Aktivitetet

E hënë, 11 Dhjetor 2017

FJALIMI I KRYETARIT XHAFERI NË DEBATIN PUBLIK “70 VJET NGA DEKLARATA E PËRGJITHSHME E TË DREJTAVE TË NJERIUT: VËSHTRIM“

Të nderuar kolegë deputetë,
Shkëlqesitë Tuaja,
Zonja dhe zotërinj,
I nderuar ministër 
I nderuar Avokat i Popullit
Të nderuar përfaqësues të sektorit joqeveritar
Të nderuar përfaqësues të medieve

Para dy javësh kur e shënuam aksionin kundër dhunës në familje dhe në përgjithësi aktivitetet kundër dhunës gjinore, fjalimin tim e fillova duke e cituar nenin e parë dhe të dytë të Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut. Sot jemi këtu ta shënojmë dhjetë dhjetorin ditën kur në vitin e largët 1948 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi këtë Deklaratë. Deklarata e cila sipas gjerësisë së saj të vlerave, sipas meje, është dobi e lartë civilizuese në historinë e njerëzimit. Si e tillë, ajo sot është e inkorporuar në sistemin juridik të thuajse çdo shteti, në të njëjtën kohë është edhe njëri ndër parimet themelore në të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Mbetet fakti i hidhur se në këto thuajse shtatë dekada jemi dëshmitarë të shembujve të shumtë të shkeljes së të drejtave të njeriut, e ajo që shqetëson është fakti se ndonjëherë kjo ndodh edhe në mënyrë sistematike edhe nga ana e institucioneve shtetërore apo institucioneve parashtetërore. Besoj të gjithë e mbajmë mend çka ndodhi në hapësirën e ish Jugosllavisë, apo ajo që ndodhi me popullin rohingia në Mjanmar, mëkati i vetëm i të cilëve është se janë pakicë etnike dhe fetare, andaj siç deklaroi paradokohe edhe komisari i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut janë të ekspozuar në gjenocid. Për fat të keq, shembuj të tillë ekzistojnë edhe shumë, vetëm do t'i përmend refugjatët e Afrikës, Irakut, Sirisë dhe ashtu me rrallë. Andaj sot në nivel global fillon fushata njëvjeçare në vigjilje të shtatëdhjetë vjetorit nga miratimi i Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut. Fushata e cila duhet së pari në nivel nacional, në të njëjtën kohë edhe në nivel global t'i riafirmoj vlerat dhe standardet kur bëhet fjalë për realizimin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, por edhe të bëj analizë ku dhe përse nuk respektohen të drejtat e njeriut.

Zonja dhe zotërinj,

Në Republikën e Maqedonisë shikuar nga aspekti normativ i kemi shumë mirë të inkorporuar të gjitha parimet dhe vlerat të cilat i përmban Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut. Pyetja është sa këto respektohen në praktikë, dhe nëse në këtë periudhë të pavarësisë kur bëhet fjalë për të drejtat dhe liritë e njeriut lëvizim në drejtimin pozitiv. Sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare; raporteve të Departamentit të Shtetit, pastaj raportin e Komisionit Evropian dhe të tjerat, është fakt se Republika e Maqedonisë kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut shkon përpara. Besoj se shumë prej nesh do të thonë se nevojitet dinamikë më e madhe, para se gjithash, në institucionet me të cilat qytetarët janë në interaksion të përditshëm. Pra, mos të harrojmë se të drejtat dhe liritë e njeriut janë kategori dinamike e cila kërkon ndjekjen e vazhdueshme, plotësimin dhe gjithsesi, reagimin transparent, por nëse dëshironi edhe sanksionimin e atyre që i shkelin parimet dhe standardet e kësaj Deklarate. Mendoj se këtu Kuvendi, veçanërisht Komisioni i Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit mund të bëjnë shumë. Besoj se debati i sotëm publik është vetëm fillimi i aktiviteteve të shumta të përkushtuara në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në vitin e ardhshëm. Më tutje dua ta theksoj rolin e Avokatit të Popullit. Nëse rregullisht i ndiqni raportet e Avokatit të Popullit vërehet se këto shumë mirë i theksojnë të gjitha çështjet dhe problemet kur bëhet fjalë për respektimin apo mosrespektimin e të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve. 

Këtu është i pazëvendësueshëm roli i sektorit joqeveritar i cili deri më tani shumë herë ka sugjeruar dhe ka reaguar në shembujt kur ka pasur mosrespektim të të drejtave dhe lirive të njeriut. Gjithsesi, po aq me rëndësi është edhe roli i medieve, të cilat nga njëra anë duhet të hulumtojnë dhe informojnë kur bëhet fjalë për mosrespektimin dhe shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut, në të njëjtën kohë vazhdimisht t'i afirmojnë parimet dhe standardet e Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut.

Të nderuar miq,

Në fund dua të sugjeroj se kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut ndoshta me rëndësi është procesi i socializmit së bashku me procesin arsimor. Nëse fillojmë prej shtëpisë, prej familjes t'i edukojmë jo vetëm të rinjtë se njerëzit janë të gjithë të njëjtë, nëse përmes sistemit arsimor nga kopshti për fëmijë e nëse dëshironi edhe deri në universitet inkorporohen vlerat dhe standardet të cilat janë në Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, jam i bindur se edhe te ne, në nivel global në mënyrë drastike do të zvogëlohet shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut. Andaj si Kryetar i Kuvendit dhe si qytetar në tërësi do t'i mbështes të gjitha aktivitetet të cilat janë në funksion të respektimit më të madh të të drejtave dhe lirive të njeriut, sepse siç thashë në fillim kjo është vlera jonë më e lartë civilizuese e cila na bën njerëz të vërtetë.

Ju faleminderit. 

Click