Aktivitetet

E mërkurë, 27 qershor 2018 

FJALIMI I KRYETARIT XHAFERI NË ROS-ROT SEMINARIN E 98-tetë 

I nderuar zotëri Paolo Ali, kryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, 
Të nderuar kolegë deputetë, 
Të nderuar anëtarë të Qeverisë, 
Shkëlqesi, 
Zonja dhe zotëri, 

Që në fillim, dëshiroj që mysafirëve tanë tu uroj qëndrim të këndshëm te ne, a gjithsesi të gjithë pjesëmarrësve tu uroj punë të mbarë. Për mua si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë është kënaqësi e veçantë që pasi në vitin 1994 u bëmë anëtare asociative e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, tani më për të shtatën herë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është mikpritës i seminarit Ros-Rot. Kënaqësia është edhe më e madhe për arsye se seminari mbahet në këtë moment historik për ne. Respektivisht, të gjithë e dimë se pas pothuajse 27 viteve, është gjetur zgjidhje e pranueshme e ndërsjellë me Qeverinë e Greqisë fqinje, rreth kontestit që ishte pengesa kryesore për të cilën Republika e Maqedonisë akoma nuk është anëtare e NATO aleancës, edhe pse që në samitin e Bukureshtit duhej të pranoheshim së bashku me Kroacinë dhe Shqipërinë. 

Tema e këtij Ros-Rot seminari të 98-tetë me rend është "Integrimi euroatlantik i Ballkanit Perëndimor: përforcimi i procesit paqësor evropian". Më lejoni që t'ju rikujtoj në seminarin e 75-të që u mbajt në vitin 2010 këtu në Shkup, dhe në të cilin mes tjerash, diskutonim për zgjidhjen e kontesteve bilaterale në rajon, a me këtë edhe hapjen e perspektivës euroatlantike të gjithë rajonit. Me këtë rast, unë atëherë isha deputet dhe e paraprija delegacionin tonë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Atëherë theksova se pikërisht integrimi Euroatlantik është çështje që duhet të na bashkojë të gjithë në rajon, por edhe se kjo është çështje që nuk guxon ti lë indiferent edhe shtetet tjera në Evropë, të cilat angazhohen për prosperitet, për paqe dhe stabilitet, për vlera që janë njëlloj të rëndësishme për të gjithë. Dhe sot, falë vullnetit dhe pjekurisë të të gjithë ne që jetojmë në rajon, mirëpo edhe falë angazhimit të miqve tanë ndërkombëtarë, Ballkani Perëndimor nuk është më thënë simbolikisht "fuçi baruti". T'ju rikujtoj se para do kohe në Klubin Atlantik, si anëtar i plotfuqishëm u pranua Mali i Zi. Më tutje, Beogradi dhe Prishtina, edhe pse kanë shumë çështje të hapura, përsëri, të dyja palët shumë qartë theksojnë se vetëm me anë të dialogut mund të zgjidhen të gjitha çështjet. Mandej, në këtë klimë të re konstruktive në rajon gjithsesi se bën pjesë edhe fakti që Republika e Maqedonisë, para do kohe nënshkroi Marrëveshje për miqësi me Bullgarinë fqinje me të cilën janë tejkaluar të gjitha antagonizmat që i ngarkonin marrëdhëniet bilaterale, a në mënyrë indirekte edhe gjendjen në rajon. Jam i bindur se marrëveshja që e nënshkruan kryeministrat e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, Zaev dhe Cipras, do të zbatohet më së voni deri në fund të vitit nga të dyja palët në tërësi, dhe ne në dhjetor të këtij viti ose në fillim të vitit në janar, do të bëhemi anëtare e tridhjetë e plotfuqishme e NATO-s. 

Zonja dhe zotëri, 

Kur përmendet aleanca e NATO-s, mendimi i parë gjithmonë është organizatë ushtarake, gjegjësisht fuqi dhe pushtet ushtarak. Mirëpo, të gjithë e dimë se NATO-ja ka edhe një dimension shumë të rëndësishëm civil, nëpërmjet të të cilit sigurohen parime dhe standarde themelore të demokracisë parlamentare, respektim i të drejtave dhe lirive njerëzore, sundimi i të drejtës dhe shtetit juridik. Ky dimension manifestohet nëpërmjet Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në kuadër të së cilës është edhe seminari Ros-Rot. 

Nisma për formimin e seminarit Ros-Rot kishte shumë rol të rëndësishëm në proceset e shteteve të Evropës Juglindore, ndër të cilat edhe në Republikën e Maqedonisë, pas ndryshimeve që ndodhën me rënien e murit të Berlinit.

Pikërisht ky sesion i Ros-Rot seminarit i është përkushtuar atij dimensioni civil, respektivisht demokratik. Gjegjësisht, realizimi i të drejtave dhe lirive njerëzore, sundimi i të drejtës dhe shtetit juridik, funksionimi i demokracisë së vërtetë parlamentare në të cilën ballafaqohen programet më të ndryshme politike dhe me anë të dialogut gjetet zgjidhja më optimale që është në interes para së gjithash të qytetarëve, janë themeli mbi të cilin ndërtohet stabiliteti i çdo shteti. Asgjë më pak i rëndësishëm për stabilitetin e çdo shteti por edhe më gjerë, nuk është edhe sektori joqeveritar, si edhe liria e mediumeve, hapja dhe transparenca e institucioneve shtetërore ndaj mediumeve, por, edhe respektimi i standardeve profesionale në hapësirën mediatike. Vetëm kështu mund të përgjigjemi të gjithë së bashku ndaj sfidave që e rrezikojnë paqen, pa dallim nëse bëhet fjalë për terrorizmin, për krimin e organizuar ose migracionet dhe krizën refugjate. Besoj se gjatë debatit do të dëgjojmë mendime dhe zgjidhje shumë interesante por po ashtu edhe të dobishme për të gjitha këto çështje. 

Kolegë të nderuar, zonja dhe zotëri,

Këtu do e kisha përfunduar fjalimin tim të shkurtër hyrës, që të mundemi kohën e mbetur ta shfrytëzojmë për hapjen e dialogut i cili do të bazohet mbi pyetjet dhe mendimet tuaja ndërsa unë do të përpiqem që tu përgjigjem në mënyrë të hapur dhe politikisht të sinqertë. 

Urdhëroni!

Click