Aktivitetet

E enjte, 12 korrik, 2018, Varshavë 

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në Samitin e 3-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Qendrore dhe Lindore në temën Parlamentet në politikat ndërkombëtare"  

I nderuar kryesues,
Të nderuar kolegë,
Zonja dhe zotëri

Në 30 vitet e fundit prej rënies së perdes së hekurt me të cilën Evropa ishte ndarë në dy blloqe ideologjike antagoniste, shumë gjera u ndryshuan. Ne, shtetet dhe popujt e Evropës Juglindore që ishim në anën tjetër, unë kisha thënë në anën e errët, në këto tridhjetë vite të tranzicionit megjithatë arritëm ti kthejmë në përditshmërinë tonë shumë parime dhe standarde civilizuese dhe demokratike të cilat për arsye ideologjike ishin të ndaluara dhe këtu mendoj për respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore. Gjithsesi se kjo nuk shkonte as shpejtë, as lehtë. Do të flas nga përvoja në vendin tim, Republika e Maqedonisë. Nëse në fillim më shumë i ngjasonim një makine votuese e cila i miraton ligjet e propozuara nga Qeveria, sot jemi një Parlament ku zhvillohem debate të gjalla, të argumentuara. 

Përsëri, përparimi më i madh është arritur në dy fusha dhe këto janë, përforcimi i rolit mbikëqyrës të parlamentit mbi pushtetin ekzekutiv dhe roli gjithnjë më i theksuar i parlamenteve në marrëdhëniet ndërkombëtare, si në nivelin bilateral ashtu edhe në atë multilateral, respektivisht zhvillimi i diplomacisë parlamentare. Bëhet fjalë për një trend mjaft bashkëkohor në marrëdhëniet ndërkombëtare i cili nuk ka ndërmend ta zëvendësojë diplomacinë klasike por, falë të gjitha atyre përparësive që i ka parlamenti si institucion, ta japë kontributin e vet si në marrëdhëniet bilaterale, ashtu edhe në ato multilaterale.  A qëllimi i të gjithë neve është i njëjtë, gjegjësisht, të përgjigjemi në sfidat që i sjell globalizimi, të sigurohet paqe, stabilitet dhe prosperitet, si për qytetarët tanë, ashtu edhe më gjerë, në nivel të rajonit ose në kuadër të Evropës së Bashkuar. Vetëm të përmend se para dy javëve, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ishte mikpritës i Ros-Rot Seminarit të 98-të, që është vegël shumë e rëndësishme dhe mbi të gjitha për ne, vegël shumë e dobishme në suazat e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Për shtetet e Evropës Juglindore, bashkëpunimi në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s është shumë e rëndësishme, sidomos kur bëhet fjalë për integrimet euroatlantike, por edhe si mundësi për krijimin e politikave të përbashkëta për çështje të caktuara dhe realizimin e projekteve të përbashkëta. Në këtë kontekst, në prill të këtij viti kishim sesion në Lubjanë, ndërsa në qershor të vitit të kaluar, në riga, kishim sesion të Forumit Parlamentar të Sigurisë në të cilin merrnin pjesë rreth 30 parlamente nacionale dhe në të cilin debatohej për sfidat globale të sigurisë dhe përgjigjen më të mirë ndaj tyre. 

Shumë i ngjashëm është bashkëpunimi me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe me Parlamentin Evropian, të cilët përmes mekanizmave të veta luajtën rol shumë të rëndësishëm dhe të suksesshëm në proceset e përgjithshme të tranzicionit të shteteve të Evropës Juglindore si edhe për integrimin e tyre në strukturat euroatlantike. 

Diplomacia parlamentare për të cilën jam i bindur se e zhvillojmë me sukses në rajon, mundësoi dy punë kryesore. Të kuptojmë në mënyrë definitive dhe të pranojmë se vetëm nëpërmjet dialogut mund ti tejkalojmë mosmarrëveshjet bilaterale dhe antagonizmat historike, dhe në të njëjtën kohë, të  shohim se kjo është rruga e vetme që do e çojë çdo shtet veçanërisht dhe gjithë rajonin në BE dhe në NATO. Vetëm t'ju rikujtoj se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot ka marrëdhënie lartë të zhvilluara me parlamentet e Bullgarisë, Serbisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi ndërsa ajo që është më e rëndësishme është se si parlamente kemi luajtur, unë kisha thënë, rol vendimtar në tejkalimin e disa çështjeve shumëvjeçare historike të hapura. Personalisht, shpresoj se marrëdhënie të këtilla së shpejti do të vendosim edhe me Greqinë fqinje, tani më kur është nënshkruar marrëveshja me të cilën u arrit mirëkuptim për zgjidhjen e dallimeve rreth emrit të shtetit tonë. 

Kolegë të nderuar,  

I numërova këto shembuj të praktikumit të mirë dhe të suksesshëm të diplomacisë parlamentare, pa dallim nëse bëhet fjalë për takime dhe biseda në nivel të kryetarëve parlamentarë, në nivel të trupave punues ose po shërbimit të kuvendeve. Përvojat pozitive janë këtu, a edhe ky takim i ynë këtu në Varshavë është gjithsesi pjesë e kësaj diplomacie parlamentare. Detyra jonë është të vazhdojmë ta kultivojmë dhe zhvillojmë diplomacinë parlamentare, ti zgjidhim të gjitha sfidat që i sjell globalizimi, pa dallim nëse bëhet fjalë për çështje nga fusha e ekonomisë, krizës migrante, krimit të organizuar dhe terrorizmit, deri në projektet e përbashkëta ekonomike dhe infrastrukturore. Dhe, mos harrojmë se nëpërmjet diplomacisë parlamentare e përforcojmë dhe zhvillojmë demokracinë në shtëpi, në rajon dhe në nivel global. 

Në fund, dëshiroj ta shfrytëzoj këtë mundësi dhe ta uroj Shënimin e 550-vjetorit të Parlamentarizmit Polak dhe njëqindvjetorin e Pavarësisë së Polonisë. 

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click