Aktivitetet

E martë, 29 janar 2019 

SEKRETARJA E PËRGJITHSHME, IVANOVA NË MBLEDHJE TË RREGULLT TË SEKRETARËVE TË PËRGJITHSHËM NË VJENË 

Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Cvetanka Ivanova, mori pjesë në mbledhjen e rregullt të sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate, që u mbajt dje në Vjenë, Republika e Austrisë. 

Mbledhja filloi me takimin e sekretarëve të përgjithshëm të Treshit (kryesimi austriak, rumun dhe finlandez dhe Parlamenti Evropian), ndërsa mbledhjen e hapën zyrtarisht Volfgang Sobotka, kryetar i Këshillit Nacional i Republikës së Austrisë dhe Herald Dosi, sekretar i përgjithshëm i Parlamentit të Austrisë. Në sesionin e parë u prezantua Propozim-programi për Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate, që do të mbahet më 8 dhe 9 prill 2019 në Vjenë. Konferenca do të ketë dy sesione, me temë "Bashkimi Evropian dhe fqinjët" dhe "Bashkimi i ardhshëm Evropian pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, zhvillimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve nacionale dhe institucioneve evropiane". 

Në kuadër të sesionit u prezantua Programi dhe aktivitetet e Kryesimit të Rumanisë me Këshillin e Bashkimit Evropian nga ana e sekretarëve të përgjithshëm të Dhomës së përfaqësuesve të Rumanisë dhe të Senatit. Sekretari i përgjithshëm i Parlamentit Evropian, Klaus Vele mbajti prezantim në kontekst të zgjedhjeve evropiane (23-26 maj 2019) dhe aktiviteteve të Parlamentit Evropian në këtë periudhë. 

Sesioni i dytë u kushtua aktiviteteve të IPEX (Rrjeti për këmbim ndërparlamentar të të dhënave), me ç'rast u shqyrtua Raporti për vitin 2018, ndërsa u miratuan konkluzionet për aktivitetet në kuadër të Programit trevjetor për punë. Si risi në punën e këtij institucioni futet zyrtar parlamentar i informimit, selinë e punës dhe logjistikës së të cilit e siguron Senati belg. Duke i ndjekur trendët e informimit-rrjetet sociale dhe ndikimin e tyre, sekretarët e përgjithshëm e përshëndetën iniciativën për të ngritur debat për të ardhmen e IPEX në korrelacion me rrjetet sociale, ku do të debatohen vazhdimisht mendimet e ndryshme dhe përmes qasjes inkluzive do të adaptohen aktivitetet rrjedhëse me sfidat e reja. 

Sesioni i tretë "Parlamente të hapura - mundësi dhe limite" u diskutua për atë se sa transparenca reale e parlamenteve sjell rreziqe dhe sfida të larta të sigurisë për publikun, e si shembull u theksuan aktet terroriste para Parlamentit të Britanisë para dy vitesh dhe në parlamentin e Holandës vitin e kaluar. 

Në fund të takimit, Ivanova u takua me nikoqirin, Herald Dosi, sekretar i përgjithshëm i parlamentit të Austrisë, me ç'rast diskutuan për përpunimin e mëtutjeshëm të Memorandumit për bashkëpunim më të afërt ndërmjet shërbimit të të dyja parlamenteve, të iniciuar gjatë vizitës së Kryetarit të Parlamentit të Austrisë në Republikën e Maqedonisë, vitin e kaluar. Dosi informoi se Fondi për Ballkanin Perëndimor, i cili është implementues i projektit, pritet që të fillojë me implementimin e tij nga muaji i ardhshëm. Projekti është dedikuar për nëpunësit parlamentarë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të kontribuojë për përvetësimin e shkathtësive dhe përvojave të reja në procesin e anëtarësimit në BE dhe në procesin e negocimit. 

Duke biseduar me Ser Dejvid Nacler, sekretari i përgjithshëm i Dhomës së përfaqësuesve të Parlamentit të Britanisë, për përfitimet për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë nga projektet e Villton Park dhe Fondacionit Vestministër, Ivanova u falënderua për vëmendjen e madhe dhe mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit të Britanisë në ndërtimin e politikanëve të fuqishëm dhe konstruktivë dhe administratës efikase të Kuvendit. Gjithashtu, u përqendrua edhe në Projektin për hapje të zyrës së pavarur buxhetore në Kuvend, sipas shembullit të Parlamentit të Serbisë dhe Skocisë, me ç'rast do të mundësohet kontroll buxhetor dhe mbikëqyrje financiare parlamentare, e më tutje do të punohet edhe në autonominë fiskale të Kuvendit. 

Ivanova realizoi më shumë takime joformale edhe me kolegët e saj nga Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia, me ç'rast këmbeu mendime për mundësitë për ndihmë të ndërsjellë për përmirësimin dhe avancimin e praktikave parlamentare, cilësinë në punën e shërbimeve, -përshtatjen ndaj nevojave që dalin në procesin e anëtarësimit në BE, rolin e parlamentit dhe nëpunësive në këtë proces, si dhe për mundësitë për këmbim të përvojave përmes trajnimeve dhe punëtorive. 

Click