Aktivitetet

E mërkurë, 7 shkurt 2018

Grubi e filloi vizitën në SHBA me Kongresistët Prajs dhe Viskloski 

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Artan Grubi, e filloi vizitën e tij në SHBA me takim në Uashington me kongresistët, Dejvid Prajs dhe Pit Viskloski.

Kongresisti Prajs është bashkëkryesues i Partneritetit për Demokraci të Kongresit Amerikan ku ndërtohen qëndrime mbipartiake dhe politike ndërmjet republikanëve dhe demokratëve.

Grubi foli për nevojën për shfrytëzimin e përvojës së Partneritetit për Demokraci të Kongresit Amerikan për ndërtimin e qëndrimeve mbipartiake në Kuvendin tonë, rreth integrimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe reformat sistemore.

Grubi, gjithashtu, e informoi bashkëbiseduesin për rrjedhën e reformave në vend, si dhe për negociatat për kontestin me emrin me fqinjin tonë jugor, me ç’rast e kërkoi mbështetjen e SHBA-së për arritjen e zgjidhjes së pranueshme reciprokisht.

Në takimin me Kongresistin Viskloski u fol për sfidat e Evropës Juglindore në rrugën drejt komunitetit euroatlantik, NATO perspektivat e Maqedonisë dhe mbështetjen e SHBA-së për Maqedoninë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Grubi hapur dhe drejtpërdrejt kërkoi ndihmë nga autoritetet e SHBA-së për zhbllokimin e të gjitha pengesave që qëndrojnë në rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe kontributi i drejtpërdrejtë i SHBA-së është i nevojshëm në këtë proces.

Në takimet e veçanta me dy Kongresistët, u konfirmua mbështetja e SHBA-së për Maqedoninë dhe nevojën për angazhim më të madh të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor dhe u angazhuan për hapa konkrete në Uashington në drejtim të integrimit Euroatlantik në vendin tonë. 

Paraprakisht, në Dhomën e Grupit të Miqve të Kenedisë, në Senat, Grubi mori pjesë në forumin e rregullt për gjeopolitikë të Ballkanit ku morën pjesë senatori Xhejms Inhof, dhe kongresistët Robert Aderholt, Robert Pitenger, si dhe shumë mysafirë të lartë.

Grubi, gjithashtu, u takua edhe me Jan Suroqak, drejtor i IRI-t për Evropë dhe Poll Mekarti, zëvendësdrejtor, prej të cilëve kërkoi t'i intensifikojnë programet e tyre në Maqedoni, posaçërisht në drejtim të ndërtimit të konsensusit reformues, si dhe ngritjes së kapacitetit demokratik në institucionet dhe besimit të tyre te qytetarët.

Click