Aktivitetet

E hënë, 19 nëntor 2018, Halifaks, Kanada 

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në Sesionin e 64-t të Asamblesë Parlamentare të NATO-s  

E nderuara kryetare e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, z-nja Raza Jukneviçiene,  
Të nderuar kolegë, anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s,
Shkëlqesi, 
Zonja dhe zotëri, 

Kisha dashur që në fillim të fjalimit tim ta përshëndes mbështetjen e kryetares së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, z-njës Raza Jukneviçiene për Republikën e Maqedonisë në NATO, si edhe angazhimin e NATO-së nëpërmjet dërgimit të ftesës për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO para disa muajsh. Veçanërisht gëzonte fakti që në programin e saj për punë, ndër të tjerat, si prioritet ishte theksuar politika e partneritetit dhe e dyerve të hapura, respektivisht anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO. Me lejen tuaj, do të bëj një retrospektivë të shkurtër lidhur me prezencën tonë në aleancën e NATO-s. 

Republika e Maqedonisë, si anëtare asociuese është e pranishme në Asamblenë Parlamentare të NATO-s prej vitit 1994. Unë personalisht, në vitin 2010, atëherë si deputet, e paraprija delegacionin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. T'ju rikujtoj, në këtë periudhë ne ishim edhe mikpritës të shtatë sesioneve të seminarit Ros-Rot. I fundit, sesioni i 98-të u mbajt në Shkup në muajin korrik të këtij viti. E gjithë kjo flet, jo vetëm për prezencën tonë formale në strukturat civile të NATO-s por bashkë me gjithë pjesëmarrjen e ushtarëve tonë në misionet paqësore të paraprira nga NATO-ja në Irak dhe Afganistan, e tregon kontributin tonë aktiv, kuptohet në kuadër të mundësive tona, në ruajtjen e paqes që është kategori e pandashme. Për gjithë këtë kohë, sado që të jetë kontributi jonë i vogël apo i madh, ka diçka që është thënë dhe është përsëritur zëshëm prej të gjithëve që kanë bashkëpunuar me pjesëtarët e forcave tona të sigurisë a që janë pjesë e misioneve paqësore të NATO-s, dhe kjo është se ato janë profesionistë të vërtetë me vlera, shkathtësi dhe standarde lartë të përvetësuara, të njëjta me të gjithë pjesëtarët e strukturave të NATO-s. Kjo është vërtetim se mësojmë, rritemi dhe zhvillohemi, si forca të sigurisë mirëpo, në të njëjtën kohë edhe si shoqëri, edhe si shtet. Këtu, edhe pse me arsim jam ushtar dhe kam qenë profesionalisht oficer aktiv a më vonë edhe ministër i Mbrojtjes, sado që ta kem këtë dimension për zemre, unë përsëri do e kërcej dimensionin ushtarak dhe do e theksoj dimensionin e dytë, komponentin civil të organizatës së NATO-s. Gjegjësisht, Republika e Maqedonisë, prej vitit 1991 kur u bë shtet i pavarur, autonom, e zgjodhi rrugën nëpër të cilën do të ecë dhe do të zhvillohet gj.gj. përmbushjen e kushteve për anëtarësim të plotfuqishëm në familjen euroatlantike. Ky përcaktim ishte udhërrëfyesi i cili luajti rol tejet pozitiv në proceset e përgjithshme të tranzicionit të shteteve të Evropës Juglindore ndër të cilat është natyrisht edhe Republika e Maqedonisë. Respektivisht, nëpërmjet tij ne mësojmë dhe i pranojmë parimet dhe standardet e demokracisë parlamentare, respektimin e të drejtave dhe lirive individuale dhe kolektive të njeriut, sundimin e të drejtës dhe shtetit juridik. Përmbushja e këtyre kushteve, do të kontribuojë që qytetarët tanë të ndjehen të barabartë dhe njëlloj të vlefshëm për shoqërinë dhe ndaj kësaj do të përgjigjen me besim në institucionet shtetërore dhe besnikëri ndaj vendit. Me sigurinë juridike, në pako shkon edhe siguria ekonomike, respektivisht vendi bëhet atraktiv edhe për investuesit e huaj për të cilët anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO është provë e mjaftueshme se investimet e tyre janë të sigurta, ndërsa përfitimi kuptohet se është edhe për ekonominë vendore e cila bëhet më e fuqishme, hapen vende të reja të punës dhe natyrisht zvogëlohet papunësia në vend, si konsekuencë, të rinjtë tanë janë të animuar që arsimimin e vet plotësues, rritjen dhe zhvillimin e vet profesional dhe ardhmërinë e familjes së vet ta planifikojnë këtu, në shtëpi, në vendin e vet. Dhe më e rëndësishmja, siguria e jetës, e pronës, pacenueshmëria dhe integriteti i kufijve janë esenciale. Pikërisht për këto arsye, sipas hulumtimeve të opinionit publik, në Republikën e Maqedonisë, mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin tonë të plotfuqishëm në integrimet euroatlantike është konstant mbi 75 përqind.  

