Aktivitetet

E enjte, 13 dhjetor 2018

Këshilli Buxhetor me mbështetje unanime të Propozim-buxhetit për vitin 2019 në pjesën për Kuvendin

Këshilli Buxhetor e shqyrtoi dhe i dha mbështetje unanime Propozim-buxhetit për vitin 2019, i cili i referohet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. 

Zëvendësministrja e Financave, Shiret Elezi, theksoi se prioritetet kryesore me këtë buxhet janë sigurimi i jetës më të mirë, standardi më i lartë, mbështetja e ekonomisë vendore, përshpejtimi i realizimit të projekteve infrastrukturore, sundimi i së drejtës dhe proceset e intensifikuara për anëtarësim në BE dhe NATO.

Në Propozim-buxhetin janë paraparë 587 milionë dhe 199 mijë denarë për funksionimin e Dhomës Ligjvënëse, nga çka 579 milionë dhe 699 mijë janë mjete buxhetore, ndërsa 7 milionë dhe 500 mijë denarë janë donacione. Mjetet janë planifikuar për realizimin e nënprogrameve si vijon: Kuvendi, kontakti me qytetarët, godina e Kuvendit, Kanali i Kuvendit dhe Instituti Parlamentar.

Sekretarja e Përgjithshme, Cvetanka Ivanova, falënderoi për bashkëpunimin me Ministrinë e Financave, sepse për herë të parë Propozim-kërkesa buxhetore e Kuvendit është pranuar pa problem. Me këtë, Kuvendi fillon ta luajë rolin të cilin e ka. Është pranuar amendamenti i hartuar nga deputetët për sigurimin e mjeteve për reformat e domosdoshme në sistemin e TI-së, lidhjen e rrjetit, Kanalin e Kuvendit dhe sistemin për votim. Kuvendi në mënyrë të papenguar do t'i zbatojë qëllimet strategjike, e kjo është demokracia parlamentare funksionale dhe përforcimi i rolit mbikëqyrës. Janë siguruar mjete për funksionimin e 75 zyrave për kontakte të deputetëve me qytetarët dhe softuerin për paraqitjen e qytetarëve për pjesëmarrjen aktive në procesin ligjvënës. Janë paraparë edhe mjete për reformat administrative në shërbimet dhe për sigurimin e pavarur fizik të Kuvendit. 

Deputetja Vlladanka Aviroviq propozoi të parashihen mjete shtesë për plotësimin e një pjese të teknikës, ndërsa Sonja Mirakovska u angazhua që të gjithë 120 deputetët të kenë nga një asistent, ndërsa në të ardhmen edhe nga dy asistentë.

Kryetarja e Këshillit Buxhetor dhe nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Tashevska Remenski, tha se propozimet konstruktive do të merren parasysh për buxhetin e ardhshëm, ndërsa qëllimi strategjik është Kuvendi funksional. Për këtë qëllim është e domosdoshme rritja e mjeteve për funksionin mbikëqyrës. Tashevska Remenski e theksoi dhe falënderoi për interesin dhe mbështetjen e Konfederatës Zvicerane dhe NDI-së. 

Këshilli Buxhetor në bazë të debatit unanimisht i miratoi Konkluzionet si vijon:

  • Këshilli Buxhetor i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë e shqyrtoi Propozim-buxhetin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2019 për Ndarjen 02001 Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.
  • Këshilli Buxhetor konstaton se mjetet që janë planifikuar në Propozim-buxhetin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2019 në Ndarjen 02001 Kuvendi i Republikës së Maqedonisë janë në pajtim me mjetet që përcaktohen në Propozim-kërkesën buxhetore të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2019, të cilën Këshilli Buxhetor e miratoi dhe e dorëzoi në Ministrinë e Financave.
  • Këshilli Buxhetor e mbështet Amendamentin e Propozim-buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2019 për Ndarjen 02001 Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, të parashtruar nga deputetët: Frosina Tashevska Remenski, Goran Misovski, Vesel Memedi, Tomisllav Tuntev dhe Ejup Alimi me numër arkivor 08-6613/7 i cili ishte pranuar nga ministri i Financave dhe miratuar nga anëtarët e Komisionit për Financim dhe Buxhet. Me Amendamentin propozohet të ridedikohen mjetet në shumë prej 15.094.000 denarë në kornizat e Ndarjes, me qëllim të sigurohen mjetet e nevojshme për blerjen e pajisjes dhe makinave për Kanalin e Kuvendit. 
  • Me mjetet që planifikohen në Propozim-buxhetin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2019 për Ndarjen 02001 Kuvendi i Republikës së Maqedonisë do të realizohen qëllimet dhe prioritetet e Kuvendit në vitin 2019 që janë përcaktuar në Planin Strategjik të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për periudhën 2019-2021.
  • Këto konkluzione të dorëzohen te Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Komisioni për Financim dhe Buxhet, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe te Ministria e Financave. 





Click