Aktivitetet

E premte, 20 shtator 2019, Uashington 

GRUBI, MISOVSKI DHE KUZMANOVSKA NË TRAJNIM KUNDËR KORRUPSIONIT NË SHBA 

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në përbërje me deputetët: Goran Misovski nga PRSD-ja, Artan Grubi nga BDI-ja dhe Liljana Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE-ja në Uashington janë të pranishëm në evenimente dhe trajnime për luftë kundër korrupsionit dhe qeverisjes transparente të organizuar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI).  

Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti nga PRSD-ja Misovski konsideron se është mirë që Qeveria e deritanishme për dallim nga disa ish-qeveri tjera, nuk i vë nën tepih skandalet korruptive. 

“Shembull i veçantë është afera e ashtuquajtur “Reket” të cilën kryeministri Zoran Zaev e paraqiti në Komisionin për Parandalim të Korrupsionit dhe në Prokurorinë Publike. Ne si Qeveri dhe si shumicë parlamentare absolute kemi qëndrim të përbashkët, se lufta kundër korrupsionit doemos duhet të jetë në nivel më të lartë, tha Misovski. 

Sipas tij, nëse një pushtet vendos standarde të larta për zero tolerancë në korrupsion, çdo qeveri e ardhshme doemos duhet t'i ndjekë ato standarde. “Kjo është diçka që miqtë tanë në SHBA na sugjerojnë vazhdimisht, theksoi ai. 

Deputeti Misovski theksoi se është i bindur se Republika e Maqedonisë së Veriut më 15 tetor do të fitojë datë për fillimin e negociatave, e më 4 dhjetor në Samitin e NATO-s vendi do të bëhet anëtare e plotfuqishme e Aleancës Veriatlantike. “Mendoj se vendi ynë lëvizë në drejtim të duhur, në lidhje me atë se a kemi punuar mirë, këtë do ta tregojnë qytetarët në zgjedhjet vitin e ardhshëm". 

Deputeti Artan Grubi theksoi se qëllimi i vizitës është trajnim dhe konferencë për luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjes transparente. “Këtu jemi që të mësojmë nga praktikat më të mira amerikane, si qeveri federale dhe autoritetet lokale të SHBA-së luftojnë kundër korrupsionit, prandaj pas Uashingtonit shkojmë të njoftohemi me praktikat e antikorrupsionit në qytetin e Indianapolisit". 

Në kuadër të vizitës deputetët sot kanë vizitë pune në Kongresin Amerikan. Deputeti Grubi mbrëmë u takua me senatorin republikan Ron Xhonson, mbështetës dhe mik i madh i gjithë rajonit dhe me Dejvid Konstellançik, drejtor i zyrës për Evropë jugore dhe qendrore në Stejt Departmentin. 

Deputetja Liljana Kuzmanovska deklaroi se delegacioni parlamentar ka marrë pjesë në konferencën e IRI-it ku kanë pasur takime edhe me ish-kongresistë që kanë folur për përvojat e tyre me luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen e përgjegjshme. 

“Ajo që u theksua është se korrupsioni është proces i cili nuk do të ndalet, pavarësisht se sa dhe çfarë hapa bëhen, por qëllimi është që ai të reduktohet, me njohjen e tij në të gjitha segmentet e jetës dhe në të gjitha format e tij, të cilat janë të ndryshme - ai është i pranishëm edhe në politikë edhe në pushtetin ekzekutiv.

Ndërsa ne duhet të kemi kapacitete të ndërtuara për ta çrrënjosur atë" theksoi Kuzmanovska. 

Click