Aktivitetet

E premte, 14 korrik 2017 

Komisioni për Çështje Evropiane e shqyrtoi Planin "3-6-9"

Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në mbledhjen e sotme 14 korrik 2017 me të cilën kryesoi kryetari i Komisionit z. Artan Grubi, diskutoi për Planin "3-6-9", të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Me ftesë të kryetarit të Komisionit z. Grubi, në mbledhje ishin të pranishëm dhe fjalime hyrëse mbajtën: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, z. Zoran Zaev, zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, i ngarkuar për çështje evropiane, z. Bujar Osmani. Fjalim hyrës për temën mbajti edhe kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, z. Artan Grubi.

Kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi duke e mbështetur Planin Qeveritar "3-6-9", e theksoi rolin e Kuvendit në proceset eurointegruese të vendit, me ç'rast e theksoi rëndësinë e rolit mbikëqyrës të Parlamentit. Gjithashtu, theksoi se Parlamenti është vend ku duhet të harmonizohen qëndrimet e partive nga opozita dhe ajo në pushtet, me qëllim të qasjes në realizimin e reformave të nevojshme të BE-së, me konsensus.  

Kryeministri Zaev, në fjalimin e tij, theksoi se Qeveria do të punojë në realizimin e detyrave të programuara në të tre kornizat kohore, duke filluar me dhënien e rezultateve në tre muajit e parë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale që të mënjanohet kushtëzimi i rekomandimit, pastaj vijon realizimi i detyrave të paraparë për gjashtë muajit, në afatin në të cilin duhet të finalizohet rrethi i dytë reformues dhe në fund në afat prej nëntë muajsh, në të cilin qeveria ka për qëllim të implementojë rrethin e tretë të reformave, që deri në raportin e ardhshëm të KE-së, Maqedonia të marrë datë për fillimin e negociatave. Kryeministri Zaev informoi edhe për mbështetjen të cilën vendi e mori në Samitin e mbajtur para do kohe për Ballkanin Perëndimor në Trieste, ku Republika e Maqedonia ka marrë mbështetjen e plotë për proceset eurointegruese të vendit dhe për detyrat e planifikuara të kësaj qeverie reformuese.

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, i ngarkuar për çështje evropiane, z.  Bujar Osmani, informoi se Sekretariati për Çështje Evropiane është koordinator i Planit 3-6-9, në kuadër të të cilit është edhe implementimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, dhe si i tillë tashmë iu është qasur organizimit dhe realizimit të detyrave të programuara.

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, z. Artan Grubi, e theksoi nevojën për realizim konsekuent dhe të paprolongueshëm të aktiviteteve të paraparë në planin qeveritar "3-6-9", si kusht për marrjen e rekomandimit të pakushtëzuar, si rrjedhë e kësaj edhe fillimi i negociatave për anëtarësim në BE dhe NATO, me ç'rast theksoi se nevojitet veprim i përbashkët i të gjitha partive politike në Parlamentin, duke pasur parasysh përcaktimin dhe qëllimin e përbashkët strategjik të të gjitha subjekteve politike dhe qytetarëve të RM-së.  

Gjithashtu, për temën fjalime mbajtën z. Tomisllav Tuntev nga LSDM-ja, z.  Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE, z. Zekirija Ibrahimi nga BESA, si dhe znj. Nada Naumovska, si përfaqësuese e sektorit joqeveritar.  Lidhur me temën, u theksuan qëndrime dhe mendime në lidhje me planin e propozuar të Qeverisë, me qëllim përmirësimin dhe plotësimin e tij, me ç'rast, u dha konstatim i përbashkët se dokumenti i tillë është i nevojshëm për të qenë si Udhërrëfyes për realizimin e detyrave të programuara, që dolën nga Prioritetet urgjente të reformës dhe Marrëveshje e Përzhinos.  Konstatimi ishte i përbashkët se procesi eurointegrues i vendit doemos duhet të jetë inkluziv, jopartiak, me konsensus të përgjithshëm dhe mbështetje të plotë të sektorit civil dhe në përgjithësi të të gjithë banorëve në vend.

