Aktivitetet

E martë, 29 maj 2018, Kiev 

MAQEDONIA DHE UKRAINA NDAJNË VENDOSMËRI TË FORTË PËR TË QENË PJESË E BE DHE NATO 

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në përbërje: z. Jovan Mitreski, kryetar i Grupit parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentin e Ukrainës; znj. Vesna Pemova dhe z. Ejup Alimi, anëtarë të Grupit, qëndrojnë në vizitë kthyese në Ukrainë, me ftesë nga z. Andrij Shinkoviq, kryetar i Grupit parlamentar të Kuvendit të Ukrainës për marrëdhënie ndërparlamentare me Republikën e Maqedonisë. 

Delegacioni sot u takua me: znj. Irina Gerashçenko, nënkryetare e Kuvendit të Ukrainës; z.  Andrij Shinkoviq, kryetar i Grupit parlamentar i Kuvendit të Ukrainës për marrëdhënie ndërparlamentare me Republikën e Maqedonisë dhe anëtarët e Grupit. 

Në takimin u diskutua për çështje lidhur me marrëdhëniet bilaterale dhe për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Ukrainës, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Parlamenteve të të dyja vendeve. U theksua se marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Ukrainës që nga pavarësia e tyre karakterizohen me frymë të miqësisë, mirëbesimit, mungesës së çështjeve të hapura dhe kontestuese, si dhe bashkëpunimit në shumë sfera me interes të përbashkët. Njëkohësisht, u potencua nevoja për këmbim të zmadhuar tregtar ndërmjet të dyja shteteve, duke i pasur parasysh marrëdhëniet e mira politike dhe potencialet ekonomike me të cilat disponon Republika e Maqedonisë dhe Ukraina. 

Të dyja palët u pajtuan se Republika e Maqedonisë dhe Ukraina e ndajnë vendosmërinë e fortë për të qenë pjesë e BE-së dhe NATO-s. 

Z. Jovan Mitreski informoi për prioritetet e Republikës së Maqedonisë - anëtarësimi në BE dhe NATO, zhvillimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe përfshirja aktive në iniciativat ndërkombëtare. Duke theksuar se paqja dhe stabiliteti i Ukrainës janë me rëndësi të madhe për gjithë rajonin, si dhe për stabilitetin e Evropës, z. Mitreski i ftoi kolegët e tij deputetë që të jenë të qëndrueshëm në përpjekjet për përmbushjen e reformave në sferën e sistemit të jurisprudencës, luftës kundër korrupsionit dhe decentralizimit. 

Nënkryetarja e Kuvendit të Ukrainës, znj. Irina Gerashçenko, e cila njëkohësisht edhe është e dërguar speciale e kryetarit të Ukrainës për Donbas, informoi për gjendjen në rajonet e krizës në Ukrainën lindore, si dhe për tentimet për gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme për ndërprerjen e konfliktit të armatosur dhe zgjidhjen e situatës së ndërlikuar të sigurisë. 

Deputetët ukrainas u falënderuan për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Maqedonisë ndaj Ukrainës, e veçanërisht për mbështetjen parlamentare në kuadër të kuvendeve ndërkombëtare në të cilat janë anëtarë Parlamentet e të dyja vendeve. U shpreh falënderim edhe për mbështetjen nga Republika e Maqedonisë për karakterin unitar dhe integritetin territorial të Ukrainës. Deputetët ukrainas informuan për katër reformat kryesore të cilat realizohen në vend: reforma në gjyqësi, shëndetësi, arsim dhe reforma pensionale. 

Bashkëbiseduesit u pajtuan të realizojnë kontakte të rregullta dhe shprehën bindje se bashkëpunimi parlamentar ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Ukrainës do të vazhdojë të thellohet. 

Në kuadër të vizitës, anëtarët e Delegacionit të Grupit parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentet e Ukrainës e vizituan edhe Universitetin teknik nacional të Ukrainës "Instituti politeknik i Kievit Igor Sikorski". 

Click