Aktivitetet

E martë, 17 korrik 2018 

JOHANES HAN U DREJTUA DEPUTETËVE: JU KENI TAKIM ME HISTORINË, NUK KENI KOHË PËR TË HUMBUR 

Në mbledhjen e tretë të Këshillit Nacional për Eurointegrime mbajti fjalim Johanes Han, komisar për politikë fqinjësore evropiane dhe negociata për zgjerim të Komisionit Evropian. 

Në mbledhjen ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, shef i Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë Samuell Zhbogar dhe eurodeputeti dhe raportues për Republikën e Maqedonisë në Parlamentin Evropian Ivo Vajgëll. Në mbledhjen ishin të pranishëm kryetarët dhe anëtarët e Komisionit për Çështje Evropiane, Komisionit për Politikë të Jashtme, Komiteti i Përzier Parlamentar RM dhe BE, zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe mediat. 

Eurokomisari Johanes Han shprehu kënaqësi për mundësinë për të mbajtur fjalim para Këshillit Nacional për Eurointegrime duke e pasur parasysh se shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit janë me rëndësi kruciale për formimin e mendimit publik në vend dhe të njëjtat janë lojtarë kryesorë për procesin eurointegrues. Ai i ftoi të gjithë të marrin pjesë në Referendum, e veçanërisht të rinjtë, sepse, theksoi, se çdo votë është e rëndësishme. 

Ju keni takim me historinë, nuk keni kohë për të humbur Komisari Han theksoi se marrëveshjet e arritura historike me Republikën e Bulgarisë dhe Republikën e Greqisë krijuan moment pozitiv në anën evropiane dhe me të njëjtat Republika e Maqedonisë tregoi përkushtim dhe vendosmëri që të tejkalohen kontestet bilaterale. Hani theksoi se Komisioni Evropian në Strategjinë për Ballkanin Perëndimor përcaktoi kriter që të mos pranojë vende të reja anëtare pa zgjidhjen e kontesteve bilaterale, ndërsa Republika e Maqedonisë në atë drejtim tregoi shembull pozitiv për rajonin në pjesën e përforcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Komisari Han potencoi se Këshilli për punë të përgjithshme i BE-së e hapi rrugën për hapjen e negociatave aderuese për qershor 2019 dhe në atë drejtim Komisioni Evropian e ka detyrën që të fillojë me aktivitetet përgatitore.  Në fjalimin e tij Komisari Han potencoi se është me rëndësi të vazhdohet me implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos dhe Prioriteteve urgjente të reformës.  Shprehu kënaqësi që Republika e Maqedonisë dha rezultate në planin eurointegrues e tani radhën e ka Bashkimi Evropian që të vendos në këtë drejtim. Procesi i skriningut është aktivitet themelor i Komisionit Evropian dhe me të njëjtin përgatitet shteti për fillimin e negociatave, do të mundësojë që shteti të njoftohet më mirë me legjislacionin evropian dhe njëkohësisht Komisioni Evropian ta vlerësojë nivelin e gatishmërisë për obligimet për anëtarësim, veçanërisht në kapitullin 23 dhe 24. Komisari Han vlerësoi se Këshilli Nacional për Eurointegrime luajti rol të rëndësishëm në procesin e aderimit edhe në shtete tjera, dhe pret që edhe në Republikën e Maqedonisë, Këshilli Nacional edhe në muajt e ardhshëm të ketë rol krucial. Është me rëndësi të veçantë që Këshilli të demonstrojë inkluzivitet dhe të punojë në prioritetet strategjike të vendit. Në Këshillin ekziston mundësi e vetme që të bashkohen forcat e ndryshme në shoqërinë dhe të bëhet dalim për të mirë. Komisari Han u bëri thirrje të gjithë faktorëve që të jenë të përqendruar dhe të bashkuar në arritjen e qëllimit evropian dhe t'u jepet përparësi sferave kryesore. Porositi se Komisioni Evropian do të vazhdojë të ndihmojë në të gjitha sferat veçanërisht për reformat në jurisprudencë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën në strukturat e sigurisë dhe të zbulimit si dhe në administratën publike. Theksoi se një pjesë e këtyre reformave plotësohen me reformat e nevojshme për anëtarësim në NATO dhe dërgoi urime të sinqerta për ftesën të cilën e mori Republika e Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Në lidhje me referendumin e paraparë, komisari Han potencoi se i njëjti do të jetë me rëndësi të veçantë për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë dhe i ftoi qytetarët ta realizojnë të drejtën e tyre demokratike sepse nuk duhet të nënvlerësohet asnjë votë për rezultatin e fundit nga referendumi. 

