Aktivitetet

E premte, 7 shtator 2018

Konferencë shtypi për media e kryetarit Xhaferi

Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mjeteve të informimit publik,  

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe deputetët kanë nder dhe kënaqësi të jenë bartës i autorizuar i fushatës për referendumin e caktuar për më 30 shtator të vitit 2018. 

Vetë pyetja “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”, në vete e përmban përcaktimin strategjik për të cilin angazhohet çdo përfaqësues i qytetarëve prej pavarësimit të Republikës së Maqedonisë deri më sot. 

Duke e pasur parasysh nderin historik dhe kënaqësinë, por në të njëjtën kohë edhe obligimin dhe përgjegjësinë që i ndërmorëm si të zgjedhurit e popullit, a kjo do të thotë ta ecim deri në fund rrugën e Republikës së Maqedonisë për anëtarësim të saj të plotfuqishëm, për pranim dhe njohje nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, BE-ja dhe NATO-ja, sot jemi këtu, si trup koordinues, ta informojmë opinionin se si bartës të autorizuar të fushatës, të njëjtën e udhëheqim në mënyrë transparente, të drejtpërdrejtë dhe direke, pa diskriminim, paragjykime dhe me respektimin e vullnetit të çdo qytetari. Qëllimi ynë është që në mënyrë të detajuar ti informojmë qytetarët për pasqyrën e madhe, për përfitimet e anëtarësimit tonë në NATO dhe në BE, që nuk nënkupton vetëm kufij të mbrojtura, politikë të përbashkët të jashtme dhe rrugë të hapura për qytetarët tanë; anëtarësimi nënkupton më shumë investime të huaja, më shumë vende pune, treg më të madh për shitjen e produkteve, më shumë mundësi për arsim dhe përparim të gjeneratave të reja; njëkohësisht nënkupton edhe sundim të tërësishëm të të drejtës, të shtetit juridik, si edhe reforma në gjyqësi dhe në të gjitha sferat e jetës sociale. 

Jemi të vetëdijshëm se pjesë e madhe e qytetarëve i dinë përfitimet nga anëtarësimi, që është vërtetuar edhe nëpërmjet hulumtimit të opinionit publik viteve të kaluara, kur mbështetja e qytetarëve për anëtarësim të vendit në NATO dhe në BE nuk ka rënë nën 70%, a jemi të vetëdijshëm edhe se ka qytetarë të cilët nuk e mbështesin anëtarësimin e vendit në këto institucione. 

Pikërisht për këtë arsye, institucionet shtetërore kanë obligim dhe përgjegjësi ti mundësojnë çdo qytetari që më 30 shtator ta marrë vendimin mirë i informuar, ndërsa përgjegjësi e qytetarëve është që përmes votës së vet ta shprehin vullnetin e vet. 

Si trup koordinues, i ftojmë të  gjithë pjesëmarrësit në fushatë të sillen në mënyrë të përshtatshme, korrekte, dinjitoze, me qëllim që qytetarët e Republikës së Maqedonisë ta marrin vendimin e vërtetë për ardhmërinë evropiane të shtetit. 

Click