Aktivitetet

E mërkurë, 10 tetori 2018

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në Hapjen e Dhomës së Klubit të deputeteve  

Të nderuar deputetë, 
E nderuar z-nja Sekretar gjeneral,
Të nderuar përfaqësues të Sektorit për mundësi të barabarta,
përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare,
përfaqësues të sektorit joqeveritar,
përfaqësues të mediumeve, 
Të nderuara zonja

Është kënaqësi që sot jam këtu mes jush në këtë akt solemn të realizimit të premtimit tim të dhënë me rastin e Ditës ndërkombëtare të gruas dhe shënimin e 15 vjetorit të funksionimit të Klubit të deputeteve, kur thashë se do e ndjek shembullin e Parlamentit suedez dhe Mbretërisë së Suedisë, vend me përqindjen më të lartë të përfaqësimit të grave në politikë dhe në jetën publike dhe si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, do të filloj me realizimin e projektit për ruajtjen dhe promovimin e kontributit të grave deputete dhe bartëse të funksioneve në Kuvend dhe në trupat punues të Kuvendit. 

Dhe qe pra sot pas shtatë muajsh, ne jemi këtu në hapjen e asaj Dhome të Klubit të deputeteve e cila do të jetë kontribut modest dhe mirënjohje për rolin e grave politikane në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.  Kjo dhomë e rregulluar në mënyrë bashkëkohore me premisa nacionale simbolike, do të jetë dhomë në të cilën Klubi i deputeteve do të funksionojë, do mbajë mbledhje, takime, do të pranojë delegacione dhe do të shoqërohet. Këtu janë pasqyruar me anë të fotografive një pjesë e aktiviteteve të kolegeve tona të nderuara, ndërsa në të ardhme, kjo memorie institucionale do të pasurohet me shpresoj edhe shumë rezultate konkrete nga puna e palodhshme por aq e rëndësishme e këtij Klubi, i cili është zëri i ashtuquajtur i "gjinisë më të dobët", edhe pse unë nuk do të isha pajtuar me atë konstatim për arsye se nëpër vite u dëshmua se gruaja është forca lëvizëse, motori i cila ka vizion, ka forcë dhe mbi të gjitha, ka dëshirë të krijojë botë më të bukur për fëmijët tanë dhe për të gjitha gjeneratat e ardhshme.

Ju uroj sukses në hapat e mëtutjeshëm, ju uroj shëndet dhe edhe shumë kujtime të bukura të pasqyruara në muret e kësaj dhome të shkëlqyer.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click