Aktivitetet

E mërkurë, 30 maj 2018 

TAKIMI I DELEGACIONIT TË KUVENDIT ME ZËVENDËSMINISTRIN UKRAINAS TË PUNËVE TË JASHTME, Z. VASILIJ BODNAR 

Në kuadër të vizitës kthyese dyditore të Ukrainës, Delegacioni i Grupit parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentin e Ukrainës, në përbërje: z. Jovan Mitreski, kryetar i Grupit parlamentar për bashkëpunim, znj. Vesna Pemova dhe z. Ejup Alimi, anëtarë të Grupit, sot realizoi takim me z. Vasilij Bodnar, zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Ukrainës. 

Në takimin u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Ukrainës, ndërsa u këmbyen edhe mendime për gjendjet në të dyja vendet edhe në rajonin. U shpreh bashkërisht interesi për realizimin e takimeve dhe vizitave të nivelit të lartë, me qëllim të intensifikimit dhe thellimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale në të gjitha sferat me interes të përbashkët. U vendos theksi në nevojën për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, duke pasur parasysh se ndërmjet të dyja vendeve është ndërtuar një kornizë e pasur normative-juridike. 

Kryetari i Grupit parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin e Ukrainës, z.  Jovan Mitreski, theksoi se Republika e Maqedonisë e mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe aktivitetet e OSBE-së për arritje të stabilitetit politik dhe ekonomik dhe për shmangie të eskalimit të mëtutjeshëm të konflikteve dhe dhunës në vend. 

Z. Mitreski nënvizoi se Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë janë përcaktuar fort për reforma efikase, ndërsa integrimi në BE dhe NATO, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal, mbeten prioritete strategjike të vendit. Ai informoi për progresin e arritur në vend dhe vlerësoi se zhbllokimi i proceseve integruese euroatlantike të Republikës së Maqedonisë është kryesor për stabilitetin afatgjat, sigurinë dhe progresin e gjithë rajonit. 

Zëvendësministri, z. Vasilij Bodnar, theksoi se Ukraina u jep rëndësi të madhe marrëdhënieve me Republikën e Maqedonisë dhe e nënvizoi mbështetjen për vendin në rrugën drejt zhvillimit demokratik dhe anëtarësimit në strukturat euroatlantike. Ai i theksoi përpjekjet e Qeverisë së Ukrainës për avancimin e bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë, si dhe bashkëpunimit në sferën e bujqësisë, turizmit dhe arsimit. Në atë drejtim, ai shfaqi shpresë se në periudhën e ardhshme do të nënshkruhet marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve me të cilën do të futet regjimi pa viza për udhëtimet afatshkurtra, me ç'rast do të nxitet dhe lehtësohen komunikimi dhe kontaktet ndërmjet qytetarëve, veçanërisht në aspekt të biznesit dhe turizmit. 

Në fund të takimeve bashkëbiseduesit shfaqën shpresë se bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë dhe Ukrainës do të vazhdojë të thellohet, si në nivel parlamentar ashtu edhe në nivel lokal. 

Click