Aktivitetet

E premte, 23 nëntor 2018 

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në promocionin e publikimit "Udhëzime për mbikëqyrjen mbi zbulimin" e organizuar nga DKAF-i

I nderuar z. Remilar,
Të nderuar kolegë deputetë,
Shkëlqesi, Përfaqësues të shoqërisë civile, 
Zonja dhe zotëri,

Besoj se të gjithë që sot jemi të pranishëm në këtë promocion të publikimit "Udhëzime për mbikëqyrjen e zbulimit", e ndajmë ndjenjën e njëjtë të kënaqësisë për arsye se ky është produkti i parë i diturisë pas nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim dhe kjo është shenjë se projekti shkon mirë. Ky publikim ose nëse parapëlqeni doracak, është krijuar me nismën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, më saktë, komisioneve kompetente, a është përpiluar nga ana e Qendrës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura nga Gjeneva. Kontributi i më shumë ekspertëve të jashtëm dhe vendorë për këtë publikim është i çmueshëm dhe me këtë rast, dëshiroj që të shpreh falënderim edhe ndaj qeverive, respektivisht ministrive përkatëse të Britanisë së Madhe dhe Holandës, të cilat në mënyrë financiare e mbështetën programin për reforma në sektorin e zbulimit, a kuptohet se në ato suaza edhe përpilimin e këtij publikimi. Gjithsesi se patjetër ta përmend edhe z-njën Teodora Fuior e cila është autore dhe redaktore e këtij doracaku.

Zonja dhe zotëri,

Siguria dhe zbulimi janë sektorë të cilët sipas natyrës së punës së vet vijnë në ndeshje me të drejtat dhe liritë e njeriut mirëpo, në të njëjtën kohë, edhe pse mund të tingëllojë si kontradiktore, këto sektorë janë një nga shtyllat e sigurisë dhe stabilitetit të çdo shteti. Dhe, tani imponohet pyetja, si të tejkalohet kjo kundërthënie? Përgjigja është shumë e thjeshtë, së paku në shikim të parë, dhe kjo është funksionimi i shtetit juridik. Standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimin e të drejtës, imponojnë që puna dhe autorizimet e këtyre shërbimeve të definohet me Ligje të qarta dhe lehtë të kuptueshme. Kushti i dytë është, kontroll i zhvilluar dhe efikas parlamentar mbi këto sektorë. Për arsye se, në rast se nuk kemi sundim të të drejtës dhe kontroll efikas parlamentar, këto sektorë, në vend që ta garantojnë sigurinë e shtetit, mund të  bëhen gjeneratorë të krizave. Për fat të keq, afera me përgjimin që plasi në fillim të vitit 2015 vërtetoi se, pa mbikëqyrje efikase parlamentare mbi sistemet e sigurisë dhe zbulimit,  ato shndërrohen në vegël të rëndësishme të sundimit autoritar të një grupi të ngushtë të njerëzve, a në të njëjtën kohë, edhe për kënaqjen e interesave të tyre lukrative. Nuk do e zgjas shumë me këtë, tani përgjegjësia është në duart e pushtetit gjyqësor dhe unë jam i bindur se gjyqet do të marrin vendim të pavarur për secilin që ka rënë ndesh me ligjin dhe që i ka keqpërdorur këto sisteme. Sërish, epilogu gjyqësor është vetëm ballafaqim me pasojat e jo me arsyen. Prandaj, miqtë tanë ndërkombëtarë, qartë rekomanduan se nevojite reforma rrënjësore në sektorin e sigurisë dhe të zbulimit, me qëllim që të përforcohet efikasiteti i kontrollit mbi këto shërbime. Edhe atë, duke filluar prej kontrollit të brendshëm i cili, së paku formalisht ekziston në ministritë përgjegjëse, mandej pushteti ekzekutiv, respektivisht Qeveria, a theks i veçantë në rekomandimet ishte vënë mbi kontrollin parlamentar dhe trupat e pavarur ekspertë që janë jashtë Kuvendit. Në Kuvend ka tre komisione që merren me këtë problematikë, gjegjësisht mund të bëjnë mbikëqyrje mbi shërbimet e sigurisë dhe të zbulimit. Ato janë, Komisioni i Mbrojtjes dhe Sigurisë,  Komisioni për Mbikëqyrjen e Punës së Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Zbulim dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Implementimit të Masës së Veçantë Hetuese-Ndjekja e Komunikimeve nga ana e Ministrisë për Punë të Brendshme, Policisë Financiare, Drejtorisë Doganore dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Duke i ndjekur praktikat dhe rekomandimet evropiane, me dy komisionet e fundit kryeson përfaqësues i opozitës. Me Ligjin e ri për ndjekjen e komunikimeve, që e nxorëm në vitin 2018, ka disa risi, mirëpo, para kësaj e kam patjetër të theksoj një aspekt tjetër, sipas meje aspekt shumë i rëndësishëm dhe ky është konstruktiviteti dhe kontributi maksimal i opozitës në procesin e nxjerrjes së këtij ligji, i cili u miratua me shkallë të lartë të konsensusit. Sa u takon risive në ligj, e para është formimi i Këshillit Qytetar për Mbikëqyrje, trup i cili është jashtë Kuvendit por që në punën e vet është ngushtë i ndërlidhur me Kuvendin, veçanërisht me Komisionin veç më të përmendur për Ndjekjen e Komunikimeve. Risi është edhe fakti që tani, çdo qytetar i cili dyshon se ia ndjekin komunikimin, mund të parashtrojë parashtresë pranë Këshillit i cili së bashku me Komisionin  do të duhet të përcaktojë nëse ka pasur kundërvajtje. Më tutje, me këtë Ligj  formohet AOT (OTA), gjegjësisht Agjencia Operative Teknike. Në fakt, me këtë trup mënjanohen mundësitë teknike të Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit për ndjekjen e komunikimeve, këtë do e bëjë AOT edhe atë vetëm me urdhëresë gjyqësore.

