Aktivitetet

E shtunë, 10 qershor 2017, Zagreb 

Pjesëmarrja e deputetit Ademi në sesionin e 4-të plenar të AP të PBEJL

Deputeti z. Xhevat Ademi merr pjesë në Sesionin e katërtë plenar të Asamblesë parlamentare të Procesit për bashkëpunim në Evropën Juglindore (AP e PBEJL), që mbahet nga 8 deri në 10 qershor 2017 në Zagreb, Republika e Kroacisë. Në sesionin marrin pjesë deputetët nga 13 vende pjesëmarrëse në Procesin dhe nga kuvendet parlamentare ndërkombëtare - partnerë të AP të PBEJL. 

Në fjalimin e tij hyrës, z. Gordan Jandrokoviq, Kryetar i Parlamentit të Kroacisë dhe të AP të PBEJL, u përqendrua në aktivitetet në kuadër të Kryesimit kroat me Procesin, duke theksuar se Kroacia edhe më tutje e mbështet fuqimisht zgjerimin e BE-së dhe NATO-s dhe mbetet e përkushtuar në perspektivën dhe ardhmërinë evropiane të vendeve të Evropës Juglindore.  

Në debatin me temë: "Lidhshmëria - bashkëpunimi - komunikimi: rruga përpara" mori pjesë edhe deputeti z. Xhevat Ademi. Ai theksoi se lidhshmëria, bashkëpunimi dhe komunikimi ndërmjet vendeve të rajonit mbeten supozimet kryesore për dialog të suksesshëm politik dhe diplomatik në kuadër të Procesit, si dhe përforcimi i stabilitetit, demokratizimi i mëtutjeshëm, rritja e zhvillimit ekonomik dhe thellimi i lidhjeve tregtare. Andaj, në të ardhmen duhet të vihet fokusi në projekte konkrete ekonomike dhe infrastrukturore, paralelisht me përshpejtimin e procesit të integrimit evropian dhe përforcimin e sundimit të së drejtës. 

Z. Xhevat Ademi u përqendrua edhe në gjendjen në Republikën e Maqedonisë, duke shprehur bindje se me zgjedhjen e Qeverisë, si shprehje e shumicës së re parlamentare, do të sigurohet tejkalim i shpejtë dhe i qëndrueshëm i krizës politike në vend. Me qëllim përmirësimin e zhvillimit dhe stabilitetit rajonal, nevojitet forcimi i bashkëpunimit me fqinjët në të gjitha sferat, përmes pjesëmarrjes së përforcuar dhe ndikimit në iniciativat rajonale. 

Njëkohësisht, z. Ademi theksoi se Asambleja parlamentare e PBEJL, e cila mbështetet në shtyllat e pronësisë rajonale, solidaritetit dhe inkluzimit, paraqet forum të shkëlqyeshëm për këmbim të mendimit dhe ndarje të përvojave në këtë plan. Në fund të sesionit, Asambleja parlamentare miratoi Deklaratë finale në të cilën vërtetohet përkushtimi ndaj procesit të integrimit evropian dhe euroatlantik i pjesëmarrësve në PBEJL dhe rëndësia e zgjerimit të BE-së, si mekanizëm për sigurimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Anëtarët e Asamblesë parlamentare u pajtuan për ta rritur transparencën dhe komunikimin e drejtpërdrejtë ndërmjet parlamenteve, si dhe të vazhdojnë t'i përforcojnë raportet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin në EJL, me qëllim transformimin e rajonit në sferë të institucioneve të konsoliduara demokratike, rritje ekonomike dhe mirëqenie të rritur. 

Në Sesionin u miratua Programi për punë 2017/2018, si dhe raportet dhe rezolutat e të tre komisioneve të AP të PBEJL, në temat në vijim: "Sfidat e sigurisë në EJL - përgjigje rajonale", "Varësia energjetike në EJL" dhe "Bashkëpunimi në arsimin e lartë".

Ky sesion plenar është evenimenti i fundit që mbahet në kuadër të Kryesimit parlamentar kroat në Procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore. Nga 1 korrik 2017, kryesimin me Procesin e merr Republika e Sllovenisë. 

Asambleja parlamentare e PBEJL, në të cilën anëtarë janë parlamentet e vendeve të Evropës Juglindore: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Bulgaria, Greqia, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Sllovenia, Serbia, Turqia, Kroacia dhe Mali i Zi qëllimet dhe detyrat e saj i bazon në principet e pronësisë rajonale dhe integrimit evropian. Asambleja parlamentare luan rol të rëndësishëm në promovimin e pjesëmarrjes parlamentare dhe lehtësimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërparlamentar në rajon, si dhe në nxitjen e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. 

Click