Në mbledhje u ftuan edhe kryetarët dhe anëtarët e komisioneve parlamentare, në kompetencë të të cilave janë reformat e prioritete urgjente të reformës, përfaqësuesit e Korit Diplomatik në Republikën e Maqedonisë, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. 

Në bazë të diskutimit për Planin "3-6-9", Komisioni i miratoi konkluzionet në vijim: 

  1. Komisioni për Çështje Evropiane konsideron se Plani "3-6-9" është Udhërrëfyes për përforcimin e qëndrueshmërisë së reformave të nevojshme evropiane në procesin e aderimit të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian.  
  2. Komisioni e thekson nevojën për realizim konsekuent, të paprolongueshëm dhe urgjent të të gjithë aktiviteteve, të paraparë në Planin "3-6-9", si kusht për marrjen e rekomandimit të pakushtëzuar dhe si rrjedhojë për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjë që është përcaktim i përbashkët strategjik dhe qëllim i të gjithë subjekteve politike dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. 
  3. Komisioni i sugjeron Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në nevojën për qasje inkluzive dhe transparente në lidhje me realizimin e të gjitha aktivitetet dhe sfidat e paraparë në Planin "3-6-9", përmes përfshirjes së opozitës dhe konsultimit të përfaqësuesve të shoqërisë civile në vend. 
  4. Komisioni e thërret Qeverinë e Republikës së Maqedonisë që rregullisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse ta njoftojë dhe përfshirë Kuvendin në të gjitha aspektet e Planit "3-6-9".
  5. Komisioni do të kryejë mbikëqyrje të punës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në lidhje me realizimin e Planit "3-6-9" dhe do të organizojë mbledhje tematike për çdo masë të propozuar në Planin. 
  6. Konkluzionet nga Mbledhja e dytë e Komisionit për Çështje Evropiane, me rastin e diskutimit për Planin "3-6-9", të dorëzohen në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, në Sekretariatin për Çështje Evropiane dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, për njoftimin e tyre. 

Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë gjithashtu diskutoi edhe për Deklaratën për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO.

Fjalim hyrës për pikën mbajti Kryetari i Komisionit, z. Artan Grubi, i cili theksoi se Komisioni e përpiloi tekstin e Deklaratës për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO, në bazë të konkluzionit të miratuar njëzëri në Mbledhjen e parë të komisionit.

Deklarata e harmonizuar për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO paraqet hap të parë kryesor drejt reformave dhe ka për qëllim vërtetimin e bashkimit dhe përkushtimit mbipartiak konsensual rreth përpjekjeve të përbashkëta për realizimin e përcaktimit tonë strategjik shtetëror, anëtarësimi në BE dhe NATO, e për të cilën ekziston pëlqim nga ana e të gjitha faktorëve politikë, të përfaqësuar në Kuvendin e RM-së.  

Gjithashtu, kjo Deklaratë është obligim i yni, i ndërmarrë në kuadër të Prioriteteve urgjente të reformës nga viti 2015, përfshirë edhe Rekomandimet e grupit të ekspertëve të lartë për çështje sistemore nga sundimi i të drejtës të z.  Pribe, si dhe obligimet nga Marrëveshja e Përzhinos. Kryetari i Komisionit Grubi, në veçanti e potencoi konstruktivitetin dhe bashkëpunimin e anëtarëve të Komisionit edhe nga partia në pushtet dhe nga opozita, gjatë përpilimit të Deklaratës.

Me ftesë të kryetarit të Komisionit z. Grubi, ne mbledhje ishin të pranishëm:  Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, z. Zoran Zaev, zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, i ngarkuar për çështje evropiane, z. Bujar Osmani.

Në bazë të debatit, Deklarata për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO u miratua njëzëri me mbështetjen e të gjitha partive parlamentare. 

Click