Raportuesi në Parlamentin Evropian për Republikën e Maqedonisë Ivo Vajgëll në fjalimin e tij e potencoi mundësinë historike për Republikën e Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe NATO. Theksoi se nuk do të ketë mundësi të dytë që të zgjidhen çështjet e hapura që e ngarkojnë procesin për Republikën e Maqedonisë. E përshëndeti kompromisin si çelës për parlamentarizmin të cilin e arritën qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe e qeveria e Greqisë të shprehur përmes marrëveshjes së arritur.  Eurodeputeti Vajgëll u bëri apel deputetëve që të punojnë bashkërisht në emër të interesave nacionale të vendit, duke i tejkaluar interesat partiake. E theksoi përvojën e mirë me procesin "Dialogu Zhan Mone", i cili ka interes që deputetët të punojnë bashkë, si bazë për progres të mirë i cili duhet të vazhdojë. 

Sipas kryetarit të Këshillit Nacional për Eurointegrime Nikolla Poposki, Republika e Maqedonisë duhej ta fillonte skriningun që në vitin 2005, pasi u bë kandidate për anëtarësim në BE.  Ai sqaroi se skriningu është diagnozë, përkatësisht këqyrje të asaj se sa është i harmonizuar legjislacioni maqedonas me legjislacionin e BE-së dhe a ka institucione që mund t'i zbatojnë ato ligje.  Sipas tij, Maqedonia ka ligje të shkëlqyeshme, por çalon me institucionet.  Popovski konsideron se duhet të ndryshohet mentaliteti "kemi shumicë dhe bëjmë çfarë të duam".  Argument kryesor të cilin e përdor pushteti është se edhe të mëparshmit kanë vepruar njëlloj. Ai konsideron se kemi privilegj ta forcojmë Maqedoninë dhe t'i ndihmojmë ta ndryshojë mentalitetin. Kjo duhet të përfundojë, ndërsa përgjegjësinë e mbajnë edhe pushteti edhe opozita. Në fjalimin e tij. Popovski theksoi se nevojitet që në gjashtë muajt e ardhshëm në vend që të shtypen ligje të cilat do të vlerësohen pozitivisht nga ekspertë, pushteti dhe opozita të përkushtohen, të bashkohen dhe të bëjnë një skrining  të kapacitetit të institucioneve të vendit. Popovski theksoi se deputetët e shumicës qeveritare para komisarit Johanes Han demonstrojnë dëshirë për bashkim rreth prioriteteve strategjike, e pasi të largohet eurokomisari, në Maqedoni do të mbahet mbledhje në të cilën opozita do të vazhdojë të bëjë çfarë të dojë dhe t'i shkelë procedurat. 

Nënkryetarja e Këshillit Nacional për Eurointegrime Ivana Tufegxhiq, në fjalimin e saj theksoi se përgjegjësia është te të gjithë faktorët politikë dhe prandaj duhet të gjithë të kenë kujdes se çfarë flasin, sepse, theksoi, se duke përhapur urrejtje ne arritëm në buzë të humnerës para një viti. Në Kuvendin, pas 27 prillit janë bërë hapa serioze për ta përplotësuar dialogun. Tufegxhiq tha se procesi themelor i skriningut paraqet moment kryesor për fillimin e negociatave të Republikës së Maqedonisë me BE-në. Nga ana e të gjithë aktorëve politikë është bërë përpjekje e madhe në avancimin e dialogut jo vetëm në lidhje me pakot reformuese por edhe në sferat tjera me rëndësi të madhe për qytetarët, përfshirë edhe çështjet për të drejtat e femrave, të rinjve dhe grupeve të margjinalizuara.  Hap serioz në avancimin e të drejtave të njeriut është bërë me formimin e klubeve për të rinj, romët dhe komunitetit LGBT, theksoi Tufegxhiq.  Formimi i grupeve parlamentare ndërpartiake është shembull për atë se si në Kuvend mund të ndërtohet konsensus për çështjet e rëndësishme i cili më tutje mund të shërbejë edhe në procesin reformues, veçanërisht në përfshirjen e shoqërisë civile si partner i jashtëm.  

