit Xhaferi me rastin e shënimit të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit 

I nderuar President Meta,
President Thaçi,
I nderuar kryeministër Zaev,
Zëvendëskryeministër Osmani, Shekerinska,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit gjyqësor,
Të nderuar ministra, deputetë,
I nderuar kryetar Ahmeti,
Kryetarë të Bashkësive fetare në Maqedoni,
Të nderuar ambasadorë, 
mysafirë dhe miq të dashur,
Zonja dhe zotëri,

Jam i lumtur dhe njëkohësisht i nderuar që jam mikpritës i kësaj mbrëmjeje madhështore, kur e shënojmë 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit, 110 vjetorin e unifikimit të Alfabetit shqip, dhe kam kënaqësinë t'ju përshëndes në cilësinë e kryetarit të Kuvendit dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, të gjithë ju që me ardhjen tuaj e keni rritur vlerën dhe rëndësinë e këtij evenimenti, dhe keni shfaqur respekt për bashkëkombësit dhe bashkëqytetarët tuaj. 

Kongresi i Manastirit, për çështjet që diskutoi e zgjidhi dhe si një nga tubimet më të gjerë e më përfaqësues nga përbërja e tij, sepse e tuboi potencialin intelektual të Shqiptarëve nga gjithë bota, me të drejtë vlerësohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shekullit XX dhe vendimet e tij përbëjnë një nga shtyllat e rëndësishme që ndihmuan në ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, por edhe të konsolidimit të mëtejshëm në drejtim të zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve. Për këtë arsye, ne nuk kemi të drejtë ta lëmë në harresë entuziazmin, vullnetin, vizionin, arsyen dhe guximin e grupit të rilindësve të Shoqërisë "Bashkimi" të Manastirit të cilët e thirrën Kongresin e parë të përgjithshëm për diskutimin dhe miratimin e alfabetit të njësuar. Dhe, jo vetëm kjo! Ky tubim mbarëshqiptar ishte edhe udhëkryq në të cilin intelektualët shqiptarë, duke i kthyer sytë qartë kah perëndimi, e zgjodhën drejtimin dhe synimin e vet. Rrugëtimi që u fillua nuk ishte i lehtë dhe nuk ishte gjithmonë i suksesshëm por një gjë e di, kurrë nuk mungoi vullneti, largpamësia dhe guximi. 

Dhe sot, pas rrafsh 110 vitesh jemi këtu, në këtë eveniment mbresëlënës, ku festohet alfabeti, por tani, në një realitet të ri. Jemi rritur, jemi pjekur si shoqëri, si shtet, si rajon dhe tani gjerat i shohim në një perspektivë tjetër, me një objektiv tjetër. Diapazoni është zgjeruar dhe në të nuk ka hapësirë për barriera, për kufij. Në fakt, kufijtë dhe barrierat janë vetëm në mentalitetin e atyre që kanë mbetur të ngecur në korridoret e zymta të një kohe të kaluar. Gjeneratat e reja, rinia jonë, me vullnetin, zellshmërinë, intelektin dhe diturinë që e posedojnë, e çajnë rrugën përpara me hapa marramendëse dhe ne që aktualisht jemi në pozita të marrim vendime të rëndësishme për ardhmërinë e shteteve, qytetarëve, rinisë dhe fëmijëve tanë, kemi obligim dhe detyrim moral këtë ta mundësojmë, ta lehtësojmë që potenciali, kontributi i tyre për shoqërinë, për shtetin dhe për rajonin të shihet, vlerësohet dhe gëzohet prej të gjithëve. Sepse, kohërat ndryshojnë, diskursi ndryshon, por me rëndësi është që një gjë të jetë e njëjtë dhe e përbashkët, dhe ky është caku ose synimi ku duam të arrijmë, edhe atë të arrijmë bashkë, si kombe, si shtete, si rajon. Edhe pse jam i sigurt se të gjithë e kemi të qartë, përsëri do e them, integrimi i plotfuqishëm i jonë dhe i tërë rajonit në strukturat e Bashkimi Evropian dhe NATO-s është indi bashkues i shtetit tonë me fqinjët, me rajonin, me botën. Për këtë qëllim, nuk e kanë kursyer veten të gjithë politikëbërësit e vendit, por edhe politikëbërësit në rajon, prandaj sot jemi aty ku jemi, respektivisht, Maqedonia i kalon kilometrat e  fundit para anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO dhe fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria është anëtare e plotfuqishme në NATO me status kandidati për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova e nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim. Kjo edhe njëherë dëshmon se rajoni i ka tejkaluar ose po i tejkalon inatet e së kaluarës dhe pozicionohet në rrafshin e civilizimeve të lashta evropiane dhe botërore, aty ku edhe gjeografikisht bën pjesë.

Në fund, me rëndësi është që të gjithë ta kemi drejtuar shikimin në të njëjtin drejtim, ose siç thotë slogani i kësaj mbrëmjeje: "Për ne dielli lind në perëndim".

Gëzuar 22 nëntori! 

Faleminderit për vëmendjen!

Click