Aktivitetet

E diel, 25 mars 2018, Gjenevë 

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në Asamblenë e 138 të IPU (UIP), në Debatin e përgjithshëm në temën "Përforcimi i regjimit global për migrantët dhe refugjatët" 

I nderuar kryesues, 
Të nderuar kolegë deputetë, 
Zonja dhe zotëri,

Migracionet si dukuri nuk janë asgjë e re, ato janë të pranishme mundet qysh në vetë fillimin e civilizimit njerëzor. Gjithsesi se procesi i globalizimit ndikon që këto rrjedha të migracioneve të jenë më intensive. Kështu, sipas të dhënave, sot rreth 258 milionë njerëz, respektivisht 3,4 përqind të popullatës botërore jetojnë jashtë shtetit të lindjes. Arsyet për migracionin janë po ashtu moti të njohura. Arsyeja e parë është ajo socio-ekonomike, gjegjësisht, kërkimi i jetës më të mirë. Tipi i dytë i migracionit janë nga shtetet dhe rajonet e përfshira me konflikte ushtarake, me dhunë dhe mosrespektim të të drejtës ushtarake dhe humanitare, me jofunksionim të shtetit juridik, ose po katastrofave më të mëdha natyrore, respektivisht kur njerëzit janë të ekspozuar në rreziqe që e kanosin jetën e tyre. Në rastin e parë flasim për migrantë ekonomikë, ndërsa në rastin e dytë flasim për refugjatë, edhe pse shumë shpesh këto dy kategori janë ngushtë të ndërlidhura mes veti. 

Zonja dhe zotëri, 

Viteve të fundit Evropa ballafaqohet me krizë masive refugjate dhe migrante. Vetëm nëpër shtetin tonë, Republika e Maqedonisë, e cila është pjesë e të ashtuquajturës Rutë ballkanike, kaluan disa qindra mijë migrantë dhe refugjatë. Megjithatë, analiza dhe informata të caktuara tregojnë se kriza refugjate nuk ka mbaruar akoma, dhe se është koha që të gjithë së bashku por edhe çdo shtet veçmas, të ndërmarrim aktivitete konkrete. Të gjithë ne më së shpeshti dimë të lavdërohemi me numra, gjegjësisht me atë se sa migrantë kemi pranuar ose sa kanë kaluar nëpër territorin tonë. Mirëpo, nuk guxojmë të harrojmë se migrantët janë më së paku vetëm numra, edhe ato janë njerëz si edhe gjithë ne. Dallimi qëndron në atë që secili prej tyre, pa dallim nëse është migrant ekonomik ose refugjatë, bart rrëfim shumë të mallëngjyeshëm. Shumë shpesh, para së gjithash gratë dhe fëmijët migrantë janë të ekspozuar në format më të vrazhda të dhunës ose po janë viktima të trafikimit me njerëz, kurse krimi i organizuar transnacional përfiton miliardë dollarë mbi fatet e tyre tragjike. 

Zonja dhe zotëri, 

Shumë dokumente ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Deklarata Universale për të drejtat e njeriut për të cilën këtë vit shënojmë 70 vite nga miratimi i saj në Kombet e Bashkuara, na obligojnë ta përforcojmë pozitën e migrantëve dhe refugjatëve. Edhe aq më shumë na obligon Deklarata e Nju Jorkut  për refugjatë dhe migrantë, e miratuar në vitin 2016, me të cilën vendet e KB-së u përkushtuan për zhvillimin e Kompaktit global për refugjatë dhe Kompaktit global për migracion të sigurt, korrekt dhe të rregullt. Republika e Maqedonisë i mbështet në tërësi të dy dokumentet dhe shpreson se ato do të miratohen sipas marrëveshjes në korrik të këtij viti dhe do i implementojmë si në nivel të shteteve nacionale, ashtu edhe në nivel të marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale. 

Nuk duhet t'ju rikujtoj se organizata jonë, si një nga organizatat më të vjetra ndërkombëtare, ka miratuar më shumë dokumente të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte kanë të bëjnë me migrantët dhe refugjatët. Natyrisht se do të ishte ideale në qoftë se kishim mundur ti ndalojmë menjëherë të gjitha konfliktet ushtarake dhe në qoftë se kishim mundur të sigurojmë në të gjitha shtetet zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Por kjo, për momentin, është më afër utopisë sesa realitetit, Prandaj, sot jemi këtu si një nga organizatat më të vjetra ndërkombëtare të bisedojmë dhe të ofrojmë zgjidhje përkatëse politike të cilat do të bazohen mbi argumente të vërteta dhe reale. Mendoj se si parlamente nacionale, duke i shfrytëzuar instrumentet e parlamentarizmit, mund të ndryshojmë shumë. Për shembull, përmes organizimit të debateve publike dhe përmes bashkëpunimit tonë me organizatat joqeveritare, mund të bëjmë shumë në tejkalimin e një sërë paragjykimeve dhe stereotipave të cilat kanë të bëjnë me migrantët. Gjegjësisht, mbisundon mendimi se migrantët marrin diçka tonën. Harrohet se me inkluzionin e tërësishëm të migrantëve, përfitim do të kenë vetë migrantët por, edhe shteti mikpritës. Më tutje, nëpërmjet rolit mbikëqyrës të parlamenteve, mund të kontrollojmë se si pushteti ekzekutiv, më saktë, si ministritë përkatëse i përmbushin obligimet e veta ndaj migrantëve. Do e përmend vetëm edhe diplomacinë parlamentare e cila nëpërmjet bashkëpunimit në rajon a edhe më gjerë, mund të japë kontribut konkret në bashkëpunimin më intensiv dhe më efikas ndërmjet vendeve, kur bëhet fjalë për migrantët dhe rrjedhat migruese. 

Zonja dhe zotëri, 

Një pjesë e këtyre qëndrimeve bazohen mbi përvojat që Republika e Maqedonisë i ka përfituar gjatë valëve intensive migrante të cilët kalonin nëpër shtetin tonë. Vetëm t'ju rikujtoj, nëpër Maqedoni, e cila është pjesë e të ashtuquajturës "Rutë ballkanike", kanë kaluar disa qindra mijë migrantë. Megjithatë, arritëm edhe me resurset tona të limituara ta sigurojmë gjithë atë që e parashikon e drejta humanitare ndërkombëtare dhe atyre njerëzve tu sigurojmë së paku kushte elementare për qëndrim dhe kalim nëpër shtetin tonë. Këtu, nuk mund të mos e përmend bashkëpunimin edhe me organizatat ndërkombëtare, para së gjithash UNHCR-në, Kryqin e Kuq dhe të tjera. Më tutje, me ndihmën e sektorit joqeveritar, kemi bërë hap cilësor përpara në krijimin e një perceptimi dhe sjelljes pozitive të popullatës lokale ndaj migrantëve. Dhe, ashtu siç thashë në fillim, migrantët, pa dallim nëse janë migrantë ekonomik apo janë refugjatë nga konfliktet ushtarake, megjithatë janë njerëz si të gjithë ne. A një nga vlerat civilizuese të çdo individi, shoqërie, shteti apo organizate ndërkombëtare është ti ndihmojë çdo njeriu. 

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click