Aktivitetet

E martë, 28 maj 2019

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Forumin nacional të Civika mobilitas për bashkëpunim ndërmjet Kuvendit dhe organizatave civile

Të nderuar kolegë, 
Shkëlqesi, 
Të nderuar përfaqësues të sektorit joqeveritar, 
Zonja dhe zotëri,

Që në fillim, dëshiroj të shpreh kënaqësinë time që marr pjesë në këtë eveniment. Duke u përgatitur për konferencën e sotme, mu kujtua një fjalim i im paraprak për një temë të ngjashme para dy viteve. Më lejoni të citoj vetëm një pjesë të vogël: "Kur përmendet demokracia parlamentare, mendohet për punën dhe funksionimin e Kuvendit. Megjithatë, po ashtu besoj se të gjithë do të pajtohemi se demokracia parlamentare është proces i pandashëm dhe doemos duhet të jetë e gjithëpranishme, si në të tre degët e pushtetit, ashtu edhe në shoqëri në përgjithësi. Respektivisht, nuk mund të flasim për demokraci në Kuvend nëse kemi, thënë në mënyrën më të butë, pushtet ekzekutiv të tjetërsuar. Në të njëjtën kohë, nuk mund të flasim për demokraci parlamentare, nëse nuk kemi sundim të të drejtës, shtet juridik funksional dhe gjithsesi, transparencë dhe llogaridhënie. Dhe në fund, nuk mund të flasim për demokraci parlamentare, pa përfshirjen e sektorit joqeveritar, publikut ekspert dhe qytetarit si individ," fund i citatit.

Siç thashë, kjo është thënë para dy viteve në periudhën kur edhe si shoqëri, edhe si institucion, filluam të dalim nga një krizë serioze. Sot, do të duhet të gjithë bashkë të përgjigjemi në temën e parashtruar, "Si është bashkëpunimi i Kuvendit me organizatat joqeveritare?"

Mos harrojmë se shoqëria civile, nëpërmjet organizatave joqeveritare, në njërën anë mobilizon një rreth shumë më të gjerë të qytetarëve të cilët duan të participojnë në krijimin dhe udhëheqjen e politikave publike ku janë inkorporuar interesat e tyre. Më tutje, vetë organizatat joqeveritare janë shumë më mobile, dhe nuk e kanë atë organizim klasik partiak i cili në shoqëritë demokratike jo mjaft të zhvilluara e ngufat marrjen e iniciativës, nëse doni edhe kreativitetin e anëtarësisë, në llogari të elitave të tjetërsuara politike.

Miq të nderuar,

Në këto dy vite, pa modesti të rrejshme, dua të nënvizoj se kemi bërë, jo vetëm përparim kuantitativ, por edhe më të rëndësishëm, përparim kualitativ në raport me atë që e nënkuptojmë nën nocionin "Parlament i hapur dhe bashkëpunim me sektorin joqeveritar." Fakti që vitin e kaluar mbi 6 mijë qytetarë kanë hyrë dhe e kanë shqyrtuar Kuvendin, flet për përparim solid kuantitativ. Më tutje, janë organizuar më shumë seminare njëditore dhe dyditore me nxënës të shkollave të mesme dhe me studentë ku të rinjtë njoftohen me, unë kisha thënë abëcënë e demokracisë parlamentare dhe funksionimin e parlamentit.

Do e përmend projektin "Kam qëndrimin tim", më tutje, konferencën rajonale të përkushtuar  për Krizën migrante, në të cilën merrnin pjesë përfaqësues të sektorit joqeveritar nga i gjithë rajoni. Gjithë kjo flet se, si Kuvend jemi në rrugën e drejtë, respektivisht procesin e përforcimit dhe mbindërtimit të demokracisë parlamentare e zbatojmë përmes hapjes më të madhe, transparencës dhe inkuadrimit të organizatave joqeveritare, opinionit ekspert dhe profesional, por edhe qytetarit si individ.

Gjithashtu debatet mbikëqyrëse, të cilat paraqesin një nga shtyllat e demokracisë Në to janë gjithnjë e më shumë të pranishme organizatat joqeveritare, të cilat dinë në mënyrë shumë precize dhe në të njëjtë kohë në mënyrë kritike, jo vetëm ti vërejnë problemet dhe mangësitë por, edhe të ofrojnë zgjidhje përkatëse kreative.

Më tutje, dëshiroj t'ju përkujtoj në zgjedhjen e paradokohshme të Komisionit të ashtuquajtur të Antikorrupsionit, i cili siç e dini këto ditë është shumë aktiv dhe aktual. Në zgjedhjen e tij, sektori joqeveritar ishte i përfshirë në tërësi dhe mendoj se te ne, për herë të parë sektori joqeveritar, nëse mund të them ashtu, gjithë procesin e ngriti mbi atë marrëveshjen folklorike, ndërpartiake.

Zonja dhe zotëri,

Evenimenti i sotëm, në të njëjtën kohë është edhe mundësi e mirë që edhe njëherë, të gjithë bashkë të shprehim falënderim ndaj miqve tanë ndërkombëtarë, të cilët materialisht por, para së gjithash me ekspertët e tyre në ndihmuan në arritjen e këtyre rezultateve. Këtu, e kam patjetër ta potencoj Ambasadën zvicerane dhe gjithsesi Shkëlqesinë e Saj Ambasadoren Sibil Suter Tejada, Vestminster Fondacionin për Demokraci, NDI-në dhe tjera.

Gjithsesi, këto trendë pozitivë nuk do të thotë se tani e kemi arritur qëllimin dhe se këtu duhet të ndalojmë. Në fakt, demokracia parlamentare duhet vazhdimisht të zhvillohet dhe të mbindërtohet. Përkundrazi, këto trendë pozitivë duhet të na motivojnë të gjithë, këtu mendoj si për parlamentin ashtu edhe për pushtetin ekzekutiv, dhe gjithsesi për organizatat joqeveritare dhe qytetarët, që në mënyrë edhe më aktive të angazhohen në realizimin e qëllimeve tona strategjike, në realizimin e interesave dhe nevojave të qytetarëve. Kuvendi në këtë legjislaturë dëshmoi se është i hapur për çdo nismë e cila vjen nga sektori civil, Mund të kemi nevojë për një kanalizim më efikas të këtyre propozimeve dhe nismave, si edhe implementim të tyre. Besoj se, evenimenti i sotëm  do të japë jo vetëm vërejtje kritike për atë se ku gabojmë të gjithë, por edhe propozime konkrete për atë se si ta afrojmë Kuvendin edhe më afër qytetarëve, nismave të tyre, pyetjeve dhe problemeve të tyre. Dhe, me këto mendime në fund, dua që të gjithëve tu uroj punë të mbarë dhe të frytshme.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click