Aktivitetet

E martë, 5 shtator 2017

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Konferencën shkencore ndërkombëtarr 

Zonja dhe zotërinj,
I nderuar ministër,
Të nderuar të pranishëm të sferës akademike të Universitetit Shën Cirili dhe Metodi, 
Të nderuar mysafirë pjesëmarrës,Të nderuar të pranishëm,

Vërtetë kam kënaqësi të marr pjesë sot në hapjen e kësaj Konference Shkencore Ndërkombëtare me temë „Ballkani ndërmjet perëndimit dhe lindjes: Sfidat e vjetra dhe/apo të reja të sigurisë“, në organizim të Institutit të Mbrojtjes, Sigurisë dhe Paqes në Fakultetin Filozofik në Shkup dhe Fakultetit të Sigurisë në Universitetin në Beograd. Fakti që kjo konferencë organizohet bashkërisht, tregon qartë se shkenca dhe mendimi shkencor nuk njohin kufij, dhe tjetra, dimension edhe më i rëndësishëm është fakti që sot, në proceset e globalizimit, paqja dhe siguria janë kategori të pandashme dhe na tangojnë të gjithë neve që jetojmë në këtë rajon, megjithatë edhe Evropën si kontinent. Kënaqësia ime nga prezenca e sotme këtu në mesin tuaj është shkaktuar edhe për faktin se unë kam qenë pjesëtar profesional i forcave të mbrojtjes, e derisa e ushtroja funksionin ministër i Mbrojtjes i Republikës së Maqedonisë, pata mundësinë dhe kënaqësinë të bashkëpunoj me Institutin tuaj dhe me shumicën e profesorëve të Institutit pikërisht për këto çështje.

Të nderuar, 

Më lejoni në fillim të theksoj se Republika e Maqedonisë nga pavarësia e saj, për qëllimin e saj strategjik e përcaktoi integrimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kur bëhet fjalë për integrimin në Bashkimin Evropian, të gjitha shtetet e rajonit u përcaktuan për integrimin e plotë, e kur bëhet fjalë për NATO-n, disa shtete tanimë janë anëtare të plota (Shqipëria dhe Mali i Zi), kurse Maqedonia, për shkak të kontestit me emrin qysh nga samiti i NATO-s në Bukuresht, pret për hyrje. Fqinji ynë verior, Republika e Serbisë, si shtet sovran u përcaktua të mbetet jashtë NATO-s. Të mos keqkuptohem, këtë përcaktim duhet të gjithë ta respektojnë, e njëkohësisht dua të theksoj se kur bëhet fjalë për sigurinë në rajon, Republika e Serbisë, ka rol të rëndësishëm e përkatësisht me këtë edhe përgjegjësi.

Kur flasim për paqen dhe sigurinë në rajon, të gjithë jemi të vetëdijshëm se ekzistojnë shumë faktorë që e determinojnë sigurinë e secilit shtet veças dhe të rajonit në tërësi. Me këtë rast nisem nga shkalla e demokracisë, sundimit të së drejtës dhe shtetit juridik në çdo shtet, e deri në konstelacionin e ri të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kur flas për këta faktorë „të brendshëm“ që e determinojnë sigurinë, mendimi im është se ende ngecim kur bëhet fjalë për proceset demokratike të kuptuara në kuptimin e tyre të gjerë, si dhe në funksionimin e shtetit juridik. Edhe pse ndoshta jo me këtë dinamikë që prej nesh e presin sikur qytetarët tanë, ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare, ne shkojmë përpara. Të gjithë ju e dini se Maqedonia, dy vitet e fundit u ballafaqua me krizë politike që u bazua pikërisht në mosrespektimin e këtyre standardeve. Megjithatë, me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, arritëm së pari saktë t'i përkufizojmë dhe lokalizojmë problemet, por edhe të miratojmë plan dhe program për tejkalimin e tyre. Unë, sinqerisht besoj se shumica parlamentare aktuale punon seriozisht në drejtim të tejkalimit të krizës, përkatësisht do të thosha në hapjen e një kapitulli të ri në jetën politike në Republikën e Maqedonisë.

Ndërmjet këtyre dy, t'i quaj në mënyrë laike faktorë kufitarë, kemi një lepezë të plotë të faktorëve, nëse dëshironi edhe kërcënime për paqen dhe sigurinë në rajon dhe shtetet në të. Do të theksoj vetëm disa me të cilat u ballafaquam ne si shtet, megjithatë edhe tërë rajoni në dy vitet e fundit. Mendoj në krizën e refugjatëve, përkatësisht në rutën ballkanike përmes së cilës kaluan qindra mijëra refugjatë, para se gjithash, nga shtetet në të cilat zhvillohej luftë. Republika e Maqedonisë, e këtë e theksojnë edhe të gjitha organizatat ndërkombëtare, u përgjigj me sukses në krizën e migrantëve nga të gjitha aspektet, me shkallë të lartë të respektimit të rregullave ndërkombëtare dhe respektimit të standardeve të Kombeve të Bashkuara kur bëhet fjalë për migrimet dhe refugjatët. Për rajonin, asgjë më e vogël nuk është as kërcënimi i terrorizmit ndërkombëtar që më shpesh vjen nga e ashtuquajtura Shteti Islamik. Këtë e përmend nga shkaku që ballafaqimi i suksesshëm me të gjitha sfidat është e mundur vetëm përmes bashkëpunimit të plotë të të gjitha shteteve në rajon. Duke pasur parasysh nëpër çfarë kaluan shtetet në rajonin e Ballkanit Perëndimor në dekadën e fundit të shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij shekulli, si edhe antagonizmat e vjetër historikë, mendoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se vetëm përmes bashkëpunimit bilateral dhe multilateral mund t'i tejkalojmë keqkuptimet e ndërsjella dhe në të njëjtën kohë t'u përgjigjemi të gjitha sfidave që mund ta rrezikojnë paqen dhe stabilitetin, si në çdo shtet, ashtu edhe në rajon dhe më gjerë. Atë që dua ta theksoj në fund është se këtë dialog dhe këtë bashkëpunim dimë t'i realizojmë pa ndihmë apo ndërmjetësim prej jashtë. Shembulli i tillë pozitiv është tejkalimi i precedentit të fundit diplomatik ndërmjet Shkupit dhe Beogradit që e zgjidhëm shpejt dhe përmes dialogut, pa u prishur të gjitha marrëdhëniet e përgjithshme reciproke të zhvilluara në nivel të lartë. Megjithatë mendoj se në këtë konferencë, për bashkëpunimin në rajon do të flasin vërtetë ekspertë kompetentë. 

Në fund, dua edhe një herë të falënderohem për ftesën dhe t'ju uroj punë të suksesshme, me shpresë se konkluzionet, rekomandimet, por edhe kritikat tuaja të argumentuara, politikanët e rajonit do të dinë t'i shfrytëzojnë dhe zbatojnë në vendimet politike që kanë të bëjnë me stabilitetin dhe paqen në rajon dhe realizimin e përcaktimeve strategjike.

Click