Aktivitetet

E hënë, 4 mars 2019

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME FILIP RIKER, ZËVENDËS CIVIL DHE KËSHILLTAR POLITIK I KOMANDANTIT TË KOMANDËS EVROPIANE TË FORCAVE USHTARAKE TË SHBA-së

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi sot realizoi takim me Ambasadorin Filip Riker, zëvendës civil dhe këshilltar politik i komandantit të Komandës Evropiane të forcave ushtarake të SHBA-së.

Kryetari Xhaferi, duke i drejtuar urime për emërimin e tij në funksionin e sekretarit shtetëror të SHBA-ve për çështje Evropiane dhe Evroaziatike dhe duke i uruar punë të suksesshme dhe të frytshme, i konstatoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet dy shteteve, të rrumbullakuara me Deklaratën për partneritet strategjik dhe bashkëpunim në vitin 2008. Ai falënderoi për mbështetjen e SHBA-ve për përpjekjet tona prej pavarësisë deri sot me anë të projekteve të ndryshme të USAID-it, por edhe për mbështetjen që e fitonim prej NDI dhe IRI në ndërtimin e shoqërisë demokratike dhe përfshirëse. Kryetari Xhaferi e informoi bashkëbiseduesin për aktivitetet aktuale në Kuvend të ndërlidhura me pakon e ligjeve reformuese me të cilat presim caktimin e datës për fillimin e negociatave nga ana e Këshillit të BE-së në qershor të këtij viti, si edhe për ratifikimet e marrëveshjeve me Republikën e Bullgarisë dhe Republikën e Greqisë me të cilat u tejkaluan çështjet e hapura me fqinjët dhe u hap rruga për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO. Me këtë rast, ai shprehu pritjen se vendi do të bëhet anëtari i 30-të i Aleancës deri në fund të këtij ose fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa shpejtësia e procesit të ratifikimit të Protokollit për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO është edhe një vërtetim për angazhimet e kaluara të shumicës aktuale në vend.

Ambasadori Riker theksoi se ka shumë arsye për kremtim të zhvillimit pozitiv të evenimenteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për arsye se sipas tij, tejkalimi i kontestit me emrin nuk është vetëm hap i madh për vendin por edhe për gjithë rajonin. Ai e përshëndeti procesin e ratifikimit të Protokollit për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, duke sugjeruar se Senati i SHBA-ve bën përpjekje për ratifikim të tij më të shpejtë sesa procedura e zakonshme dhe shprehu shpresë se vendi deri në fund të vitit do e fitojë vendin e merituar në Aleancë. Në raport me procesin e eurointegrimeve, Ambasadori Riker theksoi se nxjerrja e pakos së ligjeve reformuese nuk është vetëm kontribut ndaj procesit të BE-së por është me rëndësi kryesore për zhvillimin e vendit në të ardhme dhe se në atë proces, pozita doemos duhet të kyçet në mënyrë përkatëse dhe të punojë për të mirën e përgjithshme. Në fund, ai konstatoi se edhe përskaj të gjitha sfidave dhe dallimeve që ekzistojnë. Aleanca qëndron në realizimin e të gjitha qëllimeve strategjike të vendosura prej themelimit të saj deri më sot.  

Click