Aktivitetet

E enjte, 8 mars 2018

KLUBI I DEPUTETEVE ME QËLLIM TË PËRBASHKËT DHE TË VETËM - BARAZIA GJINORE!

Klubi i deputeteve dje e shënoi 15 vjetorin e formimit të tij. Si klub i parë në Rajon, me vite është shembull për parlamentet tjera se si mund gratë të bashkohen për çështje të rëndësishme, duke i tejkaluar kufijtë politike, etnike dhe fetare. 

Me rastin e këtij përvjetori, fjalime mbajtën: z. Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë; znj. Frosina Tashevska-Remenski, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë; znj. Cvetanka Ivanova, sekretare e përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë; znj. Luiza Viton, koordinatore e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë; znj. Liljana Popovska, një prej themeluesve të Klubit të deputeteve dhe ish-kryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve; znj. Daniella Rangellova, kryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve; znj. Daniella Dimitrievska, drejtoreshë e Lobit të femrave maqedonase; znj. Savka Todorovska, kryetare e KNBGJ-LOGM-së dhe z. Kris Henshou, drejtor i NDI-së në Maqedoni.  Në diskutimin, gjithashtu, u paraqitën për fjalë shumë deputetë aktualë dhe ish-deputetë.   

Mes tjerash, u theksua se Kuvendi do të fillojë me realizimin e projektit për ruajte dhe promovim të kontributit të deputeteve dhe bartësve të funksioneve në Kuvend. Për atë qëllim, në dhomën legjislative do të hapet "dhomë e femrave", sipas shembullit të Parlamentit suedez, ku deputetet do të mund të debatojnë për zgjidhjen e problemeve të femrave. 

Gjithashtu, u theksua se nga formimi i Klubit janë arritur rezultate të mëdha në mbrojtjen e të drejtave të femrave, por se duhet ende të punohet për avancimin e tyre me miratim dhe zbatim të ligjeve në interes të barazisë gjinore. 

Në shënimin e 15 vjetorit ishin të pranishëm mbi 45 deputetë nga opozita dhe partia në pushtet, të cilët dërguan porosi se janë të kënaqur nga rezultati i arritur, por nuk janë të kënaqur që ende konsiderohen numra dhe kuota.  Konventa e miratuar e Stambollit duhet të jetë kushtetutë për punën e ardhshme. 

Përndryshe, Klubi i deputeteve është grup joformal në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, i formuar më 7 mars 2003 në kuadër të Projektit rajonal të Paktit për stabilitet - Tryezë për barazi gjinore, me ndihmë të partnerëve lokalë Lobi i grave maqedonase, LOGM-së dhe Seksionit për avancimin e barazisë ndërmjet gjinive pranë Ministrisë së Punëve dhe Politikës Sociale. Tashmë tradicionalisht, Instituti demokratik nacional (NDI) me mbështetje financiare të Agjencisë amerikane për zhvillim USAID e mbështet Klubin e deputeteve. 

Klubi i deputeteve mbetet të veprojë me qëllim të përbashkët dhe të vetëm - përmes zgjidhjeve ligjore të arrihet barazia gjinore dhe avancimi i të drejtave të femrave, përfshirja e tyre aktive në procesin e vendimmarrjes në shtet si dhe përforcimi dhe përhapja e demokracisë në të gjitha sferat e shoqërisë maqedonase. 

Click