Aktivitetet

E martë, 23 korrik 2019

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME AMBASADOREN E SAPOEMËRUAR TË SHBA KEJT MARI BËRNS

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Ambasadoren e sapoemëruar të SHBA në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kejt Mari Bërns. 

Kryetari Xhaferi, duke i drejtuar urime për emërimin e saj në funksion, shprehu shpresë për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer me Ambasadën dhe me përfaqësuesit e saj, sidomos për shkak të faktit që SHBA janë partneri ynë strategjik me të cilin kultivojmë ndër dekada marrëdhënie bilaterale të afërta dhe miqësore.

Kryetari Xhaferi e informoi Ambasadoren për vizitën e tij të paradokohshme në Uashington dhe për takimet e realizuara me përfaqësues të lartë të Stejt Departamentit dhe Kongresit, si edhe një konfirmim i intensitetit të bashkëpunimit parlamentar të ndërsjellë. Në këtë kontekst, ai shprehu pritjen se Protokolli aderues për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, do të ratifikohet së shpejti nga ana e Senatit dhe se deri në fund të vitit, vendi do të bëhet anëtari i 30-të i NATO-s. 

Në raport me BE, Kryetari Xhaferi sugjeroi për rëndësinë e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, jo vetëm për ndryshimin e perceptimit se Ballkani është një fuçi baruti, por edhe për shkak të faktit se vendi i përmbushi parakushtet për fillimin e negociatave, me përfshirje të plotë të opozitës në këtë proces në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Reformat nuk përfundojnë këtu, ato janë afatgjate dhe do të vazhdojnë deri në vetë anëtarësimin në BE ndërsa hapja e negociatave vetvetiu nuk do të thotë edhe anëtarësim në BE por sërish, në këto rrethana, kjo do të paraqesë stimul të rëndësishëm për procesin, theksoi Xhaferi. 

Ambasadorja Bërns, duke falënderuar përzemërsisht për takimin, e përshëndeti rolin kyç të Kryetarit Xhaferi në udhëheqjen e Kuvendit, veçanërisht për mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës, për nxjerrjen e ndryshimeve kushtetuese të cilat e hapën procedurën për ratifikimin e Protokollit aderues për anëtarësim në NATO në vendet anëtare, si edhe në nxjerrjen e pakos së domosdoshme të reformave për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Në SHBA ekziston konsensus i gjerë për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, jo vetëm për shkak të faktit që do të jetë aleat i ardhshëm por për arsye se vendi deri tani ka treguar se mundet të jetë aleat i mirë në Aleancë. Gjithashtu, SHBA sinqerisht shpreson në rezultat pozitiv në tetor për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, për shkak se Republika e Maqedonisë së Veriut ju qas reformave me një bazë politike të gjerë dhe kjo duhet të vlerësohet në mënyrë përkatëse. Ky është moment historik dhe nuk duhet të lëshohet, theksoi Bërns.  

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi duhet të vazhdojë dhe të përforcohet në të ardhme, në fushat me interes të përbashkët për të dy parlamentet, sidomos në përforcimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit, si korrektues i pushtetit ekzekutiv në procesin e nxjerrjes së ligjeve dhe vazhdimësisë në transparencën e punës së vet ndaj opinionit. 




Click