Aktivitetet

E hënë, 28 maj 2018, Tiranë 

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në temën "Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm: Kthimi i luftëtarëve të huaj terroristë"

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Proceset e globalizimit përkrah shumë përfitimeve, sjellin edhe sfidat më të ndryshme të cilat e rrezikojnë para së gjithash paqen botërore. Pjesë e këtyre rreziqeve janë edhe format ekstreme të radikalizmit, i cili më së shpeshti fshihet pas një shpjegimi të gabuar ose të shtrembëruar të një religjioni të caktuar, ndërsa manifestohet përmes terrorizmit. Gjithsesi se një nga kërcënimet më të mëdha akoma vjen nga formalisht ISIS-i i mposhtur. Për rajonin tonë, por edhe për Evropën, kjo paraqet sfidë serioze, sepse pikërisht nga vendet tona kishte luftëtarë në ISIS, të cilët sot janë kthyer apo janë duke u kthyer në shtëpitë e tyre. Prandaj, është shumë e rëndësishme mënyra se si do të ballafaqohemi me këtë lloj të radikalizmit. Para se gjithash, rëndësi të madhe ka bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kompetente të çdo shteti të cilat përmes shkëmbimit të informacioneve dhe përmes formave tjera të bashkëpunimit do të mund të veprojnë në mënyrë parandaluese ndaj ish luftëtarëve të grupeve ekstreme-radikale të cilët kthehen në vendet e tyre, apo të cilët nën mantelin e krizës së refugjatëve nisen drejt destinacioneve të ndryshme Evropiane. Këtë bashkëpunim, së paku në Republikën e Maqedonisë, e cilësojmë si përvojë pozitive gjatë kohës së krizës së refugjatëve.  

Është fakt se në shumë shtete të rajonit, pjesëmarrja në formacionet ushtarake dhe paraushtarake të huaja, sipas legjislacionit të brendshëm të shteteve, cilësohet si krim. Por a mjafton vetëm politika dhe legjislatura ndëshkuese për zgjidhjen e këtij problem? Në këtë aspekt, shumë më e rëndësishme është mënyra e risocializimit të këtyre njerëzve që kthehen në shtëpitë e tyre, respektivisht mundësimi i përfshirjes në shoqëri. Besoj se në këtë drejtim, përkrah institucioneve shtetërore të caktuara, rol tejet të rëndësishëm ka edhe sektori joqeveritar, i cili përmes programeve dhe aktiviteteve mund të lehtësojë riintegrimin e këtyre njerëzve dhe familjeve të tyre, respektivisht t’i shndërrojë ato në anëtarë të përgjegjshëm të shoqërisë. Gjithsesi, edhe këtu nuk duhet të mungojë bashkëpunimi cilësor ndërmjet institucioneve shtetërore dhe sektorit jo-qeveritar në nivel rajonal, por edhe më gjerë.  

Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar miq,

Sidoqoftë, kjo sfidë është reale dhe ekziston para çdo subjekti shoqëror dhe shtetëror. Besoj se si shtete të përgjegjshme dhe politikanë të përgjegjshëm, doemos duhet që përmes dialogut dhe bashkëpunimit, të mbrohemi nga çdo formë e ekstremizmit radikal, por dhe njëkohësisht t'ju ndihmojmë atyre njerëzve të cilët për arsye të ndryshme janë larguar nga rruga e drejtë, të rikthehen përsëri në drejtimin e duhur – të paqes dhe tolerancës. Pikërisht për këtë arsye, edhe motoja e këtij takimi është mirësia ndaj të afërmve, sepse pikërisht njerëzimi është një nga vlerat më të larta globale. 

Ju faleminderit.

Click