Aktivitetet

E martë, 18 shtator 2018

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në Konferencë me temën „Integrimi në NATO - parakusht për siguri dhe zhvillim“

I nderuar kryetar i Këshillit Atlantik të Maqedonisë, z. Ramadani, 
E nderuara ministre e Mbrojtjes, z-nja Shekerinska,
Shkëlqesi,
Të nderuar të pranishëm,

Personalisht më paraqet kënaqësi që mund të marr pjesë në këtë konferencë me të cilën edhe formalisht shënohet fillimi i shkollës pesëmbëdhjetëjavëshe në të cilën pjesëmarrësit do të njoftohen me çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, mbrojtjen dhe integrimin në NATO. Respektivisht, unë në karrierën time profesionale dhe politike kam qenë edhe oficer edhe ministër i Mbrojtjes, ashtu që kam punuar konkretisht në çështje që kanë të bëjnë me integrimin tonë në NATO. Me ç'rast, dua të theksoj se gjithnjë kemi pasur bashkëpunim të mirë me Këshillin Euroatlantik të Maqedonisë pikërisht në këtë fushë. Me këtë rast, dua të nënvizoj se të gjithë ne, edhe si qytetarë, a edhe si politikanë, gjendemi para një momenti historik, moment prej të cilit varet e tashmja jonë, mirëpo do të varet edhe ardhmëria jonë. Nuk duhet t'ju rikujtoj se para njëzeteshtatë viteve, kur në referendum qytetarët u përcaktuan për Republikë autonome të Maqedonisë, deputetët e përbërjes së parë atë përcaktim e shndërruan në kornizë kushtetuese juridike dhe atëherë u përcaktuan edhe qëllimet strategjike të shtetit tonë, dhe këto janë integrimi i tërësishëm në NATO dhe BE. Dhe tani, ai moment historik është me të vërtetë para nesh. Në fund të muajit, qytetarët në referendum do të duhet të vendosin nëse e pranojnë Marrëveshjen e Prespës, prapa së cilës qëndruan Qeveritë e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. Unë jam i bindur se kjo Marrëveshje do të pranohet nga qytetarët, për arsye se e dinë se me këtë do na hapen dyert për anëtarësim të plotfuqishëm në aleancën e NATO-s dhe do i fillojmë negociatat për anëtarësim në BE. Prandaj, edhe si politikan, edhe si qytetar, besoj se me shumicë PËR në referendumin më 30 shtator, do të vërtetojmë se si qytetarë dhe si shtet me civilizim i takojmë Evropës dhe i pranojmë dhe ndajmë vlerat evropiane. Jam i bindur se shumica e qytetarëve, pa dallim në përkatësinë e tyre etnike, fetare ose politike, janë të vetëdijshëm se nëpërmjet integrimit të tërësishëm në NATO dhe në BE, sigurojmë të tashme stabile, siguri dhe ardhmëri shumë më perspektive. 

Zonja dhe zotëri,

Anëtarësimi në NATO, nuk duhet të kuptohet në drejtimin se tani dikush prej jashtë do e kryejë detyrën tonë, do na mbrojë dhe do të kujdeset për sigurinë tonë. Përkundrazi, anëtarësimi në sistemet kolektive të sigurisë siç është NATO-ja, nënkupton përgjegjësi të madhe dhe kontribut aktiv në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, jo vetëm në shtëpi por edhe në nivel global, për shkak se jemi të vetëdijshëm se paqja është kategori e pandashme. Pjesëtarët e armatës sonë deri tani kanë marrë pjesë dhe marrin pjesë në më shumë operacione paqësore anembanë botës. Me ç'rast, armata jonë edhe pse e vogël, përsëri çdo ditë dëshmon se ka ushtarë dhe oficerë mirë të përgatitur të cilët në mënyrë efikase dhe me përgjegjësi i përmbushin detyrat e dhëna. Respektivisht, kemi armatë e cila i përmbush standardet e NATO-s.

Në të njëjtën kohë, NATO nuk është vetëm organizatë ushtarake por, ka dimension shumë të rëndësishëm civil, i cili para së gjithash është i orientuar kah funksionimi i tërësishëm i shtetit juridik, respektimit të të drejtave dhe lirive njerëzore, gjegjësisht respektimit të zbatimit të të gjitha standardeve demokratike mbi të cilat themelohet sot demokracia parlamentare. Besoj se gjatë këtij shkollimi, të gjitha këto dimensione të aleancës do të prezantohen para dëgjuesve të cilët janë njerëz të ri nga Armata e Republikës së Maqedonisë, mandej diplomues të ri të cilët janë të interesuar për këtë çështje, si edhe përfaqësues të sektorit joqeveritar, të të rinjve partiak dhe të tjerë. Me një fjalë, njerëz të ri të cilët nesër do i gëzojnë përfitimet nga integrimi në NATO dhe BE, por në të njëjtën kohë do i kryejnë edhe obligimet që rrjedhin nga anëtarësimi.

Të nderuar,

Në program pashë se për dëgjuesit planifikohet edhe vizitë e institucioneve dhe prandaj, dua të theksoj se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, gjegjësisht personalisht unë dhe kolegët e mi deputetë, me kënaqësi të madhe do të pranojmë takime të këtilla dhe nëpërmjet dialogut të hapur me dëgjuesit e ri do e prezantojmë punën e Kuvendit, veçanërisht në realizimin e reformave të cilat nevojiten për integrimin tonë në strukturat euroatlantike. Prandaj, më lejoni në fund t'ju uroj punë të suksesshme, a jam i bindur se aktiviteti juaj dhe cikli i ardhshëm i trajnimit do të reflektohet shumë pozitivisht mbi përhapjen dhe përforcimin e vlerave euroatlantike. 

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click