Aktivitetet

E hënë, 16 shtator 2019 

GRUPI I PUNËS I KUVENDIT ME MBËSHTETJE TË PLOTË PËR AVANCIMIN E KUSHTEVE THEMELORE PËR QËNDRIM NË BURGUN E SHKUPIT

Në kuadër të kompetencave të vet, Grupi i punës i Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje Fadil Zendeli, kryetar i Komisionit; Mirsada Emini-Asani, Trajço Dimkov, Panço Minov dhe Sllagjana Mitovska, realizoi vizitë zyrtare në IPN Burgu Shkup – Shkup. Në shoqërim të Grupit ishte përfaqësuesi i NDI-së.

Grupi i punës kishte nevojë që në vend ta konstatojë gjendjen në Burgun Shkup, i njohur si Shutkë, për shkak se në të gjendet njësia më e madhe dhe më e siguruar e paraburgimit në Maqedoni ku ekzekutohet masa e paraburgimit e shqiptuar ndaj meshkujve dhe femrave nga gjithë territori i vendit, të cilëve u kanoset dënim me burg mbi dhjetë vjet.

Gjithashtu, u realizuan takime me drejtorin e Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve, Jovica Stojanoviq dhe drejtorin e burgut “Shkup” Esad Rahiq dhe zëvendësdrejtorin, por edhe u zhvillua bisedë e drejtpërdrejtë me personat e dënuar.

Sipas kushteve, njësia e paraburgimit Shutkë nuk mund të lavdërohet me respektimin e të drejtave të njeriut, në pajtim me Konventën evropiane për parandalim të torturës dhe sjelljes jonjerëzore ose poshtëruese. 

Disa qeli nuk janë rinovuar që nga ndërtimi i burgut, përkatësisht që nga viti 1968. Ka lagështi dhe myk, ndërsa në njësinë e burgut nuk ka kabinë telefonike. Nga ana tjetër, njësia e paraburgimit mund të lavdërohet me “dhoma të Hagës”, të cilat i përmbushin standardet e burgut evropian modern. Kur është ftohtë hapësirat ngrohen, respektohen standardet për lëvizje të lirë gjatë fundjavës dhe për pushimin vjetor. Sa i përket ushqimit, ka përmirësim në këtë aspekt, por sasia e tij ndonjëherë është më e vogël se sasia e nevojshme, ndërsa cilësia është ngritur në nivel më të lartë.

Çështja e korrupsionit në burgjet është tejet e eksploatuar në publik, por nga Drejtoria e burgut thonë se drejtoria ballafaqohet suksesshëm dhe reagon në kohë ndaj çdo rasti të dyshimtë.  Fotografimi kundërligjor kontrollohet më vështirë.

Si në shtëpitë ndëshkimore-përmirësuese, edhe këtu ka mungesë të financave për menaxhim adekuat, numër të pamjaftueshëm të të punësuarve, risocializim i dobët, mungesë të shërbimeve shëndetësore, kontakt i dobët i të burgosurve me familjet.

Janë të dukshme tentimet e drejtorit të deritanishëm dhe drejtorit të ri të burgut, me aktivitete personale, me sponsorime dhe donacione që të përmirësohen hapësira të caktuara, siç është bërë tanimë me dhomën e avokatit, parkingun dhe dhomën e vizitave, por edhe me shumë shembuj tjerë pozitivë për meremetim, rinovim të disa hapësirave, shumë aktivitete tjera në kuptim të qëndrimit më cilësor të të paraburgosurve dhe burgosurve në këtë institucion.

Shutka përgatitet për program të ri për risocializim, të cilin drejtoria e re tanimë fillon ta realizojë, e që do të paraqesë mundësi për risocializim më të mirë dhe atmosferë më të mirë në burgun. Janë paralajmëruar edhe punësime të reja në pjesën e burgut, të cilat do të fokusohen në rimëkëmbjen dhe ekonominë.

U theksua se Delegacioni i BE-së pikërisht këtu do të kryejë kontroll vlerësimi për progresin në pjesën e reformave në jurisprudencë.

Grupi i punës konstatoi nevojë për avancim plotësues të kushteve themelore për qëndrim në burgun dhe rritje të buxhetit, dhe në atë drejtim do të jepet mbështetje e plotë. 

Përndryshe, ky Grup pune është formuar më 12 qershor 2018, pas vërejtjeve në Raportin e Komisionit Evropian për gjendjen në burgjet dhe vërejtjet e publikut më të gjerë. Grupi ka për qëllim konstatimin e gjendjeve në të cilat gjenden këto institucione dhe sfidave me të cilat ballafaqohen, me qëllim përmirësimin e tyre.

Deri tani grupi ka realizuar vizitë në SHNP Idrizovë, në burgun SHNP Shtip dhe në Institucionin ndëshkimor-përmirësues Burgu i Ohrit, e si rezultat i vizitave të realizuara, Komisioni i Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit mbajti edhe debat publik me temë "Gjendja me të drejtat e njeriut në institucionet ndëshkimore-përmirësuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut".  

Click