Zonja dhe zotëri,

Nuk do të flas për atë se pse nuk jemi akoma anëtare e plotfuqishme  e NATO-s. Nuk do të flas për Samitin në Bukuresht, kur Republika e Maqedonisë ishte bllokuar dhe nuk u bë anëtare e plotfuqishme në NATO, edhe pse atëherë së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë i përmbushëm kushtet për pranim. Dua të flas për të tashmen dhe shkurtimisht ta prezantoj gjendjen aktuale në Republikën e Maqedonisë a që është drejtpërdrejtë e ndërlidhur me realizimin e qëllimeve tona strategjike dhe ato janë anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. 

Është e njohur në përgjithësi se marrëdhëniet e mira fqinjësore, zgjidhja e çështjeve të hapura dhe si konsekuencë, vendimmarrja me konsensus paraqesin conditio sine qua non për hyrjen e papenguar në aleancën e NATO-s. Duke u nisur nga nevoja për mënjanimin e këtyre pengesave reale, shumica parlamentare aktuale dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me përkrahje të qytetarëve, bashkërisht morën qëndrim dhe ndërmorën para së gjithash hapa të guximshme dhe vizionare në drejtim të tejkalimit të këtyre pengesave që e bllokonin integrimin tonë në NATO dhe në BE. Fillimisht u nënshkrua Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë, me të cilën u afirmuan lidhjet e fuqishme ekzistuese dhe u hap dera për bashkëpunim edhe më të ngushtë në fusha të ndryshme, prej infrastrukturës deri në kulturë dhe mandej, në fillim të verës, pas kontestit që zgjati 27 vite të gjata, ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë e nënshkruan Marrëveshjen finale për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe për partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve ose, Marrëveshjen e ashtuquajtur të Prespës. Me këtë Marrëveshje u krijua korniza për zgjidhjen definitive të këtij kontesti që i ngarkonte marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Atenës dhe Shkupit, gjegjësisht, pamundësonte vendosje të marrëdhënieve diplomatike normale dhe zhvillim të marrëdhënieve natyrale, fqinjësore dhe të bashkëpunimit me fqinjin e drejtpërdrejtë. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, thënë në mënyrë metaforike, e ktheu shtetin dhe shoqërinë tonë përsëri në rrugën euroatlantike. Natyrisht se nuk ishte lehtë, kishte dyshime dhe mosbesim, arritja e kompromisit nuk është e lehtë kurrë, gjithmonë do të ketë ndonjë të pakënaqur mirëpo, nuk guxojmë ta shohim këtë si ana fitimtare dhe humbëse. Të gjithë ne jemi fitimtarë, për arsye se e hapëm rrugën për arsyen të vijë te zgjidhja e pranueshme për të dyja palët. Edhe pse, më duhet patjetër të them se edhe më tutje nuk do të jetë lehtë por, dëshmuam se kur ka vullnet, kur ka vizion për ardhmërinë, gjithçka është e mundshme, bile të lëvizen edhe male, për shkak se gjendja status quo në momente të caktuara, thënë sinqerisht ishte frustruese dhe e ndjenin më së shumti qytetarët tanë. Përveç kësaj, gjendja e këtillë kishte implikime mbi situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor a edhe më gjerë. Vlefshmëria e Marrëveshjes është parashikuar pas rrumbullakimit të disa fazave ose procedurave. Së pari u ratifikua Marrëveshja në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, që pastaj të vijojë prononcimi në referendum i qytetarëve për çështjen e pranimit të Marrëveshjes së Prespës i cili do e hapte rrugën për anëtarësim të shtetit në BE dhe në strukturat e NATO-s. E dini se referendumi, për shkak të bojkotit të opozitës nuk e përmbushi pragun e duhur të daljes mirëpo, është fakt se shumica e mbi 630 mijë qytetarëve që dolën të votojnë, me votën e vet e mbështetën marrëveshjen me Greqinë fqinje, respektivisht dhanë përkrahje për ndryshimet kushtetuese të cilat imponohen me implementimin e kësaj marrëveshjeje. 

