Aktivitetet

E hënë, 25 qershor 2018 

FJALIMI I KRYETARIT XHAFERI NË TAKIMIN VJETOR TË PËRFAQËSUESVE TË KOMISIONEVE PËR MBROJTJE DHE SIGURI NGA PARLAMENTET E EVROPËS JUGLINDORE 

Të nderuar kolegë deputetë, 
E nderuar nënkryetare e Qeverisë, 
Të nderuar ministra, 
Shkëlqesi,
Zonja dhe zotëri, 

Që në fillim, më lejoni ta shpreh kënaqësinë time që ne si Kuvend i Republikës së Maqedonisë, më saktë, Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri është mikpritës i takimit të sivjetmë të Qendrës për Siguri dhe Bashkëpunim, në të cilin janë të pranishëm përfaqësues të Komiteteve të Sigurisë dhe Bashkëpunimit të parlamenteve të shteteve të Evropës Juglindore.

Dua t'ju rikujtoj se kjo Qendër e cila është më e njohur me shkurtesën RAKVIAK, është formuar në vitin 2000, si qendër rajonale për kontroll dhe verifikim të armatimit dhe ndihmë gjatë implementimit dhe në fakt është pjesë e Paktit për stabilitet.

Gjatë zhvillimit të vet, gjithsesi nën ndikimin e ndryshimit të gjendjes së sigurisë në Evropën Juglindore, ndryshohej edhe roli i qendrës. Kështu, në vitin 2010 u nënshkrua marrëveshje e re me të cilën Qendra fiton statusin e organizatës ndërkombëtare misioni i të cilës është avancimi i dialogut dhe bashkëpunimit për çështjet e sigurisë në Evropën Juglindore nëpërmjet partneritetit mes vendeve në rajon dhe partnerëve të tyre ndërkombëtarë. Funksioni i dytë, po ashtu i rëndësishëm të cilin në periudhën e kaluar e kryente Qendra e Sigurisë dhe Bashkëpunimit RAKVIAK është përforcimi i kontrollit parlamentar mbi sistemet e armatosura dhe të sigurisë, që është një nga principet themelore të demokracisë parlamentare. Gjithë këtë e përmend për arsye se si deputet, dhe si ministër i Mbrojtjes, kam pasur bashkëpunim tejet të zhvilluar me  këtë Qendër a nëpërmjet saj ose bashkë me të, edhe me organizata dhe institucione ndërkombëtare tjera qeveritare dhe joqeveritare, siç janë NATO, BE, OSBE, deri edhe Qendra zvicerane për Kontroll Demokratik mbi Forcat e Armatosura, DCAF dhe të tjera. 

Miq të nderuar, 

Të gjithë e dini se para dhjetë ditëve Republika e Maqedonisë dhe Greqia fqinje e zgjidhën kontestin pothuajse tre dekadash i cili në fakt ishte edhe pengesa më e madhe në procesin e integrimit tonë euroatlantik. Në të njëjtën kohë, ky kontest i ngarkonte edhe marrëdhëniet e përgjithshme dhe stabilitetin në rajon. T'ju rikujtoj, para kësaj e nënshkruam marrëveshjen për miqësi me Bullgarinë fqinje, me çka u tejkaluan të gjitha antagonizmet e hapura që i ngarkonin marrëdhëniet bilaterale. Por, të kthehem te marrëveshja me Greqinë që për ne, por edhe për Greqinë dhe rajonin, ka një dimension shumë të qartë historik. Mendoj se Republika e Maqedonisë, me këtë marrëveshje, si edhe me marrëveshjen me Bullgarinë, jo vetëm që i rregullon marrëdhëniet bilaterale me fqinjët, jo vetëm që e debllokon rrugën e vet kah integrimet euroatlantike por, jep kontribut historik në stabilitetin, paqen dhe perspektivën euroatlantike të gjithë rajonit. 

Ballkani Perëndimor kolegët ë nderuar, gjithnjë e më pak i ngjan fuçisë së barutit dhe mendoj se të gjithë së bashku i japim një perspektivë shumë të qartë, evropiane. A si erdhi deri te kjo? Fillimisht është vullneti politik i liderëve aktual politik dhe qeverive aktuale që këto probleme dhe antagonizma të zgjidhen. A deri te zgjidhja u erdh vetëm me anë të dialogut dhe hapjes ndaj argumenteve edhe të njërës edhe të tjetrës palë. аSiç e dini, Ligji për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë kaloi në Parlament. Pres që edhe të gjitha institucionet tjera shtetërore, përfshirë këtu edhe presidentin e shtetit, do e respektojnë Kushtetutën dhe demokracinë parlamentare. A, kjo marrëveshje a do të zbatohet apo jo, gjithsesi në fund do të vendosin qytetarët në referendum, ndërsa ne si politikanë me përgjegjësi, do të duhet atë vullnet gjithsesi ta respektojmë. 

Zonja dhe zotëri, 

Besoj se gjatë punës tuaj dyditore, do të përqendroheni në të gjitha këto çështje. Gjithashtu, jam i bindur se do të jepni shumë ide të reja, mendime por edhe praktika pozitive kur bëhet fjalë për kontrollin demokratik mbi sistemet e armatosura dhe të sigurisë, që është një nga vlerat themelore të çdo shoqërie demokratike dhe shteti juridik. Dhe, sigurisht do të bisedoni edhe për çështje tjera të cilat janë pjesë e programit të Qendrës për Siguri dhe Bashkëpunim, prandaj, më lejoni në fund edhe njëherë t'ju uroj punë të mbarë, ndërsa mysafirëve tanë qëndrim të këndshëm. 

Ju faleminderit për vëmendjen. 

Click