Aktivitetet

E hënë, 8 maj 2017

Takime të veçanta të kryetarit Xhaferi me ambasadorin amerikan dhe francez

Kryetari i Kuvendit te Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, realizoi takim zyrtar me ambasadorin e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë, z. Xhes Bejli, i cili ia uroi përzemërsisht zgjedhjen si kryetar i Kuvendit, si hap i parë dhe tejet i rëndësishëm në konsolidimin dhe stabilizimin e situatës politike në Republikën e Maqedonisë.  Njëkohësisht theksoi se për realizimin e këtij qëllimi Ambasada e SHBA-së punon bashkërisht në mënyrë të koordinuar me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, sepse aktivitetet që do të vijojnë janë me rëndësi shumë të madhe. 

Si hap i ardhshëm në mesin e shumë hapave të rëndësishme për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë, ambasadori Bejli e theksoi formimin e Qeverisë së re, me ç'rast Kryetari i Kuvendit, z. Xhaferi e informoi për hapat e ndërmarrë në atë drejtim, për procedurën e përcaktuar me Kushtetutën, Ligjin për Kuvendin dhe Rregulloren, duke nënvizuar se ai është i detyruar t'i zbatojë dhe të përgjigjet për të gjitha kompetencat e tij pasi t'i dorëzohet Propozimi për përbërjen e Qeverisë dhe Programi për punën e saj. 

Të dy bashkëbiseduesit këmbyen mendime konstruktive edhe për çështje tjera aktuale dhe sensitive lidhur me ngjarjet e padëshirueshme të 27 prillit, për rrethanat e sapokrijuara dhe për perceptime të caktuara pas marrjes së funksionit kryetar i Kuvendit, për modalitetet e zgjidhjes dhe për tejkalimin e tyre, si dhe për vendin, rolin dhe veprimin e të gjitha institucioneve shtetërore, veçanërisht tre më të lartët, në periudhën e ardhshme. 
Gjithashtu u shpreh pritje se edhe te të dyja palët do të mbizotërojë ndjenja e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së lartë politike mbi gjendjet e caktuara të imponuara ose të provokuara, se si do të qetësohen tensionet dhe të trasohet rruga në mënyrë të qetë për vendosjen e proceseve demokratike në shtet. 

Gjatë bisedës, theks të veçantë u vendos në pritjet e të gjitha qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, si dhe në komunitetin ndërkombëtar, që Republika e Maqedonisë sa më shpejt dhe sa më cilësisht të vazhdojë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, me ç'rast u theksua mbështetje e fuqishme e SHBA-së në këtë plan. 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, realizoi takim zyrtar me ambasadorin e Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë, z. Kristian Timonie, i cili në emër të kryetarit të Kuvendit Nacional të Francës dhe në emër të kryetarit dhe anëtarëve të Grupit parlamentar për miqësi me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, i dërgoi urime për zgjedhjen kryetar i Kuvendit. Njëkohësisht e riafirmoi qëndrimin se me këtë hap do të fillojë seria e hapave të ardhshme drejt formimit të Qeverisë së re, si shprehje e lartë demokratike e shumicës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.   

Bashkëbiseduesit ndanë pikëpamjet e tyre edhe për hapat e padëshirueshme eventuale në këtë kuptim, me ç'rast z. Xhaferi e riafirmoi qëndrimin e tij se vendi për debat dhe për ruajtjen e qëndrimeve dhe mendimeve politike është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, meqë ai është organ legjitim i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, ndërsa të gjithë qëndrimet tjera të shprehura nga përfaqësuesit e lartë të institucioneve shtetërore nuk guxojnë të jenë pengesë për finalizimin e proceseve të filluara demokratike, të cilat janë pa alternativë. Në atë drejtim procedura për zgjedhjen e Qeverisë së re do të paraqesë fillim të realizimit të kompetencave të kryetarit të ri të Kuvendit, në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores së Kuvendit. 

Bashkëbiseduesit këmbyen mendime edhe për pozitën aktuale të Republikës së Maqedonisë në planin rajonal dhe ndërkombëtar, me ç'rast u shpreh mbështetja e fuqishme të cilën Republika e Francës edhe më tutje do t'ia japë Republikës së Maqedonisë në planin e kompetencave të saj evropiane dhe euroatlantike. 

















Click