Aktivitetet

E mërkurë, 30 janar 2019

PE: REFERENDUMI NË MAQEDONI DHE BREGZITI TREGUAN SE LAJMET E RREJSHME DHE DEZINFORMATAT JANË ARMIQTË MË TË MËDHENJ TË KOHEZIONIT EVROPIAN 

Dezinformatat dhe lajmet e rrejshme janë armiqtë më të mëdhenj të kohezionit evropian.  Kjo u tregua me Bregzitin dhe me Referendumin në Maqedoni vitin e kaluar. Parlamenti evropian është dhomë e përbashkët e të gjithë evropianëve pa dallim të pasaportave, tha nënkryetari i Parlamentit Evropian, Ramon Luis Vallkarsell Siso, në konferencën: "Komunikimi me qytetarët - si të zhvillohet strategji më e mirë nga Parlamenti", që u mbajt në Bruksel. Ai kërkoi bashkim të forcave sepse institucionet evropiane dhe BE-ja punojnë në mënyrë të palodhshme për përmirësimin e jetës, japin mundësi për të rinjtë dhe për sipërmarrësi. 

Eurodeputeti Eduard Kukan u angazhua për rritjen e komunikimit me qytetarët për zhvillim të demokracisë parlamentare dhe forcim të besimit në PE. Pjesëmarrës në konferencën ishin edhe deputetët Pavle Bogoevski, Ivan Ivanov, Agim Shaqiri dhe Zekir Ramçilloviq. 

Eurodeputeti dhe ish-gazetar Stelios Kullogllu i përgëzoi deputetët për marrëveshjen e votuar ndërmjet të dyja shteteve Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Greqisë. Theksoi efektet negative nga lajmet e rrejshme dhe dezinformatat dhe propaganda nacionaliste në vendin e tij, për akuzat e një pjese të mediave të cilat mbështetësit e Marrëveshjes së Prespës i kanë quajtur tradhtarë. Ai theksoi se të dy kryeministrat Zaev dhe Cipras e meritojnë Çmimin nobël për paqe. Doemos duhet të punohet në forcimin e kapacitetit të serviseve publike si mburojë nga lajmet e rrejshme dhe të kemi një publik të edukuar dhe të informuar. 

Deputeti Pavle Bogoevski mendon që, krahas veprimit strategjik dhe proaktiv në fushën e ngritjes së vetëdijes publike, institucionet duhet të vendosin edhe mekanizma për përcjellje të shpejtë të informatave dhe fakteve qëllimi i të cilave do të jetë ballafaqimi me fushata dhe raste të caktuara të përhapjes së gënjeshtrave dhe manipulimeve në hapësirën mediatike dhe në publikun. Njëkohësisht, masat e ballafaqimit me fenomenin e lajmeve të rrejshme nuk guxojnë ta kufizojnë lirinë e të shprehurit që është e garantuar me kushtetutë. Pyeti çfarë nëse burim i lajmit të rrejshëm është vendi anëtar i BE-së dhe potencoi se një vend i tillë i ka dhënë azil ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Ato, duke e arsyetuar vendimin e tyre, përhapën gënjeshtra dhe dezinformata me të cilat qëllimisht e delegjitimojnë sistemin gjyqësor. Kullogllu u përgjigj se Orbani i ka shkelur të gjitha vendimet për migruesit. 

Deputeti Ivan Ivanov theksoi mendimin e tij se lajmet e rrejshme janë një fenomen i cili jo që nuk mund të çrrënjoset, por se do të përhapen ende më shumë. Ato bazohen më shpesh në senzacionalizëm, përhapen shpejt falë progresit të teknikës përmes rrjeteve sociale dhe vështirë se demantohen. Theksoi se për një lajm të njëjtë, shumë media në Maqedoni informuan se me Marrëveshjen e Prespës forcohet identiteti maqedonas, e njëkohësisht shumë media greke plasonin informata se nuk është i pranuar kombi maqedonas. Si të dinë qytetarët cila është e vërteta? Për ballafaqim me këtë fenomen nevojitet angazhim i shumë faktorëve nga jeta shoqërore, para së gjithash arsimi dhe edukimi i popullatës përmes fushatave të ndryshme. Doemos duhet të punohet në ndërtimin e mekanizmit i cili përkufizon çfarë është lajm i rrejshëm, pa e vënë në pikëpyetje lirinë e të shprehurit. 

Sipas deputetit Agim Shaqiri, lajmet e rrejshme janë fenomen botëror për të cilin nevojitet aktivitet më i madh dhe përfshirje të publikut për përvetësim të njohurive dhe njohje të informatave, ndarje të fakteve dhe identifikim të lajmit të rrejshëm. 

Problemi kryesor, thotë deputeti Zekir Ramçilloviq, është se njerëzit më shumë u besojnë lajmeve të rrejshme, dezinformatave, para së gjithash me tituj sensacionalë të cilat përhapen shpejt. Lajmi paraqitet befasisht dhe pastaj sanimi i pasojave mbi mendimin publik është i vështirë.  Prandaj nevojitet që të bëhet një strategji më gjithëpërfshirëse e cila duhet të orientohet drejt qytetarëve, para së gjithash drejt të rinjve, për shembull përmes arsimit, që qytetarët të mund dhe të dinë t'i njohin lajmet dhe informatat e rrejshme. Ai theksoi se Maqedonia dhe Greqia, tani shohin përpara, ndërsa Maqedonia pret mbështetje të plotë që të mos u lihet hapësirë forcave destruktive nëse Maqedonia nuk i fillon negociatat me BE-në. 

Sipas eurodeputetit Takis Haxhigeorgiu, sfidë kryesore është e djathta evropiane, për shkak të keqpërdorimit të populizmit. 

Doemos duhet të respektohet tërësisht liria e pavarësisë mediatike, thotë Florent Montenje nga Drejtoria e përgjithshme e Komisionit. 

Dragan Sekullovski nga Shoqata e gazetarëve e Maqedonisë porositi që të përdoret nocioni dezinformatë, e jo nocioni lajme të rrejshme, sepse nëse është i rrejshëm, atëherë nuk është lajm dhe përdoret për diskreditim të gazetarëve që kanë qëndrim kritik. 

Në muajin maj do të realizohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Numri tani ka ndryshuar dhe për shkak të Bregzitit do të zgjidhen 705 eurodeputetë dhe sfidë e madhe do të jetë dalja. 

Click