Kolegë dhe miq të nderuar,

Kjo qeveri dhe kjo shumicë parlamentare arriti ta kthejë Republikën e Maqedonisë në rrugën euroatlantike. Tani para nesh është një detyrë shumë përgjegjëse dhe e vështirë, dhe kjo është zbatimi i reformave në shumë fusha, respektivisht implementimi i vërtetë i standardeve dhe parimeve evropiane. Siç thashë në fillim, me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, por para së gjithash me vullnetin e shprehur të të gjithë neve që jemi pjesë e pushtetit ligjvënës, bëmë disa hapa pozitive në rrugën euroatlantike. Dua të besoj se opozita edhe në të ardhme, siç ishte me këtë shembull, do të demonstrojë kooperim dhe do i tejkalojë interesat partiake ose po interesat e individëve. Në anën tjetër, ju vërtetoj se shumica parlamentare do të mbesë e hapur për dialog konstruktiv, do të mbesë e hapur për ide të mira dhe zgjidhje të ofruara për arsye se është e qartë se opozita nuk është vetëm dekor i demokracisë parlamentare, siç është e qartë se opozita gjithashtu ka përgjegjësi për funksionimin e demokracisë parlamentare. Sot, me promovimin e këtij publikimi para opinionit dhe para qytetarëve tanë, tregojmë se kemi bërë hap fillestar por hap cilësor në kthimin e besimit të qytetarëve, si në institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe kundërzbulimin, ashtu edhe në Kuvendin. Siç thashë më, parlamentarizmi bashkëkohor nuk nënkupton vetëm nxjerrje të ligjeve por, mbikëqyrje edhe më të madhe mbi implementimin e tyre, a veçanërisht kur bëhet fjalë për realizimin, respektivisht cenimin e të drejtave të njeriut.

Në fund, kisha dashur që evenimenti i sotëm, i cili është rezultat i nismës kuvendare dhe i bashkëpunimit me miqtë tanë ndërkombëtarë, me opinionin ekspert dhe sektorin joqeveritar, ta ndjekin edhe trupat tjerë të Kuvendit kur bëhet fjalë për kompetencat e tyre, që të mundemi më shpejt dhe në mënyrë më efikase të lëvizim në rrugën euroatlantike që na çon kah integrimi i plotë në NATO dhe në BE. Ky është obligimi ynë para qytetarëve që na kanë zgjedhur dhe besojnë në ne.

Ju faleminderit.

Click