Aktivitetet

E premte, 17 maj 2019 

PASURI E SHOQËRISË ËSHTË DIVERSITETI 

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot u shënua 17 maj – Dita ndërkombëtare kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë, në organizimin e Grupit parlamentar ndërpartiak për të drejtat e personave të LGBT-së .

Në evenimentin, përveç deputetëve anëtarë të Grupit ndërpartiak, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të korit diplomatik dhe organizatave anëtare të Rrjetit nacional për luftë kundër homofobisë dhe transfobisë. 

Koordinatorja e Grupit ndërpartiak, Maja Moraçanin, e hapi evenimentin, duke shprehur kënaqësi dhe nder që për herë të parë shënimi i kësaj dite mbahet në dhomën legjislative. Ajo e përmendi Deklaratën universale për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara nga viti 1948, ku neni 1 përcakton se të gjitha qeniet njerëzore lindin të lirë dhe të barabartë në aspektin e dinjitetit dhe të drejtës. 

Grupi ndërpartiak, i cili është formuar në shkurt vitin e kaluar, ndërsa numëron 15 deputetë, në bashkëpunim me sektorin civil ka bërë hapa progresive në rregullativën ligjore, veçanërisht në Ligjin për mbrojtje dhe parandalim të diskriminimit, me theks të veçantë në orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Me rëndësi të veçantë është angazhimi për implementimin e ligjeve të miratuara, sepse vetëm ashtu do të ndjehen përfitimet në jetesën e përditshme. Pjesëmarrja e deputetëve në fushatën nacionale “Mos gjyko kush kë e dashuron” do të thotë kontribut në ngritjen e vetëdijes kundër dhunës dhe diskriminimit të njerëzve të LGBT-së.  Gjithashtu, u përmend vizita studimore në Holandë ku janë marrë përvoja të reja për punë ende më të suksesshme të Grupit, por edhe ideja nga ish-ambasadorja e Holandës Marija Shurman për anëtarësimin në Rrjetin global për të drejtat e barabarta, për të cilin tanimë është dërguar kërkesë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.  

Deputetja Jagoda Shahpaska, si anëtare e Grupit ndërpartiak, shprehu besim në këtë tregim. “Asnjë betejë nuk është e lehtë, por çdo individ duhet t’i zhvillojë betejat në frontin në të cilin gjendet.  Thyerja e akullit është e vështirë, por nëse jemi bashkë, do të jetë më e lehtë”, tha ajo, duke u bërë apel medieve ta dënojnë gjuhën e urrejtjes. “Pasuri e shoqërisë është diversiteti. Ngjyrat e ylberit janë spektri më i bukur”, përfundoi Shahpaska. 

Nga Rrjeti nacional për luftë kundër homofobisë dhe transfobisë fjalime mbajtën Jovana Jovanovska-Kanurkova dhe Antonio Mihajllov, të cilët shprehën falënderim ndaj Kuvendit për shënimin e kësaj dite. Ato ishin të njëzëshëm se kjo luftë shumëvjeçare është luftë për të gjitha qytetarët dhe ajo nuk do të pushojë. Duhet të shprehet mirënjohje për çdo hap të vogël të mbështetjes dhe mirëkuptimit,  për përpjekjet individuale dhe kolektive për ndërtimin e komunitetit. Prandaj ato i ndanë çmim Grupit parlamentar ndërpartiak për të drejtat e personave të LGBT-së, si përkrahës i vitit. Në këtë kontekst, u tregua një video e shkurtër për aktivitetet e përbashkëta në luftën për avancimin e pozitës së personave të LGBT-së.  

Click