Aktivitetet

E enjte, 21 mars 2019

Takim i Kryetarit Xhaferi me Kryetarin e Parlamentit skocez, z. Ken Mekintosh

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, kryetarja e Komisionit për Financa dhe Buxhet, z-nja Liljana Kuzmanovska, Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, z-nja Cvetanka Ivanova dhe përfaqësues të shërbimit të Kuvendit, gjatë vizitës studimore të organizuar nga Vestminster Fondacioni për Demokraci në Edinburg, Skoci a në kuadër të Memorandumit të nënshkruar për bashkëpunim në themelimin e zyrës buxhetore parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, realizuan takim pune edhe me Kryetarin e Parlamentit të Parlamentit të Skocisë, z. Ken Mekintosh.

Mikpritësi, z. Mekintosh i uroi mirëseardhje Kryetarit Xhaferi dhe delegacionit në Parlamentin e Skocisë, me shpresë se vizita studimore zhvillohet në drejtimin e duhur dhe se takimet e punës do mundësojnë krijim të një parafytyrimi për atë se në cilin drejtim do të zhvillohet themelimi i zyrës buxhetore parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke e marrë parasysh faktin se paraprakisht një pjesë e Delegacionit ishte në vizitë pune në Beograd të Serbisë.

Kryetari Xhaferi shprehu falënderim ndaj Kryetarit Mekintosh për atë që i hapën dyert e Parlamentit skocez për Delegacionin nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mundësuan që së afërmi të njoftohet me funksionimin e zyrës buxhetore në kuadër të Parlamentit, të dëgjojë nga shfrytëzuesit e drejtpërdrejtë të shërbimeve të zyrës buxhetore, deputetë dhe shërbime, për nevojën dhe për përfitimet nga ekzistimi i zyrave të atilla.

Përveç kësaj, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut e informoi mikpritësin për situatën aktuale politike në vendin tonë dhe për përpjekjet që i bën shumica aktuale në drejtim të përmbushjes së parakushteve të duhura për arritjen e qëllimeve strategjike, respektivisht anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe BE. Pas arritjes së Marrëveshjes me Bullgarinë dhe Marrëveshjes me Greqinë, Republika e Maqedonisë së Veriut e ç’bllokoi rrugën e integrimit euroatlantik dhe për momentin zhvillohet ratifikimi i Protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO në parlamentet nacionale të vendeve anëtare të NATO-s dhe pritjet janë se deri në fund të vitit 2019 ose fillimin e vitit 2020, ky qëllim do të realizohet. Në drejtim të BE-së, përveç skriningut, presim që në qershor të këtij viti të hapet procesi i negociatave aderuese me BE-në. Kryetari i parlamentit skocez, interesohej për mënyrën e funksionimit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me ç’rast shprehu mendimin se këmbimi i përvojave të ndërsjella mund të jetë në dobi të të dy Parlamenteve.

Sa i takon bashkëpunimit bilateral parlamentar, konstatim i përbashkët në lidhje me rëndësinë e këtij bashkëpunimi është të vazhdojë dhe të thellohet. Në këtë drejtim, janë formuar Grupe parlamentare për bashkëpunim në të dy parlamentet dhe të dy bashkëbiseduesit e inkurajojnë dhe mbështesin këtë bashkëpunim, sidomos nëse merret parasysh përvoja e çmuar nga puna parlamentare për deputetët dhe shërbimet. Kryetari Xhaferi e ftoi homologun e tij në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, diçka që z. Mekintosh e mirëpriti me pozitivizëm të madh. Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit këmbyen dhurata të përshtatshme.

Përveç takimeve të lartpërmendura të punës në Parlamentin e Skocisë, Kryetari Xhaferi dhe Delegacioni kishin takim pune edhe në Entin Shtetëror të Revizionit të Skocisë, ku u informuan në mënyrë të drejtpërdrejtë për mënyrën e shqyrtimit të raporteve revizore në Parlament. 

Click