Aktivitetet

E hënë, 22 janar 2018 

INTEGRIMI I BALLKANIT PERËNDIMOR PËR EVROPË TË PLOTË 

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z.  Artan Grubi, mori pjesë në Konferencën e kryetarëve të Komisioneve për Çështje Evropiane të vendeve anëtare dhe vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian në Sofje, Republika e Bulgarisë. 

Në konferencë, Grubi mbajti fjalim para deputetëve të parlamenteve nacionale të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe u përqendrua në perspektivat e Maqedonisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.  

Duke folur në sesionin për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe fuqia është në bashkimin, Grubi theksoi se bashkimi është i tërë kur është i plotë, e që të bëhet një Evropë e plotë, nevojitet integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vetëm atëherë Evropa do të jetë e plotë. 

"Ne, vendet e Ballkanit Perëndimor investuam shpresë në kryesimin e Bulgarisë dhe veçanërisht në prioritetin e tyre për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Evropës Juglindore, e veçanërisht edhe bashkë me kryesuesit e ardhshëm Austria dhe Rumania, do të na mundësojë një perspektivë më konkrete të BE-së. 

Presim strategji pozitive, konkrete dhe afirmative nga z. Junker, rekomandim të pakushtëzuar dhe raport pozitiv, si dhe datë për negociata, të cilën e presim nga viti 2005 me status të kandidatit dhe nga viti 2009 me rekomandim të parë për fillimin e negociatave. Gjithashtu, duke e pasur parasysh se shumica e juve janë edhe vende anëtare të NATO-s, presim mbështetje tuaj dhe në samitin e Aleancës në korrik në Bruksel" - theksoi Grubi. 

Deputeti Grubi theksoi se që ta arrijmë synimin tonë, ne jemi tërësisht të përkushtuar në reformat në sundimin e të drejtës, e rrumbullakuam pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit, e ratifikuam marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Republikën e Bulgarisë dhe e intensifikojmë dialogun me Greqinë për zgjidhje përfundimtare.  

Kërkojmë vepra konkrete prej ju, Komisionit, vendeve anëtare, si dhe më shumë ta shohim Evropën në Ballkanin perëndimor sesa Rusinë", theksoi Grubi. 

Gjatë vizitës së Sofjes, Grubi u takua me kolegët e vet nga rajoni, me kolegët nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. 

Click