Aktivitetet

E shtunë, 26 maj 2018, Tiranë 

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në Takimin e 15-të Evropës juglindore në Sesionin e Parë

Të nderuar miq,
Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që së pari të shpreh kënaqësi të sinqertë për organizimin e një takimi të këtillë madhështorë. Takimet e Mëngjesit të Lutjeve janë një traditë inspiruese që përçojnë vlerat e besimit, paqes dhe dashurisë, dhe pikërisht janë këto vlera thelbësore që i nevojiten njerëzimit për tu ballafaquar me sukses me sfidat globale të shekullit të 21-të. Është fakt se çdo ditë e më shumë është duke u krijuar një kontekst global i ekzistencës së njeriut, qoftë në kontekstin ekonomik, politik,  kulturor, apo religjioz. Prandaj, vlerësoj se Mëngjesi i Lutjes është një mundësi për t’i shkëmbyer përvojat, qëndrimet apo bindjet tona në lidhje me ndodhitë globale aktuale dhe sfidat që sjellin ato, si dhe njëkohësisht të shprehim falënderimet tona për mirëqenien, miqësinë dhe bashkëpunimin reciprok.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Më vjen mirë që Mëngjesi i Lutjeve këtë vit prek çështjen e dashurisë dhe respektit ndaj fqinjit, pasi që Republika e Maqedonisë me formimin e Qeverisë së re është e orientuar pikërisht ndaj ndërtimit të mirëkuptimit dhe marrëdhënieve të mira me fqinjët. Në këtë drejtim, tashmë kemi nënshkruar marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë, i kemi intensifikuar bisedat me Republikën e Greqisë, si dhe kemi iniciuar vizita reciproke me shtetet tjera fqinje. Vlerësoj se tani më shumë se kurrë rajoni ynë ka nevojë për stabilitet ekonomik dhe politik, dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë, si në aspekt bilateral ashtu edhe në aspektin multilateral. Sfidat e fundit globale që prekën shtetet tona, siç ishte vala e refugjatëve, dhe zhvillimet e fundit pozitive politike,  janë edhe një dëshmi më tepër se vendet tona dita ditës hapërojnë sigurt drejt dyerve të integrimit Euroatlantik. 

Të nderuar miq,

Më lejoni që në fund të theksoj edhe njëherë se me besim të ndërsjellë dhe duke e çmuar diversitetin si pasurinë më të çmuar që kemi, do të arrijmë më shpejtë ti plotësojmë qëllimet tona strategjike të përbashkëta, që janë integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO. 

Zoti na bekoftë dhe na mundësoftë që si kombe dhe shtete të arrijmë urtësi edhe më të madhe gjatë rrugës sonë të përbashkët. 

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click