Aktivitetet

E premte, 4 maj 2018

FJALIMI I KRYETARIT XHAFERI NË KONFERENCËN SHKENCORE TË TITULLUAR "QEVERISJA NË SEKTORIN PUBLIK: SFIDAT DHE PERSPEKTIVAT" 

I nderuar ministër, 
I nderuar rektor Dika,
Shkëlqesi,
Të nderuar përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Shkup, 
Të nderuar profesorë,
Zonja dhe zotëri, 

Më paraqet nder të veçantë që sot gjendem këtu midis jush dhe që kam nderin ta bëj hapjen solemne të kësaj Konference shkencore të organizuar nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore në Universitetin e Evropës Juglindore. 

Republika e Maqedonisë, që nga pavarësimi i ka vendosur prioritetet e veta strategjike dhe këto janë anëtarësimi i plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Për këtë e kemi përkrahjen e fuqishme të qytetarëve por, edhe mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë. Arritja e këtyre synimeve është detyrë e përbashkët e të gjithë atyre që janë në pozitë që ta japin kontributin e vet për bërjen e reformave në shoqëri. Reformat e përfshijnë edhe administratën publike e cila është pjesë thelbësore e aparatit shtetëror, ajo është bartëse dhe zbatuese primare e të gjitha përpjekjeve që i bën pushteti ligjvënës, pushteti ekzekutiv dhe ai gjyqësor, në drejtim të arritjes së standardeve dhe vlerave evropiane. Si rezultat i këtyre përpjekjeve të përbashkëta, Republika e Maqedonisë, në Progres raportin më të ri të Komisionit Evropian, mori vlerësime pozitive dhe rekomandim të pakushtëzuar për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në BE. Gjithsesi se kjo është rezultat i punës së palodhshme të Qeverisë, Parlamentit, gjyqësorit, pushtetit lokal por, administrata publike, qendrore dhe lokale është ajo e cila është zbatuesi dhe bartësi i drejtpërdrejtë i këtyre reformave dhe pasqyrë e vërtetë e asaj se ku jemi dhe ku duam të arrijmë. Po ashtu, Progres raporti, përveç që është motivim i madh, është obligim edhe më i madh për të vazhduar në drejtimin tonë evropian, për arsye se ardhmëria evropiane është opsioni i vetëm i pranueshëm për të gjithë.

Me këtë rast, dua të theksoj diçka që besoj se e kemi të qartë të gjithë ne dhe kjo është se, ato reforma, ato ndryshime në mënyrën e qasjes, metodologjisë së punës dhe organizimit të administratës publike, nuk i bëjmë vetëm që të bëhemi pjesë e BE-së dhe NATO-s por, i bëjmë për të arritur diçka tjetër, shumë më të rëndësishme, i bëjmë për mirëqenien e qytetarëve tanë, për krijimin e kushteve dinjitoze për jetë dhe punë. Pikërisht këtu e luan rolin kryesor administrata publike e cila duhet të jetë efikase, maksimalisht efektive dhe pasqyrë e vërtetë e përpjekjeve të përbashkëta. 

Në rajon, por edhe më gjerë, në Evropë, përvojat janë të llojllojshme. Hasim në modele të suksesshme por, edhe në modele jo aq të suksesshme. Pikërisht forumet e këtilla, konferencat shkencore, debatet që zhvillohen këtu, janë mënyra më e mirë për shkëmbimin e përvojave, për identifikimin e sfidave dhe perspektivave, për krahasimin e modeleve dhe trajtimin e mangësive ose përparësive të tyre por, edhe për prezantimin e modeleve të mundshme të kombinuara të reja. Kultivimi i gjeneratave të reja të administratorëve publik të cilët do të jenë të gatshëm të ballafaqohen me sfidat që i sjell globalizimi, është sfidë e përbashkët e universiteteve por edhe e pushtetit qendror dhe lokal. 

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe unë, si kryetar i Kuvendit, jemi mbështetës i këtyre tentativave dhe me këtë rast, dëshiroj që këtij forumi të respektuar ti uroj konferencë të suksesshme dhe punë të mbarë, me shpresë se rezultatet e këtij debati shkencor do të jenë kontribut i çmuar në rrugëtimin tonë evropian.

Ju falënderoj për vëmendjen! 

Click