Aktivitetet

E mërkurë, 6 shkurt 2019

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në mbylljen e Fushatës humanitare të Fondacionit „You Are a Sunflower”

Mirdita të gjithëve,
Të nderuar kolegë deputetë, 
I nderuar ministër Filipçe, 
Të nderuar drejtorë Stavriq dhe Ibraimi,
I nderuar kryetar komune Ganiu, 
I nderuar ambasador Reka,
Të nderuar përfaqësues të Fondacionit,  
Të nderuar punonjës shëndetësorë,
Të nderuar prindër dhe fëmijë,

Kam nderin dhe kënaqësinë të gjendem këtu dhe t’ju përshëndes në emrin tim dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në këtë ditë të veçantë, ditë solemne, në ditën e përmbylljes së Fushatës humanitare të Fondacionit „You Are a Sunflower”. Fondacion i cili kishte idenë, kishte vullnetin dhe humanizëm dhe vetësakrificë të mjaftueshme në vete që të iniciojë një fushatë humanitare e cila nuk njeh dhe nuk pranon kufij, dhe ka tendencë të zgjerohet edhe më gjerë në rajon. Filloi në Tiranë, vazhdoi në Prishtinë dhe sot jemi këtu, në Shkup në vënien kurorë mbi këtë fushatë e cila rezultoi me blerjen e pajisjes teknike spitalore e cila mungonte në Pavijonin e Onkohematologjisë në Klinikën Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve në Shkup. 

Kur ju drejtuan Kuvendit që të bashkëngjitemi në këtë fushatë, pranuam pa hezitim, u veshëm në bluzat me logon e tyre me qëllim që të dërgojmë mesazh te të gjithë se të gjithë mund të bëhemi dielli i dikujt, të gjithë mund të rrezatojmë dhe të ngrohim me veprat dhe veprimet tona. Kjo është gjëja më e vogël që mundeshim ta bëjmë për këtë fushatë. Ndërsa si shtëpi ligjvënëse, mundemi dhe do të bëjmë shumë më tepër. Me këtë rast kam ndërmend legjislacion i cili do të përshtatet dhe përpilohet çdoherë me një moto të vetme – njeriu para së gjithash dhe mbi të gjitha! Të gjithë meritojnë shëndetësi funksionale dhe të arritshme për të gjithë, të gjithë meritojnë kushte dinjitoze për jetë, mirëpo edhe kur janë sëmurë dhe shërohen. 

Fëmijët, më e çmuara, më e rëndësishmja por sërish, qenia më e pamundur. Gëzohemi me to, mallëngjehemi me to, sëmuremi me to. Dhe nëse me këtë rast mund ta lehtësojmë së paku dhimbjen e tyre, duhet ta bëjmë edhe të pamundurën të mundur. Kjo do na bëjë njerëz më të mirë, humanë dhe të kujdesshëm, profesional të ndërgjegjshëm shoqëror, mirëpo para së gjithash dhe mbi të gjitha, njerëz.

E di se me këtë nuk do të zgjidhen të gjitha çështjet që e brejnë shëndetësinë tonë, punëtorët tanë shëndetësorë, fëmijët tanë të dashur mirëpo, lejoni që kjo pikë në det të jetë pika e cila do të iniciojë valë e cila do të përhapet dhe do i valëzojë zemrat dhe mendimet e të gjithëve që në cilëndo mënyrë mund të kontribuojnë me veprat dhe veprimet e veta në ndërtimin e një bote më humane, një shoqërie më humane dhe jetës dinjitoze për të gjithë. Sytë e përlotura të fëmijëve dhembin dhe prekin njëlloj. 

Nevojitet zemërgjerësi, hapje e mendjes dhe para së gjithash dhe mbi të gjitha vizion dhe përkushtim, ju e posedoni këtë dhe unë uroj që energjia juaj kurrë mos shuhet, jeni gjithmonë dritë dhe shpresë për të pamundurit. Urime për punën tuaj humanitarë të nderuar, urime për elanin, përkushtimin dhe palodhshmërinë e juaj! Le të jetë bota për ju botë pa kufij! Bëhuni frymëzim për njerëzit anembanë botës, urime!

Click