Derisa jam këtu, dua t'ju informoj se në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë tani më është filluar procedura për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës dhe për momentin Komisioni Kushtetues e ka përfunduar debatin për amendamentet e dërguara nga Qeveria dhe të njëjtat janë përcjellë në procedurë të mëtejshme të përcaktuar me Rregulloren për punë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Faza e ardhshme është debati i gjerë publik për propozim amendamentet, në të cilin debat do të marrin pjesë subjektet më të ndryshme shoqërore të opinionit akademik dhe ekspert, sektori joqeveritar, bashkësia e biznesit dhe të tjera. Në këtë mënyrë, dëshirojmë që këto ndryshime të rëndësishme të kuptohen dhe të mbështeten para së gjithash prej një rrethi të gjerë të qytetarëve si edhe prej subjekteve më të ndryshme shoqërore dhe politike. Përsëri, nuk kisha dashur t'ju ngarkoj me procedurat, vetëm dua t'ju njoftoj me një fakt shumë të rëndësishëm dhe ky është se, për fillimin e vetë procedurës për ndryshimet kushtetuese, përveç shumicës parlamentare votoi edhe një pjesë e opozitës, për shkak se për momentin pjesa më e madhe e opozitës akoma nuk e përkrah marrëveshjen me Greqinë fqinje. Situata nuk dallon as në Atenë mirëpo, me kalimin e çdo dite, ndjehet ndryshimi në perceptimin e këtij momenti të ri në zhvillimin e shtetit tonë të ri, a unë besoj se forcat progresive, vizionare dhe atdhedashësit e vërtetë do e bëjnë lëvizjen e  vërtetë për përparimin e mëtejshëm të sigurt të Republikës së Maqedonisë dhe në fund, kur do të duhet amendamentet të miratohen në Kuvend dhe të bëhen pjesë përbërëse e Kushtetutës, mundet nuk do të kemi konsensus të plotë por një pjesë e madhe e opozitës do të votojë për ndryshimet kushtetuese. Mandej e ka radhën Republika e Greqisë, respektivisht ratifikimi i Marrëveshjes në parlamentin grek, njoftimi i kryetarit të Këshillit të Bashkimit Evropian se jep përkrahje për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë dhe njoftimi i Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s se jep përkrahje për drejtimin e ftesës për aderimin e Maqedonisë në këtë strukturë. Kjo do të thotë përmbushje të përcaktimeve strategjike të Republikës së Maqedonisë, të miratuara që nga pavarësimi në vitin 1991, kjo do të thotë përmbushje të qëllimit për të cilin kanë punuar dhe kontribuuar të gjithë bartësit e kaluar dhe aktual të pushtetit në vend. 

Kolegë të nderuar,

Presidenti amerikan Hari Truman, i cili është një nga kreatorët e aleancës së NATO-s në vitin e largët 1949, ka thënë, citoj:

"Progresi paraqitet kur liderë të guximshëm dhe të shkathët do e shfrytëzojnë rastin dhe do i ndryshojnë gjerat për të mirë", dhe ka shtuar:

"Njerëzit e bëjnë historinë, e jo historia njerëzit". 

 Mendoj se për momentin, jo vetëm në Shkup dhe Atenë por edhe në shtetet tjera në rajon ka liderë të atillë. Mundësitë janë këtu para nesh, dhe ato janë pikërisht integrimet euroatlantike, gjegjësisht anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian. Mos harrojmë se proceset eurointegruese kontribuojnë që përkufizimi për "Ballkanin si fuçi baruti", ngadalë por sigurt shkon në histori a besoj se të gjithë ne që jetojmë në Ballkan e kemi mësuar leksionin historik dhe në të ardhme do të jemi oaza e paqes, e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. 

Do të ishte jo modesti në qoftë se këtu në këtë rast, para këtij forumi të respektuar nuk e përmend ndihmën e madhe të cilën shteti im por edhe rajoni e pranojmë prej aleancës së NATO-s si organizatë por, edhe individualisht nga shtetet anëtare, nëpërmjet projekteve më të ndryshme. Gjithsesi, nuk mendoj vetëm për ndihmën materiale që është edhe si e rëndësishme, por mendoj për ndihmën për implementim më të lehtë të reformave të duhura në të gjitha segmentet e shoqërisë dhe shtetit. Ajo ndihmë nuk mund të shprehet në para, ndërsa përfitimet i ndjejmë ne por, do i ndjejnë edhe shumë gjenerata që do të vijnë pas nesh. 

Prandaj, më lejoni që me këtë rast, të shpreh mirënjohje, si për aleancën e NATO-s, ashtu edhe individualisht për çdo shtet anëtar të kësaj aleance. Në të njëjtën kohë, dëshiroj që edhe njëherë t'ju bind se obligimet tona për anëtarësimin e plotfuqishëm do i përfundojmë në afatin e paraparë dhe shpresoj se vitin e ardhshëm në këtë kohë, do të jemi anëtarja e plotfuqishme e tridhjetë e kësaj familjeje.

Ju faleminderit! 

 

Mirënjohje nga Medelin Mun, kryetar i AP-së së NATO-s, për Kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi

Click