Aktivitetet

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Konferencën Përfundimtare të Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë me rastin e Projektit "Përforcimi i dialogut rinor për promovimin e proceseve demokratike në dritën e integrimeve euroatlantike" 

I nderuar kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, z. Zoran Zaev,
I nderuar kryetar i Këshillit euro-atlantik të Maqedonisë, z. Ismet Ramadani,
Shkëlqesi,
Zonja dhe zotëri,

Më lejoni që në fillim t'ua uroj jubileun, njëzet vite prej formimit të Këshillit Euro-atlantik të Maqedonisë. Periudhë në të cilën ju si organizatë joqeveritare u etabluat si subjekt shumë i rëndësishëm shoqëror në realizimin e përcaktimit tonë strategjik, dhe ky është integrimi i tërësishëm në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Miq të nderuar, këtë nuk e them për shkak të rregullave të kurtuazisë ose protokollit por, e mendoj me sinqeritetin më të madh. Gjegjësisht, derisa e ushtroja detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, u njoftova mirë me veprimin tuaj dhe kishim  bashkëpunim shumë të mirë dhe efikas.

Ashtu siç përmenda në fillim të fjalimit tim, Republika e Maqedonisë, prej pavarësimit, i definon anëtarësimin në NATO dhe BE si përcaktimin e vet strategjik. Këto janë përcaktime për të cilat edhe atëherë, por edhe tani, kemi konsensus politik dhe përkrahje të gjerë prej opinionit, respektivisht prej qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Dëshiroj vetëm t'ua përkujtoj anketën e fundit që e realizoi IRI dhe sipas së cilës, përkrahja për integrimet Euroatlantike është mbi 80 përqind.

Të gjithë i dimë arsyet se pse në samitin e Bukureshtit nuk u bëmë anëtarë e plotfuqishme e NATO-s. Kemi kontest dhe ne si politikanë jemi të obliguar ta zgjidhim. Për këtë na obligon vullneti i shprehur dhe përcaktimi i qytetarëve. Unë jam i bindur se qeveria aktuale dhe kjo shumicë parlamentare, me shumë seriozitet dhe unë kisha thënë me vendosmëri politike, e filloi procesin me të cilin sërish kthehemi në rrugën e integrimeve Euro-atlantike.

Shihni vetëm çfarë po ndodh këtë javë në Bruksel! Maqedonia e prezanton para Komitetit të zëvendës përfaqësuesve të përhershëm të misioneve të vendeve anëtare të NATO-s, Programin nacional vjetor 2017-2018 për anëtarësim në NATO, me çka fillon cikli i 18-të i Planit aksional për anëtarësimin tonë. Program i cili nga ana e Komitetit është vlerësuar si shumë i mirë. Në të njëjtën kohë, pas pauzës disavjeçare, u mbajt takimi i ekipeve negociatore të Maqedonisë dhe Greqisë, me ndërmjetësuesin Nimic, rreth kontestit me emrin.

Prapa këtyre trendëve pozitivë, qëndron vetëm një vegël dhe kjo vegël është dialogu. Dialogu në planin  e brendshëm, ndërmjet subjekteve politike, dialogu me publikun ekspert, me sektorin joqeveritar, dialogu dhe transparenca e mediumeve. Në të njëjtën kohë, hapëm procese të dialogut me fqinjët, me çka krijojmë atmosferë besimi. Në këtë mënyrë, fillojnë edhe proceset e zgjidhjes së çështjeve të hapura dhe e gjithë kjo çon kah stabiliteti më i madh i rajonit dhe i perspektivës Euro-atlantike të rajonit. Gjithashtu, është filluar dialog i sinqertë dhe i hapur me Brukselin dhe me Uashingtonin, respektivisht partnerët tanë strategjik.

Njërin nga rolet kryesore të Këshillit Euro-atlantik të Maqedonisë e shoh pikërisht në përforcimin e dialogut në të gjitha nivelet. Dua veçanërisht të theksoj, por edhe të apeloj te të gjithë institucionet, për përkrahje të tërësishme të aksionit tuaj "Përforcimi i dialogut rinor për promovimin e proceseve demokratike në dritën e integrimeve Euro-atlantike." Respektivisht, me këtë aksionin tuaj, ju synoni drejt të rinjve dhe shoqatave dhe asociacioneve të tyre, me ç'rast e inkurajoni gjeneratën e re ta mësojë dhe ta pranojë dialogun si një nga vlerat dhe parimet themelore mbi të cilat qëndron demokracia. Kurse, pa demokraci të kuptuar në kuptimin më të gjerë të fjalës, vështirë se do të mund ta realizojmë qëllimin tonë strategjik, dhe ky është anëtarësimi në NATO dhe BE, a me këtë edhe stabilitetin e brendshëm dhe prosperitetin. Ndonjëherë, si demokraci e re, harrojmë se politikanët nuk janë të përhershëm.

Prandaj, në fund, dua edhe njëherë ta shpreh përkrahjen time për konferencën tuaj dhe t'ju vërtetoj se Kuvendi, dhe unë personalisht, çdoherë do të jemi të hapur për aktivitetet tuaja të këtilla dhe të ngjashme, të cilat janë në funksion të prosperitetit të shtetit në tërësi. Aktivitete të cilat çojnë kah përforcimi i rolit të të rinjve në të gjitha proceset shoqërore, në krijimin e politikave publike, a veçanërisht në realizimin e përcaktimit tonë strategjik për integrimin e tërësishëm në strukturat Euro-atlantike.

Ju faleminderit për vëmendjen.

Click