Në fjalimin zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, e theksoi rolin konstruktiv të Kuvendit dhe trupave punues veçanërisht në çastet kryesore në procesin e reformave, që në fakt edhe ashtu duhet të ndodhë sepse negociatat aderuese nuk mund të realizohen suksesshëm pa Kuvend konstruktiv me kapacitete tërësisht të përgatitura për ndjekje të ritmit të negociatave. Pas ftesës së marrë për anëtarësim në BE dhe në NATO kemi një vit para nesh që të tregojmë se e meritojmë vendin në familjen evroatlantike, të tregojmë bashkim dhe gjeneratave t'u lëmë shtet me vlera evropiane. 

Zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane, Bujar Osmani porositi se kjo është kohë e vendimeve të mëdha strategjike dhe se nuk ka më kohë për të humbur, secili edhe opozita edhe shumica duhet të prononcohen se në cilën anë janë.  Ai tha se kjo është kohë e vendimeve të mëdha, të cilat duhet çdokush t'i miratojë, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve.  Shtetin e pret punë e madhe dhe prandaj nevojitet që të sigurohet sinergji nga të gjitha faktorët shoqërorë.  Në këtë drejtim Këshilli Nacional për Eurointegrime mund të kontribuojë për hapa më të suksesshme në procesin e ardhshëm të eurointegrimit sepse procesi është i përbashkët. 

Në mbledhjen fjalime dhe diskutime mbajtën Artan Grubi kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane dhe anëtar i Këshillit, Goran Milevski kryetar i Komitetit të Përzier Parlamentar BE-RM, Fadil Zendeli deputet dhe zëvendësanëtar i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Meral Uzeiri Ferati, deputete dhe zëvendësanëtare e Komitetit të Përzier Parlamentar RM-BE, Savka Todorovska përfaqësuese e Platformës qytetare e Maqedonisë, Danella Arsovska nga Lidhja e odave ekonomike e Maqedonisë, Nasel Selmani nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë dhe Ivanka Vasilevska nga Kabineti i Kryetarit të Republikës së Maqedonisë. 

Në fund të mbledhjes Komisari për politikë evropiane fqinjësore dhe negociata për zgjerim i Komisionit Evropian Johanes Han, dha konstatime dhe përgjigje përfundimtare për pyetjet që u ngritën gjatë debatit në Këshillin Nacional. Komisari Han u falënderua për debatin dhe atë e vlerësoi si mjaft interesante dhe me përshtypje të mirë për mendimet e ndryshme në shtet.  Ai njoftoi se kah mesi i shtatorit përsëri do ta vizitojë shtetin me rastin e evenimentit "Ditët mediatike të Ballkanit Perëndimor" që do të mbahet këtë vit në Shkup. Fokusi i këtij evenimenti do të jenë sfidat me të cilat ballafaqohen vendet evropiane, ndër të cilat edhe çështja e servisit radiodifuziv e cila është problem në shumë shtete, e jo vetëm në rajon. Në lidhje me referendumin, është shumë e rëndësishme që i njëjti të sigurojë që secili ta japë kontributin e vet në bazë të bindjes së vet.  Referendumi nuk duhet të jetë peng i politikës dhe në këtë drejtim shoqëria civile duhet të ndihmojë të sigurohet paanshmëri në referendumin. Procesi i skriningut si dhe procesi i negociatave jep mundësi të madhe të ndryshohen gjërat, të përforcohet demokracia, të kuptohet nevoja e arritjes së kompromisit.  Komisari Han u dërgoi porosi organizatave të shoqërisë civile që më shumë të fokusohen në zonat rurale në shtet sepse shoqëri nuk është vetëm kryeqyteti i shtetit.  Nevojitet përkushtim i madh i sundimit të së drejtës, respektim të Kushtetutës dhe në këtë kontekst Komisari Han pret se negociatat mund të japin kontribut ndaj përkushtimit të zmadhuar dhe zbatimit konkret të parimeve të sundimit të së drejtës.  Nëse arrihet progres dhe materializohet gjithë ajo që pritet, do të jetë reale të thuhet se për dhjetë vjet Republika e Maqedonisë mund të bëhet anëtare e BE-së. 


Click