Aktivitetet

E martë, 29 maj 2018

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në evenimentin "Ndërtimi i Parlamentit bashkëkohor, profesional dhe reprezentativ"

Të nderuar kolegë deputetë, Të nderuar përfaqësues të Kongresit të SHBA-së, 
përfaqësues të parlamenteve të Skocisë, Kosovës, Shri Lankës, Gjeorgjisë dhe Kirgistanit, 
përfaqësues të NDI, USAID, SDC, sektorit joqeveritar, 
mediumeve dhe miq të dashur, 

Në vetë fillimin, më lejoni që në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, tu uroj mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Maqedoni miqve tanë të cilët vijnë prej më shumë vendeve. Jam i bindur se në këtë takimin tonë të punës, do të këmbejmë para së gjithash përvoja dhe ide të cilat do të jenë në funksion të përforcimit të parlamentarizmit në shtetet tona. 

Demokracia parlamentare te ne është e re, vetëm 27 vite, por besoni se në gjithë këtë periudhë kemi vazhdimësi në zhvillimin e demokracisë te ne. Me të vërtetë kishim edhe periudha krize por para së gjithash, ne të cilët jetojmë këtu dhe këtu doemos ta përmend edhe ndihmën që e pranojmë nga miqtë tanë ndërkombëtarë, arritëm që të gjitha këto kriza ti tejkalojmë dhe prej tyre të dalim më të fortë në përcaktimin për zhvillim të mëtutjeshëm të demokracisë, kuptuar në kuptimin më të gjerë. 

Miq të nderuar, 

Besoj se të gjithë do të pajtohemi se parlamentet janë ajo bazë mbi të cilën ndërtohet dhe zhvillohet shoqëria demokratike në të cilën të drejtat dhe liritë e njeriut janë parimi major. Parlamentet me funksionin e vet legjislativ dhe mbikëqyrës janë themeli mbi të cilin ndërtohet dhe zhvillohet shteti demokratik me institucione funksionale në të cilat ka sundim të të drejtës. 

Në këto 27 vite të demokracisë parlamentare te ne, janë bërë hapa cilësore me të cilat Kuvendi i Republikës së Maqedonisë a me këtë edhe shteti ynë, bëhemi pjesë e botës demokratike bashkëkohore. Provë për këtë është edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian në të cilin në mënyrë të pakushtëzuar propozohet marrja e datës për fillimin e negociatave me BE-në. Dua që shkurtimisht të përqendrohem në përfitimet konkrete të cilat si Kuvend i kemi bërë me ndihmën e madhe të miqve tanë nga Bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash mendoj për Kongresin e SHBA-së, Parlamentin britanik, por edhe shumë agjenci dhe fondacione tjera të specializuara. Parlamentet si shtëpi reprezentative të qytetarëve, nëse me të vërtetë dëshirojnë të jenë institucione demokratike, duhet të punojnë në mënyrë transparente dhe të jenë të hapur për qytetarët. Kështu, sot Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka ueb faqe bashkëkohore dhe funksionale, nëpërmjet të së cilës mundeni në tërësi ta përcillni procesin legjislativ, kemi edhe transmetim të drejtpërdrejtë të seancave plenare, a në arkiv gjithashtu mund ti gjeni të gjitha seancat plenare prej pavarësimit deri tani. Edhe më i rëndësishëm është fakti që nëpërmjet ueb faqes sonë, qytetarët mund ti drejtohen deputetit të vet a mund të paraqiten edhe për vizitë në Kuvend. Gjithashtu, duhet të përmendet edhe kanali i Kuvendit përmes së cilit transmetohen në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjitha seancat plenare, transmetohet edhe debati në komisione gjatë miratimit të buxhetit, si edhe disa debate mbikëqyrëse dhe evenimente tjera në Kuvend. Dua të theksoj se janë në rrjedhë edhe shumë përgatitje serioze për formimin e televizionit të veçantë të Kuvendit, a këtë e bëjmë pikërisht me ndihmën e miqve tanë nga jashtë. 

Zonja dhe zotëri, 

Në këto 27 vite parlamentarizëm, jam i bindur se e mësuam leksionin se parlamenti funksional dhe demokracia efikase parlamentare nuk mund të ndërtohet pa bashkëpunim të strukturuar gjerë dhe bashkëpunim cilësor me sektorin joqeveritar. Respektivisht, sektori joqeveritar mund të mobilizojë numër shumë më të madh të qytetarëve të cilët dëshirojnë të marrin pjesë aktive në krijimin e politikave dhe programeve të përgjegjshme shoqërore të ndryshme. Veçanërisht kisha dashur ta nënvizoj rolin e sektorit joqeveritar në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave dhe lirive njerëzore, të cilat janë kategori dinamike por, në të njëjtën kohë edhe kategori shumë e cenueshme. Prandaj, një nga përcaktimet tona strategjike është edhe përcaktimi që më tutje ta zhvillojmë bashkëpunimin me sektorin joqeveritar. 

Gjithsesi se me këtë nuk përfundojnë aktivitetet tona si parlament, ka edhe shumë tjera. Besoj se gjatë këtyre ditëve, do të debatohet në mënyrë aktive për një set çështjesh, për probleme, dilema por edhe përvoja pozitive që janë të ndërlidhura me zhvillimin e demokracisë parlamentare, për të cilën Uinston Çërçilli i madh ka thënë se “ është forma më e keqe e sundimit përveç të tjerave që janë provuar prej kohe në kohë.”    

Ju faleminderit për prezencën tuaj dhe për vëmendjen dhe edhe njëherë ju dëshiroj punë të suksesshme dhe të frytshme , por edhe qëndrim të këndshëm në vendin tonë të bukur!

Click