Aktivitetet

Е enjte, 17 tetor 2019 

Takimi i Kryetarit Xhaferi me Kryetaren e Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, Maja Gojkoviq

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot në Beograd realizoi takim kurtuazie me mikpritësin e Asamblesë së 141. të Unionit Interparlamentar, Kryetaren e Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, Maja Gojkoviq.

Kryetarja Maja Gojkoviq, shprehu falënderim për pjesëmarrjen e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e 141. të UIP në nivel të lartë kryetari, si edhe kënaqësi që marrëdhëniet parlamentare ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut janë lartë të zhvilluara, me takime të shumta, si në nivelin bilateral, ashtu edhe në atë multilateral.

Kryetari Talat Xhaferi falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe drejtoi urime për organizimin e shkëlqyer të kësaj Asambleje të Unionit Interparlamentar, e cila mbahet për të dytën herë në Beograd. Ai vlerësoi se me këtë, Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë e konfirmoi përkushtimin e vet ndaj qëllimeve dhe principeve të UIP, siç janë paqja, demokracia, bashkëpunimi ndër popujt, ndërtimi i institucioneve të fuqishme përfaqësuese nëpërmjet një dialogu të gjerë dhe gjithëpërfshirës parlamentar. 

Në takim u këmbyen informata për marrëdhëniet bilaterale dhe për ngjarjet aktuale në të dy vendet, veçanërisht në lidhje me eurointegrimet. 

Bashkëbiseduesit u pajtuan se diplomacia parlamentare paraqet segment të rëndësishëm të punës së përditshme parlamentare dhe mundësi për promovimin e shikueshmërisë së parlamenteve jashtë kufijve të shtetit, por edhe mundësi për ndarjen e përvojave të përbashkëta dhe praktikave të mira. 

Click